Frederik Rreshpja
Dy poetë të një brezi, ata të viteve `70, që krijuan poezi nën diktaturë, për të cilat Vilson Blloshmi u pushkatua dhe Frederik Rreshpja e çoi jetën burgjeve. Poezi qelibar, të krijuara në errësirën e epokës diktatoriale, mu në kulmin e asfiksisë së ndjesive shpirtërore këta dy poetë krijojnë. Nga Rreshpja botojmë disa poezi të përgatitura nga Shpëtim Kelmendi nga libri “Rapsodi shqiptare”, botim i vitit 1968. Ndërsa nga Blloshmi janë poezi të mbledhura për herë të parë në një libër nga Sadik Bejko
Lirikë
Po ik nga bregdeti.
Ndër mend i kam ende
Portokallet që më ngjajnë me yjet e verës.
Tani,
lamtumirë!
Nën këto mijra drita të vogla që i lëkund era në muzg
Mbledh motivet ajrore të rivierës.
Ujna të qeta,
të dashtuna mu si kangë himarjote,
U dëgjoj që dallgëzonin brenda meje si ujvarë.
Po niset autobusi.
Portokalle, digjuni mbi mue!
Gjithë peizazhi rrotull rend në dritare…
Alpet
Lugina të kaltërta,
ku mbijnë agimet.
Përrenj që zbresin si kope të bardha,
Shkrepa pleq,
të menduam,
të vrazhdë.
Dhe,
përmbi këta,
Buzëqeshja e kaltër e qiellit.
Më mori malli për detin!
Për fjalët e ngrohta të ojnikut (1),
Për hijet e dridhshme të anijeve
Që zgjaten deri te yjet
Dhe për netët peshkatare,
Kur çan valët tehu i mprehtë i hanës.
Më mori malli për dritat e dashtuna të Durrësit
Që i kundroja mbrëmjeve,
në breg të tij;
Më mori malli
Ndaj endem,
endem
Nën vargje të tilla që stërpikin kaltërsi.
Atëherë var këtë këngë
N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.
Atëherë var këtë këngë
N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.
Lirikë fshati
Lamtumirë!
U flas fushave, lumit, korijes.
Më duhet të dal nga ky peizazh i bukur.
Unë vetë jam tani një lëvizje ngjyrash
Prerë nga pëlhura e gjelbër e luadheve.
E di që era e kories do të thërrasë breglumit,
ku janë ulur shelgjet si ciganë…
Fshat i dashur!
Këtu edhe delet më njohin,
se unë kam pirë me barinjtë në çdo stan.
Dhe kooperativistët pleq dalin gardheve:
-Fred, eja në kopshtin me mollë!
Zjarret e vogla të çibukëve, si flutura alle,
Lëvizin dhe mblidhen nëpër kopshte.
Udha e liqenit
Unë kam kaq nevojë për ty,
Më shumë se ky liqen për përrenjtë.
Se dora ime nuk rastësisht mbi supin tënd
Si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve.
Dhe në qoftë se ndonjëherë ikën
(mos e thuaj!),
Ashtu si ikin dhe ndërrojnë drejtim përrenjtë
(ah, mos e thuaj!),
Diku në brigjet e shpirtit tim do kumbojë
Kënga e lashtë popullore e liqeneve të tharë,
Duke imagjinuar ardhjen tënde,
si ndër legjenda,
në formën e shiut
ose formën e vesës,
mbi rërën e orëve,
bile mbi vite të tëra;
se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd,
si bien duart e shelgjeve mbi supet e valëve!
Rri sonte te unë
Hëna mbi lumë vizaton
Një urë për ëndërrat e yjve;
Reja gri, si mall i harruar
…Vë kryet mbi duart e pyjeve.
Ti erdhe nëpër udhën e hënës,
Çeli gonxhe edhe pragu i portës.
Rri sonte te unë
Sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur!
Rapsodia e vjetër e lahutës
Kam përcjellë drejt varreve trimat,
kur gjamatarët (1) rrihnin gjoksin duke vallëzuar,
nëpër gryka çirreshin lekët (2):
ho, ho!
Zëri im prej lotësh,
zëri im prej gjaku
superënë mbi drurin e trishtuar…
Zëri im i uritur,
zëri im i tmerruar,
duke larguar shpirtrat nga fëmijët,
duke thirrur retë dhe shiun,
duke u mbrojtur nga legjendat,
nga mikprerja,
zëri im pagan…
Udha e liqenit
Unë kam kaq nevojë për ty,
Më shumë se ky liqen për përrenjtë.
Se dora ime nuk rastësisht mbi supin tënd
Si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve.
Dhe në qoftë se ndonjëherë ikën
(mos e thuaj!),
Ashtu si ikin dhe ndërrojnë drejtim përrenjtë
(ah, mos e thuaj!),
Diku në brigjet e shpirtit tim do kumbojë
Kënga e lashtë popullore e liqeneve të tharë,
Duke imagjinuar ardhjen tënde,
si ndër legjenda,
në formën e shiut
ose formën e vesës,
mbi rërën e orëve,
bile mbi vite të tëra;
se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd,
si bien duart e shelgjeve mbi supet e valëve!
***
Brenga, shpresa, vegimet
Vilson Blloshmi
I tremburi ikën si i ndjekur prej egërsisë
N’jerm bën tunele n’ajër t’hapësirës
Si mbas formës së tij, lëvizjes së tij.
Ah sikur mbas çdo hapi
Ajri të ngrinte-beton,
Duke ruajtur gjithmonë lëvizjen
Kallëp-shabllon
E të tregojë ta gdhendë Sa kohë iku zvarrë
E sa në këmbë.
Sikur të mbeteshin e shiheshin
Rrugët nga vjen kujtimi, mendimi
Brenga, shpresa, vegimet
Të dukej krejt i jetës zigzagu i gjatë
Që nga ardhja në këtë botë e gjer
Tek varri, pikës e llahtartë.
***
A s’e patët ditën plot me diell
Qe bën natë koha dhe e nxin…!
I jep hënë e yje, lart në qiell
E, së fundmi, fare e përpin…!?
A se shkuat shpejt ju fëmininë?
Kjo s’u fsheh për ju e s’humbi fare?
A s’po mbani mbi sup pleqërinë,
E në mendje thellë vitet mitare?
A s’e mbani mend atherë te plepi
Loznit në oborr me hijen tuaj?
Po tani më larg nga ju është djepi
Apo arkivoli, pa më thuaj?
Gjithçka e marrin vitet duke shkuar,
Sërish kthen gjithçka që shkon, humbet
Troket lehtë kujtimi i trishtuar
Mysafiri në shtëpi të vet.
***
Sërish dukesh në udhë
Që ngjan si vijë gjaku
Mes gëlbazës së murrme
Të pështyrë
Nga turbekulë.
I lodhur,
Vetveten mbi kurriz
Shket
Dhe mendja lodhur
Klith: po shkoj,
Mbeç me shëndet…!
Dhe rend barkbosh
Në zorrën bosh të rrugës
Si një shtrëngatë
E qetë.
Dhe gurët kthejnë nga ti
Anën e mprehtë
Dhe njerëzit, ata
Stërnjerëzit,
Ajkë mbi jetët-hirrë
E kanë vështirë
Mëngjesit.
Edhe mbrëmjes
Vështirë,
Kur mbi ju ngecin vështrimin
Mbi ju rreckë-njerëzore,
Masë zhelesh mishi e shpirti
E qepur me fije damarësh
Mendimesh
E hedhur, pa mëshirë
E pa të drejtë
Në anë të rrugës së ndotur
Ku të qetë
Ata rrjedhin gjithë nder e dinjitet
Këllirë.
Dëshirat
Që i ndez thëngjilli i zemrës,
Mbuluar thellë
Me hirin e trupit…
Dhe brodhe prapë rrugëve
Me bujë e pohe
Kërkoje ti vetveten
Që më në fund e gjete
E s’e njohe
Ngaqë pandehje
Është shumë vështirë ta gjesh.
Kur të doli rastësisht
The: s’është kjo
Dhe kalove
Dhe u zhy te mes territ
Të zi pa fund.
Kërkon – një dorë e kurm
Dhe një këmbë
Dhe mbete cung.
Po prap sulesh përpara
Me tallas
Me me gjysmën e thatë
Dhe gjysmën e njomë
E at’ që kërkon e arrin
E lë pas
Dhe zvarrë hiqesh përpara
Kërkon…
Vazhdë lënë mbi pluhur
E gjak
Gjymtyrët gjysmë të thara
Gërvishtin trak – trak
Dhe gjer thellë të ngushen
Ato kër – kër – kër – krak.
… kërkon
Mbi këtë tokë shkëmb
Mbi këtë tokë gur
Mbi këtë tokë kockë
E lëkurë.
E as e di ç’të dhemb
Veç sulesh para, shkon
Me zemrën e rëndë plumb
Dhe sa më shumë kërkon,
Ç’kërkon,
Më tepër
E humb.
***
… dhe vetëm me rrobat e mia
E me vetminë time
Nën barin e flokëve të mi të thinjur
Nën pleqërinë time
E dashurinë për mëshirë…
Me hijen e mirësisë tënde
Varur në gozhdën e kujtesës së venitur,
E të lodhur nga terri që
Nxjerr prapë gjithë sa hedh
Kujtimi thellë në të…




