Artan Cena
Familjarët e Almir Dacit e bëjnë haram djalin e tyre. Njësia e antiterrorit në Tiranë, policia e dy vendeve dhe shërbimet sekrete në Tiranë e Prishtinë kanë nisur hetimet menjëherë pas videos
Kërcënimet e hapura të ekstremisteve të ISIS-it ndaj Shqipërisë dhe Kosovës kanë sjellë reagime të shpejta të agjencive ligjzbatuese në të dyja vendet, Shqipëri dhe Kosovë. Në Tiranë mësohet se njësia antiterror ka kaluar në gatishmëri të plotë. Drejtuesit e saj po bashkëpunojnë me homologet në Prishtinë, duke bërë verifikimin e dy personave që flasin ne video si dhe lidhjet e tyre. Burime të policisë, bëjnë të ditur se pjesë e verifikimeve janë edhe Agjentët e Shërbimit Informativ. Dosjet e dy personave, njëri i dyshuar si Almir Daci nga fshati Leshnicë i Pogradecit dhe tjetri nga Kosova, janë shqyrtuar nga ekspertët. Shfaqja e Almir Dacit në një video kërcënuese, ku përdoret një fjalor i ashpër dhe terrorizues, ka tronditur sërish prindërit e tij në fshatin Leshnicë të rrethit të Pogradecit. Babai 72-vjeçar, Xhevahiri, dhe nëna, Nafia, pasi kanë parë filmimin pohojnë se ai është djali i tyre dhe se e kanë të pamundur ta pranojnë që është terrorist.
Lidhjet e xhihadistëve
Lidhjet e dy shqiptarëve që flasin në videon e shpërndarë në rrjet, janë duke u verifikuar në të dy shtete, për njohjet dhe mënyrat e komunikimit me simpatizantë të ISIS-it. Ata janë duke u analizuar për të parë nëse kërcënimet janë vetëm në nivel propaganda apo ka edhe veprime konkrete. Pjesë e kontrollit janë bërë edhe të gjithë personat të cilët kanë qenë pjesë e luftimeve në Siri e më pas janë kthyer në Shqipëri. Ata dhe të tjerë që mbështesin militantët e ISIS-it në rrjetet sociale po ndiqen në mënyrë të koordinuar, për të parandaluar çdo veprim të mundshëm terrorist, të paralajmëruar nga ekstremistët e ISIS-it. Kjo nuk është e hera e parë që shqiptarët në Shtetin Islamik kërcënojnë. Rasti më i spikatur ka qenë ai i Lavdërim Muhaxherit, që u bënte thirrje myslimaneve të bashkoheshin me Shtetin Islamik.
Reagojnë familjarët
Pas publikimit të videos ku dy xhihadistë shqiptare kërcënojnë Shqipërinë e Kosovën, kanë reaguar familjaret e njërit prej tyre. Babai i Almir Dacit nga Leshnica e Pogradecit, i cili shfaqet duke bere thirrje për terror, thotë se ai nuk mund të jetë më djali i tij. Dy prindërit e Almir Dacit, Nafie e Xhevahir Daci shprehen se e kanë bërë “haram” djalin e tyre që ditën kur e kanë marrë vesh se ishte terrorist. Ata gjithashtu thonë se kanë kohë pa folur me djalin e tyre i cili herën e fundit që ka kontaktuar me ta u kishte thënë se ndodhej në Arabi. Në një video 20-minutëshe, e shfaqur nga ajo që njihet si qendra mediale “Al-Hayat”, e lidhur me grupin militant Shteti Islamik, luftëtarë të këtij të fundit kanë kërcënuar shtetet e Ballkanit, Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Maqedoninë… Dy prej tyre, Abu Muqatil (Al Kosovi) dhe Abu Bilqis (Al Albani) duke folur në gjuhën shqipe kanë paralajmëruar hakmarrje “ndaj atyre që kanë poshtëruar myslimanët”, ndërsa thonë se “armiqtë e Allahut po kërkojnë t’i përçajnë”. Në mesazhin e Al Kosovit flitet për “ditë të zeza” ndaj atyre që kanë nënçmuar muslimanët dhe Allahun, “në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, Maqedoni dhe në të gjithë Ballkanin”, duke kërcënuar se duhet të “kenë frikë të punojnë në zyrat e tyre, do të tmerrohen e trishtohen në shtëpitë e tyre, edhe kur flenë”.
Përdhunimi i nxënëses, mësuesi në burg, por nuk pranon akuzën
Mësuesi i shkollës 9-vjeçare në Kryekuq të Divjakës, 63-vjeçari Demir Hoxha, i akuzuar për përdhunimin e 12-vjeçares ka dalë para togave të zeza, ku i është komunikuar masa “Burg pa afat”. Trupi gjykues që drejtohej nga gjyqtarja Brikena Lubonja dhe prokurorja Merita Selimi vendosën që seanca të bëhej me dyer të mbyllura duke mos pranuar as familjarët brenda sallës se gjyqit. Pas përfundimit të seancës, gjykata vendosi burg pa afat për 63-vjeçarin. Familjarët e këtij të fundit kanë kundërshtuar prezencën e kamerave dhe sipas tyre gjithçka është një inskenim për ti zënë vendin e punës mësuesit në prag pensioni. Vajza Ana, e cila është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, është kthyer në vendlindje për t’i qëndruar pranë të ëmës dhe vëllezërve pas prangosjes së babait, Demir Hoxhës. Por, edhe pse ka dëgjuar për akuzën e ngritur nga Policia, 30-vjeçarja dyshon tek ndonjë trill për shkak të punës si mësues. Ajo është shprehur për mediat: “Jam e traumatizuar, e trishtuar dhe shumë e mërzitur nga gjithë kjo histori. Askush nuk do të donte të ndodhej në këto pozicione dhe situate të tilla të turpshme dhe të rënda. Unë jam e bija e Demirit dhe gati sa s’më ra tavani mbi kokë kur mora vesh motivin e arrestimit. Kam besuar dhe shpresuar se ka qenë një keqkuptim, se ka qenë një ngatërresë dhe gjithçka do të sqarohej dhe babi do të dilte. Burime nga policia dhe prokuroria thonë se kanë fakte se 63-vjeçari Hoxha ka kryer marrëdhënie me të miturën, gjë që është vërtetuar dhe nga vizita të gjinekologia si dhe nga përgjimet që i janë bërë Avokati i 63-vjeçarit, Adriatik Doga sqaron se klienti i tij nuk ka pranuar asgjë para gjykatësve.
“I pandreqshmi”, pranga sekserit të provimeve në Elbasan
Një sekser për provimet e studentëve u arrestua nga policia e Elbasanit. Oltion Toçi ra dje në pranga gjatë operacionit “I pandreqshmi”, pas urdhrit të lëshuar nga Gjykata e Elbasanit, e cila kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”. Toçi akuzohet se për një periudhë kohe 6 mujore, ka ushtruar ndikim të paligjshëm kundrejt përfitimit tek stafi akademik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, gjatë zhvillimit të provimeve të studentëve, të cilët kërkonin një notë kaluese ose një notë më të mirë. Në këmbim Toçi u kërkonte një pagesë që varionte nga 13.000 deri në 15.000 lekë të reja për çdo provim, i cili e kishte të mirorganizuar këtë skemë korruptive, të kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.
Ktheheshin nga takimi elektoral, vdes në aksident një 50-vjeçar
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar pasditen e djeshme në rrugën që lidh Bulqizën me Krastën. Viktima mësohet se është Hamit Kala, 50 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Fiat” që përfundoi rreth 200 metra në humnerë. Si pasojë e daljes së automjetit nga rruga është plagosur rëndë edhe drejtuesi Fatjon Zamdija, i cili është transportuar për ne spital. Dyshimet e para për aksidentin lidhen me humbjen e kontrollit nga drejtuesi i mjetit. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se ata të dy ishin duke u kthyer nga një takim elektoral.