Kurbini i dhurohet në tavolinë PS-së/ Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-në. Ish kandidati Altin Biba : Nuk rikthehem

Gëzim Saliu

Kolegji-ZgjedhorKaso: Kodi Zgjedhur duhet zbatuar në mënyrë që të garantohen parimet kushtetuese si bërja e një procesi zgjedhor në një proces efektiv

Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur si të paligjshëm vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mospranimin e dorëheqjes së Altin Bibës, kandidatit të parë të opozitës në Bashkinë e Kurbinit. Me këtë vendim, trupa zgjedhore la në fuqi vendimmarrjen e mëparshme të institucionit më të lartë zgjedhor, duke mos pranuar kërkesën e demokratëve për të regjistruar si kandidat në Kurbin Ilir Pjetrajn, vëllain e deputetit të PD-së, Mhill Fufi. “Kolegji, pasi shqyrtoi çështjen, vendosi rrëzimin e ankes-padisë”, – komunikoi vendimin kryetari i trupës gjykuese. Por ndërsa Kolegji vendosi që në garë të jetë kandidati Altin Biba, vetë ky i fundit bëri të ditur dje se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim lidhur me dorëheqjen e tij nga gara. “Unë kam dhënë dorëheqjen, nuk hyj më në garë për Kurbinin. Kam shpjeguar edhe arsyet e dorëheqjes sime nga kandidimi. Nëse doja të isha pjesë e garës, do isha prej fillimit”, – tha ai. Ndërkaq, përfaqësuesi i PD-së në Kolegjin Zgjedhor, Ivi Kaso, tha se vendimi i Kolegjit nuk mund të kundërshtohet. “Nuk mund të paragjykoj vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor. Kolegji do të ketë pasur edhe arsyet e veta që ka arritur në këtë vendimmarrje. Në momentin që vendimi do jetë i zbardhur do ta lexojmë dhe do të tërheqim edhe konkluzionet tona. Mund të bëhet objekt edhe shqyrtimi në reformën e ardhshme zgjedhore, konkluzionet të cilat ka arritur kolegji. Ne thamë që Kodi Zgjedhur duhet zbatuar në mënyrë që të garantohen parimet kushtetuese siç është bërja e një procesi zgjedhor i një procesi efektiv”, – tha ai.

 

Debati i Kurbinit

Vetëm pak pas zyrtarizimit të kandidatëve për bashkitë e vendit, emri i përzgjedhur nga selia blu për Kurbinin, Altin Biba, jep dorëheqjen e parevokueshme nga gara, duke argumentuar këtë vendim me “arsye familjare”. Pas këtij vendimi, PD vendosi si kandidat në këtë Bashki Ilir Pjetrajn, vëllain e deputetit demokrat Mhill Fufi. Por KQZ me votat e anëtarëve të propozuar nga e majta si edhe të kryetares së këtij institucioni, Lefterie Luzi, vendosi të mos pranonte regjistrimin e kandidatit Pjetraj me arsyetimin e tejkalimit të afateve kohore. Ndonëse dorëheqja e Bibës erdhi pas mbylljes së afatit zyrtar dhe në këtë formë regjistrimi i kandidatit të ri nuk mund të bëhej më parë, KQZ me shumicë votosh nuk e pranoi Pjetrajn si kandidat të opozitës. Ky vendim i KQZ-së u ankimua fillimisht nga PD në Kolegj, ku ky i fundit kërkoi regjistrimin e Pjetrajt në garën për Bashkinë e Kurbinit. Por në mbledhjen e radhës në KQZ, sërish të njëjtët anëtarë së bashku me kryetaren Luzi vendosën të mos pranonin dorëheqjen e kandidatit Biba, duke lënë atë në garë përballë Bardhit të PS-së. Kjo u cilësua antiligjore nga ana e demokratëve, e cila e ankimoi sërish çështjen në Kolegj, ku kërkoi zëvendësimin e Bibës me Pjetrajn. Por kërkesa e demokratëve u rrëzua dje nga trupa gjyqësore, duke lënë përfundimisht në garë kandidatin e dorëhequr. Pas gjithë “sagës” së Kurbinit, ku edhe vetë përfaqësimi i PD-së në këtë betejë la shtigje boshe në favor të kundërshtarëve politikë, duket se në këtë njësi vendore nuk do të ketë garë. Kjo nuk është e vetmja humbje e PD-së në tavolinë, pasi edhe në Këlcyrë demokratët tërhoqën kandidatin nga gara në kuadër të dekriminalizimit dhe tanimë mbështesin kandidatin e pavarur në këtë njësi, ku shanset e këtij të fundit përballë kandidatit të majtë janë minimale.

 

Raporti i parë i OSBE/ODIHR-it/ “Shqetësim rreth paanshmërisë së KQZ-së, figura të majta shpërndajnë legalizime në fushatë”

Misioni i OSBE/ODIHR-it publikoi dje raportin e parë të ndërmjetëm për periudhën 15 maj-1 qershor lidhur me zgjedhjet vendore, ku ngriti pikëpyetje për paanshmërinë e KQZ-së. Në mesin e debateve për disa vendime të marra nga KQZ-ja, që janë referuar në Kolegj, misioni i OSBE-së nuk ngurron të bëjë publike disa probleme që lidhen me institucionin më të lartë zgjedhor. “Të pyetur nga OSBE/ODIHR, disa persona kanë ngritur shqetësime rreth paanshmërisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në disa nga 90 Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor ka pasur pengesa për zhvillimin e punës. Vendimet e KQZ-së, vëren dokumenti, nuk publikohen gjithmonë brenda afatit të caktuar në faqen e tij të internetit”, – thuhej në raport. Nga ana tjetër raporti ngre shqetësim edhe për përdorimin e aseteve të qeverisë për fushatë, si edhe akuzat personale që kanë dominuar deri më tani fushatën, e cila sipas misionit ka nisur para kohe, në shkelje të ligjit. “Janë ngritur akuza për presion ndaj punonjësve të administratës dhe keqpërdorimin e burimeve të shtetit. Figura kryesore të Aleancës për Shqipërinë Evropiane kanë shpërndarë certifikata legalizimi gjatë disa prej takimeve zgjedhore”, – nënvizon raporti. Sipas ODIHR-it, disa rekomandime të OSBE-së vijojnë të mbeten të paadresuara, përfshirë masat për të rritur paanshmërinë e komisionereve zgjedhore dhe transparencën e financimit të fushatës. Vëzhguesit veçojnë në raport edhe faktin se pavarësisht se zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje lokale, fushata është dominuar nga liderët kryesor politik. “Fokusi i fushatës është përqendruar rreth çështjeve kombëtare, si rritja ekonomike, përmirësimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor, ulja e taksave për biznesin e vogël. PS është fokusuar veçanërisht në vetëdijen për të luftuar korrupsionin, ndërsa PD në largimin e personave me rekorde kriminale nga të gjitha nivelet”, – theksohet në raport. Ndërkohë duke kujtuar se partitë politike mund ta financojnë fushatën e tyre zgjedhore me kontribute nga fondet publike, donacione private apo hua, dhe se kandidatët e pavarur nuk përfitojnë dot nga financimet publike, raporti theksoi se këtyre të fundit, ashtu si dhe të gjitha partive të pavarura, iu kërkohet të bëjnë publike sasinë e financimeve private që kanë përfituar dhe shpenzimet e fushatës. Por ligji nuk parashikon një raportim periodik të financimeve elektorale. Nga ana tjetër raporti theksoi: “Lidhjet e medias me partitë e mëdha politike shkaktojnë ndërhyrje direkte në autonominë editoriale, auto-censurën dhe një mungesë burimesh të pavarura të lajmit. Influenca e partive politike në subjektet e raportuara në media kufizon hapësirën për çështje të tjera më pak të politizuara që janë me interes për publikun”.

Share it :