Dorëheqja/ Blater trondit botën e futbollit, jep dorëheqjen

 

sep Blater5 herë Presidenti i FIFA-s ka dhënë në mënyrë surprizuese dorëheqjen si Presidenti i FIFA-s, edhe pse kishte 5 ditë që sapo ishte rizgjedhur

Një minë me sahat që ishte paralajmëruar, dje shpërtheu. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, pas disa ditësh nën trysni mediatike, por edhe nga opinioni futbollistik ka dhënë dje njoftimin se dorëhiqet nga posti i drejtues i qeverisë futbollit. 79-vjeçari lajmëroi dorëheqjen në një mbledhje të jashtëzakonshme. “Për mua FIFA ka rëndësi më shumë se gjithçka tjetër, prandaj vendosa të rikandidohesha, zgjedhjet përfunduan, por sfidat që kemi përpara jo. Mandati im duket se nuk u pranua nga të gjithë, ky institucion ka nevojë për një revolucion dhe për këtë thirra një mbledhje të jashtëzakonshme dhe për t’u bërë të ditur vendimin, në mënyrë që të përzgjidhet në një kohë të shkurtër pasardhësi im”, – deklaroi tashmë ish-kreu i qeverisë botërore të futbollit, duke kërkuar një mbledhje të menjëhershme të kongresit për të caktuar sa më shpejtë të jetë e mundur presidentin e ri, por në fakt sipas rregullave, Blaterit do t’i duhet të mbulojë detyrën e Presidentit të paktën deri në muajin dhjetor, pasi vetëm atëherë mund të përcaktohet emri i ri atij që do të trashëgojë qeverinë botërore të futbollit. Të enjten e shkuar, FIFA u pushtua nga skandali, pasi 7 funksionarë të lartë të këtij institucioni u vendosën nën arrest me akuzën e korrupsionit, mashtrimit dhe pastrimit të parave, ku edhe vetë Blater vazhdon të jetë nën hetim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Ndërkohë që më parë ky institucion është përfshirë nga afera korruptive në lidhje me përzgjedhjen e Katarit si vend organizator i Botërorit të vitit 2018. Ndërkaq, dje u hodh dritë nga FBI edhe mbi fakte të tjera interesante që e fundosnin më shumë figurën e “ish-bosit” të FIFA-s. Ish-shefi i financës dhe ish-krahu i djathtë i Sep Blaterit, Hulio Grondona, është njeriu në qendër të skandalit, për shkak të autorizimit të një pagese prej 10 milionë dollarësh. Grondona, i cili ndërroi jetë vitin e shkuar në moshën 82-vjeçare ka qenë anëtar ekzekutiv i FIFA-s për 26 vjet, të cilin Blater e konsideroi një mik të madh pas vdekjes. Në krahun tjetër, Departamenti Amerikan i Drejtësisë jep një variant tjetër, duke e vënë theksin te një skandal korrupsioni në vitin 2008 me dy ish-anëtarët, Xhek Uorner e Çak Blezer, të cilët kanë bërë një transferim prej 10 milionë dollarësh nga një bankë zvicerane në një bankë amerikane. “New York Times” raporton se autoritetet federale besojnë se sekretari i Përgjithshëm, Zherom Valke, ishte njeriu që urdhëroi transferimin e shumës, por nga FIFA këmbëngulin se ishte pikërisht Grondona njeriu në mes të kësaj çështjeje. Sipas amerikanëve, Uorner dhe Blezer lobuan që Botërori 2010 t’i caktohej Afrikës së Jugut, për shkak të influencës që kishin mbi Konfederatën Afrikane dhe asaj të Amerikës së Veriut. Një tjetër emër në shënjestër është edhe ish-shefi i Federatës Braziliane, Rikardo Teikseira, i cili akuzohet për pastrim parash me vlerë 120 milionë euro. Ndaj tij ka nisur hetimet edhe prokuroria braziliane dhe pritet që shumë shpejt çështja të shkojë në gjykatë. Tashmë pritet që pas kësaj dorëheqje të bujshme të vijnë edhe zgjedhjet e reja ku në ditët në vijim do të vijnë kandidatët. Luis Figo, Mishel Platini apo edhe princi Ali mund të jenë disa nga kandidatët e mundshëm që pritet të vihen në garë për kreun e qeverisë së futbollit botëror.

 

 

Maloku i thotë jo Kroacisë, zgjedh Shqipërinë

Futbollisti i Hajdukut të Splitit, Elvir Maloku, ka refuzuar të rinjtë e Kroacisë dhe është gati për të përfaqësuar Shqipërinë U-21, pasi ka pranuar me kënaqësi ftesën nga Gega. 19-vjeçari, i cili ka lindur në Rijekë të Kroacisë, është ftuar për ndeshjet e Shqipërisë ndaj Kazakistanit dhe Suedisë. Edhe pse i ka kaluar grupmoshat me Kroacinë, Maloku i ka thënë “po” ftesës së Shqipërisë, ndonëse ka mundur të vazhdojë me kroatët. “Kam vendosur ta pranoj ftesën e Federatës Shqiptare të Futbollit, prandaj në të ardhmen do të luaj për Shqipërinë. Sa i përket ftesës konkrete për dy ndeshjet e ardhshme dua që çdo gjë të bëhet në marrëveshje me klubin. Do të bisedoj me trajnerin e ri, Buriç, sepse nuk dua të mungoj në fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri. Që nga dita e parë dëshiroj t’i imponohem trajnerit për ndeshjet në Evropë që na presin”, – ka thënë Maloku për faqen zyrtare të Hajdukut.

 

Pogba: Ëndërr të luaj me Mesin

Talenti i bardhezinjve, Pol Pogba, pranon se është ëndërr e tij që të luajë në një skuadër me superyllin e futbollit botëror, Lionel Mesi. Barcelona dhe Reali i Madridit janë dy nga shumë klubet që kërkojnë nënshkrimin e francezit, ndërsa ai ka pranuar se i admiron katalanasit e në veçanti “numrin 10” të tyre. “Të luaja krahas Mesit do të ishte një realizim ëndrre. Ai është lojtari më i mirë në botë. Më pëlqen kur e shoh Barcelonën duke luajtur, por do të më pëlqente që ta shoh duke humbur. Ne e dimë se nuk jemi favoritë, por është një finale. Do të japim maksimumin. Nuk kemi asgjë për të humbur dhe kurrë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë”, – ka thënë gjeli për “AS”.

 

Cikalleshi nën vëzhgim nga Benfika, Gashi objektiv i Seviljes

Lajme të mira në merkato edhe për legjionarët tanë. Sokol Cikalleshi mund të transferohet në Portugali te Benfika gjatë merkatos së verës. Paraqitjet e tij në këtë sezon me RNK Split kanë tërhequr vëmendjen e skuadrave të ndryshme evropiane, madje edhe të klubit më të titulluar portugez. Sipas mediave luzitane, që u referohen raportimeve nga Kroacia, fundjavën e kaluar sulmuesi i kombëtares shqiptare është vëzhguar nga afër nga agjentët e Benfikës. Në drejtim të RNK Split ende nuk ka mbërritur një ofertë konkrete, por pritet të vijë në javët në vijim. 24-vjeçari ka deklaruar më parë se kampionatin kroat e sheh si trampolinë drejt futbollit elitar evropian, ndërkohë që nuk kanë munguar zërat për interesimin e disa skuadrave të Serisë A, apo të Shtutgartit në Bundesligë. Sokol Cikalleshi ka zhvilluar në total 39 ndeshje me RNK Splitin mes kampionatit dhe Kupës, duke shënuar 13 gola. Kartoni i tij aktualisht vlerësohet rreth 2.5 milionë euro. Më mirë duket se po shkon edhe aventura e sulmuesit të Bazelit Shkëlzen Gashi. Sevilja fituesja e kompeticionit Europa League, dëshiron të ketë shërbimet e mëngjarashit kuqezi. Lista e klubeve që duan autorin e 22 golave në kampionatin zviceran është e frikshme, pasi Totenhemi në Premier League-ën angleze, Lacio nga Seria A, Shalke 04 nga Bundesliga, Zeniti dhe Beshiktashi janë vënë në radhë. Gashi po kalon një formë te jashtëzakonshme dhe vlera e kartonit të tij është rritur ndjeshëm.

Share it :