– Sipas aktorëve të tregut, mbështetja e madhe që reklamohet nga qeveria për këtë sektor është vetëm propagandë, pasi janë rritur shumë kosto, që nuk po përballohen dot dhe kjo po nxit informalitetin, ndonëse sipërmarrja nuk e do këtë…
Ndonëse kërkesa është shtuar nga partnerët italianë, të cilët po largohen nga Rumania dhe kanë si preferencë Shqipërinë, eksportet e tekstile e këpucëve, që punojnë kryesisht me material porositësi, kanë shënuar një performancë negative në katër muajt e parë të vitit. Sipas statistikave të INSTAT, eksportet e tekstileve e këpucëve u tkurrën me 2% në 28.3 miliardë lekë për 4 mujorin, rënia e parë që nga 2012-a. Vitin e kaluar, kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-ën. Vetëm në prill, kjo industri ra me 12%.
Flamur Hoxha, drejtues i Kler, një nga kompanitë më të mëdha në vend në prodhimin e këmishëve, thotë se arsyeja kryesore është rritja e kostos së punës, ndërsa kërkesa nuk mungon. Ai vlerëson se me çmimin e rritur të energjisë (nga 9 lekë në 14 lekë për kilovat ore), rritjen e tatim fitimit dhe dividendit nga 10 në 15%, kosto e punës për njësi është rritur me 15-20%, duke e bërë industrinë më pak konkurruese.
Sipas aktorëve të tregut, mbështetja e madhe që reklamohet nga qeveria për këtë sektor është vetëm propagandë, pasi janë rritur shumë kosto, që nuk po përballohen dot dhe kjo po nxit informalitetin, ndonëse sipërmarrja nuk e do këtë.
Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Dhoma Amerikane, e cila në kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave për paketën fiskale 2016 ka pohuar se “u mendua për fasonistët se do të kishte lehtësira fiskale, por kjo nuk ndodhi, përkundrazi ndodhën ndryshime që e rënduan gjendjen e tyre. Rritja e çmimit të energjisë ka shkaktuar problematika për këtë sektor dhe ne propozojmë që TVSH-ja për energjinë të ulet nga 20 në 6 për qind. Ndërkaq, jo vetëm sektori i fasonit, por shumë industri janë duke e ndjerë rritjen e çmimit të karburantit. Ne propozojmë një reduktim të normës së taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit për karburantin”.
Hoxha thotë se në periudhën 2008-2014, industria nuk ishte keq, ndërsa tani po kalon në kufijtë e mbijetesës. “Kërkesa ka nga kompanitë që punonin më parë me Rumaninë, të cilët e pëlqejnë Shqipërinë, por këtu të gjithë bëjnë konkurrencë me njëri-tjetrin, mundohen të japin çmime sa më të ulëta dhe kjo i fut në kurth”.
Lehtësitë fiskale që Italia po ofron për sipërmarrësit e rinj janë një tjetër faktor që po i mbajnë larg sipërmarrjet italiane, që po preferojnë të hapin kompani në vendin e tyre.
Ndryshe nga vendet e rajonit, që kanë rendiment më të lartë, teknologji të avancuar dhe cikël të mbyllur prodhimi, industria shqiptare, sidomos ajo e tekstileve vijon të mos e mbyllë ciklin dhe të ketë avantazh kryesor krahun e lirë të punë, çka e bën më të brishtë ndaj lëvizjeve fiskale. Mosmbyllja e ciklit e ka lënë ndërkohë industrinë të varur nga Italia, që është e vetmja që delegon vetëm disa procese te partnerët shqiptarë, kryesisht prerje dhe qepje. Sipërmarrjet e tjera të Evropës kërkojnë që partnerët shqiptarë të realizojnë të gjitha proceset, ata vetëm dërgojnë modelin dhe më pas presin produktin e gatshëm.
Një tjetër problem, sipas Hoxhës, është dhe kualifikimi i punonjësve, që mbetet i ulët.
Punësimi në të zezë
Vlerësimet e Bankës Botërore të referuara në marrëveshjen e re me Shqipërinë 2015-2019, sugjerojnë se, afro gjysma e punësimit të përgjithshëm jashtë bujqësisë korrespondon me punësim informal dhe afro tre e katërta e punës në ndërtim është punë informale.
Banka vlerëson se informaliteti prek rritjen e bizneseve formale, ul të ardhurat nga tatimet dhe prish stimujt e tregut të punës. Siç ka konstatuar Banka Botërore segmentet vulnerabël të popullsisë janë të angazhuar gjerësisht në sektorin informal, gjë e cila i pengon ata që të përfitojnë nga mundësitë ekonomike.
Banka Botërore referon se, ngadalësimi i shpejtë në ekonomi pas 2008-ës shkaktoi rënien e kërkesës për punë. Punësimi u ul në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke çuar në reduktimin e të ardhurave të familjeve dhe në rritje të varfërisë. Rritja e varfërisë nga 10,2 për qind në 13,6 për qind në zonat urbane në periudhën 2008-12 u shkaktua kryesisht nga tronditja e tregut të punës.
Deri në vitin 2008 ulja e varfërisë lidhej kryesisht me pagat dhe pensionet, me kontributin kryesor të remitancave. Në periudhën nga 2009-ta deri në 2013-ën, përqindjet e punësimit dhe të pjesëmarrjes në punë u ulën përkatësisht në 44,5 për qind nga 52,7 për qind.
Punonjësit me aftësi të ulëta, të punësuar më parë në sektorët jo tregtar, u prekën veçanërisht nga dobësimi i kërkesës për punë. Sektorët me punë intensive ishin ata që u prekën më shumë. Për shembull, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2013, rezultatet dhe punësimi në sektorin e ndërtimit u ulën me një mesatare vjetore prej përkatësisht 3.5 dhe 4.4 për qind.
Megjithatë, produkti për punonjës u rrit pas vitit 2008 (megjithëse me ritëm mjaft më të ulët sesa përpara krizës), kryesisht falë rritjes së shpenzimeve kapitale nën një qasje të lëshuar fiskale.
Pas 2008-ës, papunësia dhe inaktiviteti ekonomik janë shoqëruar po ashtu me statusin e ulët social-ekonomik. Nivelet e inaktivitetit jo vetëm që u rritën pas 2008-ës, por nivelet e varfërisë ishin ndjeshëm më të larta ndërmjet personave jo aktivë. Nivelet e inaktivitetit u rritën me më shumë se dyfish nga 15 për qind e popullsisë në vitin 2008 deri në 38 për qind në vitin 2013. Ulja ishte më e madhe ishte ndërmjet femrave të reja (15-34 vjeç), që shënuan një ulje prej rreth 7 për qind në pjesëmarrjen në tregun e punës në periudhën 2007-2010.
Individët që jetojnë në familje në të cilat kryefamiljarët janë aktivë (të punësuar ose të vetëpunësuar), ose në pension, kanë më pak të ngjarë të jenë të varfër sesa individët që jetojnë në familje në të cilat kryefamiljarët janë të papunë ose inaktivë. Ndërmjet familjeve në fundin e 40 përqindëshit, për shembull, 20 për qind e anëtarëve në moshë pune ishin të papunë, 24 për qind jashtë krahut të punës, krahasuar me përkatësisht 13 për qind dhe 15 për qind të 60 përqindëshit të sipërm të të ardhurave (60%-shi i sipërm).
Në vitin 2012, shpeshtësia e varfërisë ishte 11 për qind ndërmjet familjeve me kryefamiljarë të punësuar, 22 për qind ndërmjet 4 familjeve me kryefamiljarë të papunë dhe 24 për qind ndërmjet familjeve me kryefamiljarë joaktivë. Pra, profili i personave në gjendje më pak të mirë flet për një përqindje më të lartë të kryefamiljarëve të papunë ose inaktivë ndërmjet 20 dhe 40 përqindëshit të fundit të popullsisë.
(marrë nga “Monitor”)
Mozrealizimi tek Tatimet, merren 500 punonjës të rinj part-time
Me një vendim të ditëve të fundit qeveria ka vendosur të punësojë 500 punonjës të rinj tatimore me kohë të pjesshme.
Ata do të qëndrojnë të punësuar vetëm për tre muaj “part time” me vetëm katër orë në ditë. Kontrata që qeveria ka lidhur më tatimorët rinj është për periudhën qershor-gusht, masë kjo që më shumë se, në shërbim te rritjes se të ardhurave, ngjan me një koncesion për efekt të fushatës elektorale.
Sipas Tatimeve, punonjësit e rinj janë marrë në punë për inventarizuar gjendjen e bizneseve të vogla kryesisht në Tiranë.
Me një formular të posaçëm ata do të shpërndahen nëpër bizneset e kryeqytetit dhe do të regjistrojnë numrin e punonjësve, NIPT-in, madhësinë e aktivitetit, nisu nga sipërfaqja etj.
Të njëjtët burime shpjegojnë se, ky ekzaminim po bëhet në kuadër të luftës ndaj informalitetit të ndërmarrë kohët e fundit nga qeveria.
Qeveria sqaron se, ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” dhe të nenit 11, të ligjit nr. 160, datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Financave. Kështu qeveria ka vendosur që numri i punonjësve me kontratë të përkohshme të bëhet 2041 veta.
Projekte ambicioze të Ballkanit Perëndimor në infrastrukturë
6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të paraqiten në samitin e Vjenës që mbahet në Gushtin e këtij viti me një listë projektesh dhe me një kërkesë konkrete për financimin e tyre nga Bashkimi Evropian. Para këtij samiti, zyrtarë të 6 vendeve kanë zhvilluar takime të herëpashershme për të koordinuar projektet infrastrukturore që parashikohet të mbyllen deri në vitin 2030. Në listën e projekteve janë autostrada Nish – Prishtinë – Durrës, hekurudha që lidh Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko-Joniane që bashkon Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Greqinë.
Por përtej këtyre projekteve të konfirmuara zyrtarisht, janë edhe një serë projektesh të tjera për të cilat vende të veçanta kanë shprehur interes. Kështu, projekti i gazsjellësit TAP është një projekt që me degëzimin e tij nga Shqipëria drejt vendeve të Ballkanit, mund të paraqitet interesant e mund të kërkohet edhe mbështetje. Po ashtu, janë edhe një serë korridoresh për të cilat i gjithë rajoni ka interes që të përfundohen. Nga 10 korridoret e transportit në Evropë, 6 prej tyre prekin vendet e Ballkanit, e si rrjedhojë për përfundimin e tyre mund të kërkohet mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përveç këtyre projekteve, janë edhe një serë aksesh të rëndësishme rrugore që lidhin vendet e Ballkanit mes tyre, për të cilat gjithashtu mund të kërkohet mbështetje financiare.
Në forumin ekonomik të Vjenës, 6 kryeministrat e Ballkanit shprehën publikisht kërkesën drejtuar Bashkimit Evropian për financime. Edhe në rast se Bashkimi Evropian nuk jep mbështetjen e kërkuar, një propozim i bërë nga Serbia është që këto projekte të nisin me financime të vetë vendeve të Ballkanit. Fjala është për projekte si autostrada Nish – Prishtinë – Durrës, hekurudha që lidh Beogradin me Budapestin, autostrada AdriatikoJoniane, korridoret dhe akset rrugore.
Tirana, përdoruesi më i madh i energjisë elektrike për ngrohje
Përdorimi i energjisë elektrike si mjet kryesor ngrohje vendos në krye të listët kryeqytetasit për përdorimin e saj me 32.58%.
Më pas në renditje vjen Vlora me 22.29% dhe Gjirokastra me 20.33%. Rrethet që karakterizohen nga klima më e ftohtë si Korça, Dibra e Kukësi duket se zgjidhjen e kanë gjetur tek ngrohja me dru. Korça renditet e para për sa i përket përdorimit të ngrohjes me dru me 96.35% e ndjekur nga Dibra me 95.46% dhe më pas Kukësi me 93.57%. Këto të tre rrethe karakterizohen edhe nga fakti i përdorimit më të pakët të energjisë elektrike, respektivisht, Dibra me 0.79%, Korça me 0.99% dhe Kukësi me 4.07%.
Një përdorim të ngrohjes me dru por më të vogël në përqindje e ka Tirana me 30.89% dhe Vlora me 35.96%. Duke ju referuar të dhënave të përpunuara nga Instat për përdorimin e energjisë apo të drurit se mjete kryesore për ngrohje arrijmë edhe në rezultatin se cilat janë rrethet që abuzojnë më shumë me përdorimin e energjisë elektrike, ku listën e kryeson Tirana.
Një tjetër risi për shqiptarët si mjet ngrohje është edhe gazi i cili vitet e fundit ka filluar të përdoret në disa rrethe të vendit siç është Durrësi me 36.34 %, Tirana me 28.98%, Vlora me 25.02%, Fieri me 23.44%. Ndërsa rrethet që duket se kanë përdorimin më të pakët të gazit si mjet ngrohje janë Kukësi me 1.28%, Korça me 1.68 dhe Dibra me 3.11%. Rrethe këto më të ftohta që duket se do të vazhdojnë për shumë kohë të jenë besnikë të ngrohjes me dru.
Gazifikimi i Shqipërisë mes projektit të TAP pritet që të rrisë edhe përdorimin e gazit në zonat ku do të kalojë që përfshin 38 Komuna dhe tre bashki. Kështu shtrirja e tij do të bëjë të mundur që shumë qytetarë të përfitojnë nga ngrohja me gaz kjo pasi të paisen edhe banesat e tyre me sistemin përkatës për të realizuar këtë ngrohje.
Ambasada e SHBA-së dhuron dy automjete patrullimi për Doganat
Dje në Terminalin Doganor të Tiranës, zv.ambasadori i SHBA Henry V. Jardine mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të dy automjeteve të specializuara për njësinë e Antikontrabandës dhe pajisje kontrolli, donacion i realizuar nëpërmjet Programit EXBS (Programi për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë Kufitare). Ai
shprehu kënaqësinë e veçantë që merr pjesë në këtë Program për të ndihmuar Doganat Shqiptare me 4 makina të specializuara dhe mjete e pajisje kontrolli. “Për ne është shumë e rëndësishme që mund të bashkëpunojmë me ju, sepse puna tuaj është shumë e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të SHBA. Ne shpresojmë që zyrtarët tuaj të punojnë me këto makina me cilësi më të lartë”, – tha Jardine.
FMN: Dalja e Greqisë nga Eurozona, mundësi reale
Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se Greqia mund të dalë nga Eurozona, teksa po përpiqet t’ia dalë me borxhet e shtetit, paralajmërim ky që i shtohet edhe vështirësisë së rikuperimit të ekonomisë globale. Shefat e financave të ekonomive më të mëdha botërore u takuan në Gjermani, në kuadër të zgjidhjes së krizës greke, rritjes së çmimit të naftës, si dhe paqëndrueshmërisë së tregjeve financiare.
Kreu i financave Japoneze u shpreh i shqetësuar se rënia e vlerës së jenit, në nivelin aktualisht më të ulët ndër 12 vjet krahasuar me dollarin amerikan, na bën të reflektojmë për kontrastin e shumë prej pamjeve të ekonomive më të mëdha botërore.
Greqia nuk ishte në mënyrë zyrtare pjesë e axhendës së G-7, por ishte pjesë e diskutimeve.
Politikëbërësit duhet të dëgjojnë ekonomistët, referuar diskutimeve gjatë takimit, e mënyrat e tyre të sugjeruara për të “shpëtuar” më në fund nga kriza globale financiare, në të cilën bota ka ngecur prej 8 vite tashmë.
Në fakt, me një pagesë të madhe që duhet të vijë së shpejti, veçse javën e ardhshme, kriza Greke ishte “Prioriteti nr. 1” në mendjen e politikë-bërësve. Legarde nga FMN, e njohur tashmë si një aktore kyç e bisedimeve mes BE-së, paralajmëroi se bisedimet mund edhe të dështonin, duke detyruar kështu Greqinë, të shkojë drejt një pamundësie pagese borxhi dhe një dalje “EXIT” nga euro-zona. Gazeta e përditshme gjermane “Allgemeine Zeitung” ka cituar dje znj. Legarde, e cila ka thënë se “Dalja e Greqisë nga euro-zona” është një mundësi”. Ajo shtoi se një hap i tillë s’do të ishte “një shëtitje në park” por s’do të ishte edhe fundi i euro-s.
Zyrtarët shtuan edhe se dështimi i Greqisë nuk do të dëmtojë tregjet financiare, siç mund të kishte ndodhur disa vite më parë, sepse pjesa më e madhe e borxhit po “mbahet” nga qeveritë e euro-zonës.
Por, një mundësi e tillë do të rriste numrin e pyetjeve, lidhur me riskun e shteteve të tjera që do të mund të braktisnin “monedhën e përbashkët”, n.q.s. ata do të ishin në telashe në të ardhmen.
Turistët kosovarë, malazezë e maqedonas, 62.5% të hyrjeve në Shqipëri
Shtetas të vendeve fqinjë si, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kryesojnë hyrjen në Shqipëri, në krahasim më të huajt e tjerë dhe rezulton se këto tre shtete në harkun kohor 2010-2014 zënë mesatarisht 62,5% të hyrjeve në pikat kufitare shqiptare.
Hyrjet nga Kosova zënë mesatarisht 48,6 % të hyrjeve të vendeve në Evropën Jugore, çka lidhet sa me faktin se zgjedhin të bëjnë pushimet në bregdetin shqiptar, por edhe sepse një numër i konsiderueshëm kosovarësh kanë blerë banesa në këto zona. Në vendin e dytë vjen Maqedonia me 13 % dhe Mali i Zi me 6 %.
Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në pikat kufitare në periudhën kohore 2005-2014 janë rritur mesatarisht 19,9 % në vit, ndërsa daljet e shqiptarëve janë rritur mesatarisht 6,9 %.
Gjatë harkut kohor 2010-2014 hyrjet e shtetasve të huaj nga vendet e Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve gjithsej, e llogaritur mesatarisht në 92,3 %, por Evropa Jugore zë përqindjen më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj me 84,3 % të hyrjeve gjithsej në Shqipëri.




