Korrupsioni në FIFA/ Platini: Blatter të japë dorëheqjen

PlatiniPresidenti i UEFA-s është shprehur se e gjithë kjo situatë e ka neveritur dhe se Sepp Blatter duhet të largohet nga posti i presidentit për të mirën e imazhit të tij

Nuk përdor diplomacinë Michel Platini për skandalin që ka përfshirë FIFA-n. Shefi i UEFA-s del drejt e në temë në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, duke kërkuar largimin e Sepp Blatter nga kreu i FIFA-s, madje ai shkon edhe më tej duke adresuar akuza të rënda ndaj selisë me qendër në Zyrih. “Jam i neveritur. Ajo që ndodhi në FIFA është e tepërt. Njerëzit nuk e duan më presidentin Blatter. Unë kam qenë i qartë dhe i drejtëpërdrejtë me të. E pashë në sy dhe i kërkova të jepte dorëheqjen, madje këtë gjë e bëra në një tjetër bisedë pak çaste më vonë. Ai m’u përgjigj se e kupton situatën por tashmë është shumë vonë. Unë i thashë se për të mirën e imazhit të tij do të ishte më mirë që të bënte një hap pas. E di cila është strategjia e tij. Të bindë anëtarët e kongresit për ta votuar duke u bazuar te demokracia e brendshme por për mendimin tim, në këtë rast humbasim të gjithë”. Duket i qartë dhe i prerë Platini për çështjen e të ardhmes së FIFA-s, madje ai leshon një mesazh edhe për të gjitha federatat që do të marrin pjesë në votim. “Unë nuk kam dashur asnjëherë të kandidoj sepse nuk kam dashur të luftoj asnjëherë kundër një miku si Sepp, por vitet e tij të arta kanë qenë në mandatet e para. U bëj apel të gjitha federatave të votojnë princin Ali Hussein. Europa do ta bëjë një gjë të tillë. Ka shumë interesa që tronditën botën e futbollit por FIFA nuk meriton të trajtohet në këtë mënyrë sepse është nëna e të gjithë futbollit”. Por pavarësisht kritikave në drejtim të Blatter, Platini e pranon se ka një kufi që nuk duhet kaluar në gjithë këtë situatë. Ky problem nuk duhet të prekë Kupën e Botës. Çfarë është vendosur më parë mbetet në fuqi dhe nuk duhet të ndryshojë. Vendet për 2018-ën dhe 2022-shin janë caktuar tashmë”. Por presidenti i FIFA-s nuk bën asnjë hap pas. Sepp Blatter do të vzhdojë rrugën e nisur pavarësisht presionit që vjen nga bota e sportit dhe faktori ndërkombëtar për shkak të skandalit më të madh që ka përfshirë institucionin më të madh të futbollit. Në fjalën e mbajtur në prag të zgjedhjeve presidenciale, Blatter u shfaq i qetë dhe pa asnjë grimcë presioni në fytyrën e tij. Ai e pranoi se FIFA po kalon një moment kritik, por premtoi të kthejë faqe dhe të punojë për të pastruar imazhin e institucionit që drejton prej 17 vjetësh. “Është një moment i vështirë dhe pa precedentë. Nuk mund ta njollosim reputacionin e futbollit. Këtu nuk ka vend për asnjë formë korrupsioni. Muajt e ardhshëm nuk do të jenë të lehtë për FIFA-n, lajme të tjera të këqija do të dëgjojmë por ne duhet të nisim punën për të rikthyer besimin te organizata jonë”. Kjo është replika e parë zyrtare që del nga goja e njeriut më të sulmuar në FIFA, por Blatter nuk ka ndërmend të ndryshojë drejtim duke kërkuar në njëfarë mënyre votën nga federatat botërore, të cilave Platini u kërkoi ta rishikojnë vendimin e tyre dhe të votojnë rivalin e Blatter, princin Ali. “Kemi humbur besimin por nuk duhet të humbasim shpirtin krijues të lojës së futbollit. Ne të gjithë bashkë duhet të luftojmë për të sjellë ndryshime pozitive në futboll sepse ne e duam futbollin”. Të Premten çelet zyrtarisht edicioni i 65-të i FIFA-s ku delegatët do të votojnë dy emrat në garë për mandatin 4-vjeçar të presidentit të FIFA-s. Përballë Blatter është princi Ali Hussein, i cilki kërkon t’i japë fund trashëgimisë 17-vjeçare të Blatter në krye të këtij institucioni.

 

Policia ndalon largimin e Blatterit nga Zvicra

UEFA ka kërkuar që të shtyhen zgjedhjet për kreun e ri të FIFA-s, kjo pas skandalit të fundit korruptim që preku shtëpinë e futbollit botëror. Nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Gianni Infantino, UEFA ka kërkuar që zgjedhjet për presidentin e FIFA-s, të programuara për t’u zhvilluar këtë të premte, të shtyhen në një kohë tjetër. Sipas UEFA-s, drejtuesit e federatave duhen të mblidhen, të diskutojnë dhe të gjejnë mënyra për të mbrojtur futbollin dhe jo për ta vrarë më shumë atë. Në fund të deklaratës, Infantino ka theksuar se anëtarët e komitetit ekzekutiv të UEFA-s besojnë se tashmë është shumë i nevojshëm ndryshimi i kreut të FIFA-s. Ndërkohë, presidenti aktual Sepp Blatter ka anuluar konferencën e shtypit që ishte programuar për të enjten. Sipas mediave evropiane, zvicerani 79-vjeçar nuk ka dashur të përballet me pyetjet e gazetarëve mbi arrestimet e zyrtarëve të FIFA-s të akuzuar për korrupsion. Skandali FIFA, presidenti Blatter ka marre një komunikim nga policia zvicerane qe pas pak ditësh do te merret ne pyetje në lidhje me dosjet e akuzës amerikane. Ndërkaq UEFA insiston me force te shtyhen zgjedhjet, teksa presidenti Blatter ka nisur një mbledhje urgjente për situatën me krerët e te gjitha konfederatave. Policia zvicerane i ka komunikuar presidentit te FIFA-s qe nuk duhet të lërë vendin deri në një urdhër të dytë.

 

Hetimi i FIFA-s shtyn vendimin e CAS për Serbi-Shqipëri

Tronditja e FIFA-s, arrestimet në masë, hetimi mbi 20-vjeçar kanë çuar detyrimisht edhe në shtyrjen e vendimit të Arbitrazhit të Lozanës në lidhje me ankimimet përkatëse të ndeshjes Serbi-Shqipëri. Tashmë pritshmëritë e shqiptarëve spostohen për më datë 12 qershor, vetëm 24 orë para ndeshjes Shqipëri-Francë. Ndërkaq, vijnë edhe reagimet më të para të autoriteteve të huaja për skandalin në FIFA: “Riciklim i parave, tangjente dhe korrupsion në trungun qendror të FIFA-s. Ky hetim ka zbuluar një sistem të gjerë të 20 viteve të fundit. Flasim për persona që kanë marrë miliona dollarë në forma korruptive për të organizuar turne futbolli në të gjithë botën”, – deklaroi kështu Prokuroria e Përgjithshme e SHBA Loreta Lynch në daljen publike nga selia e saj, në lidhje me tërmetin në FIFA dhe arrestimet e së mërkurës. Sipas saj, gjithçka ka nisur në vitin 1991 dhe të implikuar janë dy gjenerata drejtuesish. Ndërmjet personave të hetuar dy prej tyre e kanë pranuar aktin e kryer, por për momentin Blatter nuk është nën hetim. Prokurorja Lynch citoi se hetimi amerikan ka nxjerrë në dritë korrupsionin dhe riciklimin e parave dhe aktivitetin e krimit të organizuar ndër vite nga FIFA. Njëherësh ajo denoncoi edhe zv/presidentin e FIFA-s Varner, i cili sipas hetimeve ka marrë nga qeveria afrikano-jugore plot 10 milionë dollarë në portofolin e tij, për botërorin e atij viti. “Ky është vetëm fillimi, dhe aspak fundi – citon Prokuroria e Përgjithshme, së bashku me shefin e FBI, James Comey dhe me kreun e Agjencisë Fiskale në USA Ueber. Sipas tyre, të mërkurën FIFA-s iu dha karton i kuq në lidhje me mekanizmin korruptues financiar të gjithë këtyre viteve.

 

 

Rrahmani shpallet talenti i sezonit

Shoqata “Sporti na Bashkoi” zhvilloi për të shtatin vit rresht ceremoninë për dorëzimin e çmimit “Talenti i Sezonit” ku mbrojtësi i Partizanit, Amir Rrahmani u shpall fitues. Çmimi u dorëzua në praninë e dhjetëra të pranishmëve në ceremoni ku Rrahmani u shpreh i lumtur për mirënjohjen që i bënë gazetarët, specialistët dhe trajnerët e futbollit në vendin tonë. Në listën e kandidatëve bënin pjesë edhe disa talente të tjerë të futbollit shqiptar, mes të cilëve edhe Liridon Latifi e Lejdi Bregu të cilët u renditën në vendin e dytë. Në shkallën më të ulët të podiumit u renditën dy talentet e skuadrës së Apolonisë, Realdo Fili dhe Myrto Uzuni. Kampionët e Shqipërisë u përfaqësuan në këtë ceremoni nga trajneri Mirel Josa i cili u nderua me çmimin e Meritës, ndërsa portieri Orges Shehi u shpall lojtari më “Fair Play” i sezonit që sapo u mbyll.

Share it :