Masakra te materniteti/ Sulku dhe Letizzia qëlluan ndaj Mentor Lufit, Gerti Goxhaj u vra aksidentalisht

Artan Cena

Masakra te maternitetiZbardhen detaje të reja nga atentati që tronditi Tiranën. Sipas raportit balistik të dy atentatorët, Besnik Sulku dhe Salvatore Letizzia në shënjestër kanë pasur të riun nga Lura

Të dy atentatorët, Besnik Sulku dhe Saltavore Letizzia qëlluan ndaj Mentor Lufit, që mbeti i vrarë në përplasjen me armë të 27 majit në Bulevardin Zogu i Parë. Të dhënat e para të balistikës tregojnë se trupi i Lufit është prekur nga plumbat e dalë nga pistoletat që kishin dy personat që i zunë pritë. 39-vjeçari nga Bulqiza rezulton të ketë qenë edhe shënjestra e vetme e atentatit dhe se shoferi i tij, Gerti Goxhaj, është kapur aksidentalisht nga plumbat që kanë qëlluar më parë Lufin. Të dhënat janë rezultat i hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila, bazuar në provat dhe dëshmitë e tre personave të ndaluar për përplasjen që la tre viktima, ka rindërtuar ngjarjen.

 

Si u bë vrasja

Dy atentatorët, Besnik Sulku dhe Salvatore Letizzia kanë pritur që Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj të hipin në makinë dhe më pas kanë qëlluar nga krahu i pasagjerit, ku ishte ulur shënjestra e tyre. Mësohet se Lufi ishte qëlluar me disa plumba që e kishin goditur në disa pjesë të trupit. Pas kësaj Salvatore Letizzia është përplasur nga me makinë nga nipat e Lufit, Markeljan dhe Klevis Doçi, ndërsa Besnik Sulku është larguar me vrap në drejtim të maternitetit, “Mbretëresha Geraldinë”, ku është ndjekur dhe qëlluar nga Markeljan Doçi. Prokurorët thonë se gjatë largimit Besnik Sulkut i ka rënë pistoleta nga dora. Kjo shpjegon dhe arsyen pse ai nuk ka qëlluar në drejtim të Markeljanit. Grupi hetimor është në pritje të disa materialeve nga Holanda atje ku mendohet se ka nisur sherri mes Lufit dhe vëllait të Besnik Sulkut, Durim Sulku, i vrarë me 6 prill në Roterdam. E gjithë ngjarja kriminale, sipas burimeve të Prokurorisë, është një ndërthurje e hakmarrjes personale të Besnik Sulkut për vrasjen e vëllait të tij, Durim Sulku, në Holandë, si dhe e një ekzekutimi të urdhëruar nga bosët mafioze të Kamorras, për 1 milion euro të fshehura nga shitja e 20 kilogramëve kokainë. Për zbardhjen e plotë të serialit të vrasjeve, janë duke kryer veprime në Tiranë edhe hetues italianë.

 

Roli i Letizzias

Nga ana tjetër, hetuesit dyshojnë se Salvatore Letizia i është bashkuar atentatit për të zbatuar urdhrin e ardhur përtej Adriatikut nga bosët e Kamorras, pasi Besnik Sulku nuk kishte dorëzuar një sasi prej 1 milionë euro për 20 kile kokainë të marrë nga mafia e të shitur nga grupi i tij. Prokurorët ndërkohë kanë zbuluar edhe një qeskë të vogël mbushur me kokainë, e cila ishte lidhur me çelësin e motorit që ishte fshehur nga dy atentatorët për t’u arratisur pas krimit. Në këtë mënyrë, skenari i vrasjeve që u finalizua me masakrën e Bulevardit, duket se përfshin në organizatë më të madhe kriminale, me fije të tjera që shtrohen në Itali, Shqipëri e Holandë e që merrej prej kohësh në trafikun e drogave të forta, të kontrolluar nga mafia napolitane duke shfrytëzuar grupet shqiptare.

 

Banda e shpërndarjes së kokainës, dënohen në Angli 5 shqiptarë

 Pesë shqiptarë janë dënuar nga një gjykatë në St. Albans të Londrës me burgim për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafik droge. Ata janë Eduart Plaku, 37 vjeç, vëllai i tij Antonio Plaku, 25 vjeç, Albert Cena, 29 vjeç, Fatjon Shehu 29 vjeç dhe Leonard Hasanaj, 33 vjeç. Shqiptarët u kapën në një operacion të policisë britanike, i cili u finalizua gushtin e vitit të shkuar. Mësohet se shqiptarët kishin krijuar një rrjet kriminal që shpërndante drogë të klasit A, pra kokainë dhe heroinë. Eduart Plaku, me banim në Luton u dënua me 6 vjet për posedim të lëndëve të ndaluara. Ndërsa vëllai i tij, Antonio Plaku, u shpall fajtor për shpërndarje droge dhe u dënua me 11 vjet burg. Albert Cena u dënua me katër vjet burg ndërsa Fajton Shehu u dënua me vetëm 21 muaj burg. Ndërsa disa muaj më parë, Leonard Hasanaj është dënuar me 3 vjet burg pasi u kap me kokainë. Më katër qershor të vitit të kaluar, policia britanike gjeti në një automjet 124 mijë paund, të cilat drejtuesi, një anglez, nuk mundi ta justifikonte burimin. Hetimet treguan se paratë ishin para droge të shqiptarëve në fjalë. Gjithashtu, më 30 korrik të vitit 2014, policia britanike gjeti në një taksi 40 mijë paund. Taksisti tha se paratë ishin të pasagjerit që ai po shoqëronte. Ky i fundit ishte Antonio Plaku, i cili sapo pa policinë arriti të largohej me shpejtësi duke lënë paratë në taksi. Më 2 gusht të vitit 2014, policia ndaloi Leonard Hasanaj në hyrje të Lutonit. Atij iu gjetën 2 kg kokainë. Në bazë të hetimeve, Hasanaj, i cili banonte në Londër, furnizonte Antonio Plakun në Luton me kokainë. Ky i fundit më pas e shiste drogën.

 

Krimi kibernetik, takim mes kreut të policisë dhe kryeprokurorit

 Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako priti gjatë ditës së djeshme në një takim Prokurorin e Përgjithshëm, Adriaktik Llalla. Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve me qëllim rritjen e aftësisë investiguese ndaj grupeve kriminale, të krimit të organizuar, e në veçanti të korrupsionit, ishte edhe çështja kryesore që u diskutua gjatë këtij takimi. Jashtë vëmendjes nuk mbeti as krimi kibernetik, për të cilin Cako dhe Llalla biseduan për hapa të përbashkët që duhet të ndiqen për të luftuar këtë krim të ri në Shqipëri. Një theks i veçantë gjatë takimit u vendos për koordinimin më të mirë të veprimeve Polici-Prokurori, për hetimet ndërkombëtare ku grupet kriminale të krimit të organizuar përdorin si origjinë, transit apo destinacion vendin tonë.

 

Mbytet në liqenin artificial një e re, trupi gjendet pas 5 orësh

 Një 25-vjeçare është mbytur në liqenin Artificial të Tiranës, ndërsa ngjarja është regjistruar rreth orës 15:00 të ditës së djeshme pranë digës qendrore. Sipas uniformave blu, kanë qenë kalimtarë të rastit ato të cilët kanë njoftuar sallën operative, për një rast mbytjeje në liqen por nuk kanë dhënë më shumë hollësi për identitetit e vajzës së re. Trupi i 25-vjeçares është nxjerrë pas 5 orësh kërkime nga forcat polumbare të RENEA-s. Nga ana tjetër, policia nuk ka bërë ende të ditur identitetit e viktimës pasi nuk kishte asnjë mjet identifikimi me vete.

 

Pastronin një depozitë nafte, dy punëtorë bien në të

 Dy punëtorë kanë rënë në një depozitë naftë, duke rrezikuar edhe jetën seriozisht. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të pasdites në zonën e “Unazës së Re”, teksa punëtorët ishin duke e pastruar depozitën. Sipas policisë dy prej personave janë nxjerrë nga depozita, por ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në Spitalin Ushtarak. Dy punëtorët janë identifikuar si F. Abedini 20 vjeç dhe M. Seriani 45 vjeç. Nuk dihen ende rrethanat sesi dy punëtorët janë rrëzuar në depozitë. Ka qenë dhënia e shpejtë e ndihmës që ka shpëtuar nga vdekja dy punonjësit.

 

Share it :