Zgjedhjet si betejë e lidershipit

Nga Nebil Çika

zgjedhjetHyrja në vitin e ri 2013 ka shenjuar de fakto edhe hyrjen në fushatën elektorale për zgjedhjet politike të qershorit. Të dy partitë kryesore në vend, por edhe të tjerat më të vogla, kanë shfaqur qartë prioritetet e tyre politike dhe mund të thuhet me siguri se gara elektorale ka filluar seriozisht. “Rilindja” e Ramës duket se do të jetë përballë “Ndryshimi jemi ne” të Berishës, ndërkohë që programet dhe platformat e tjera politike nuk mendohet të jenë pjesë dominuese e garës së ardhshme elektorale. Por, ndërsa flitet për programe e slogane politike dhe elektorale, duket se gara e vërtetë do të jetë midis dy lidershipeve të partive kryesore politike, PD e PS. Përcaktues në votime do të jenë Berisha e Rama, më saktë performancat e tyre politike, intelektuale e humane, gjë që nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri. Shumë pak shqiptarë kanë vullnetin të lexojnë programet, ndërkohë që edhe programet politike të partive të publikuara në fushata elektorale jo gjithnjë janë piketa politike të qeverisjeve pas zgjedhjeve, të paktën kështu ka ndodhur në këta 20 vjet të zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri. Pra, siç thashë më lart, beteja kryesore e këtyre zgjedhjeve pritet të jetë ajo mes liderëve Berisha e Rama, gjë që thekson shumë rolin e tyre, por edhe përgjegjësinë për rezultatet e tyre. Në përgjithësi kështu ka qenë në të gjitha zgjedhjet politike, por në kushtet e pothuaj pamundësisë për manipulim të rezultatit zgjedhor, njëherazi edhe pamundësi e humbësit për të justifikuar humbjen, ky aspekt i fushatës elektorale merr rëndësi specifike. Nuk dua të bëj paragjykuesin, por z. Berisha pritet të ketë përparësi të jashtëzakonshme në këtë garë personale me z. Rama, gjë për të cilën besoj se janë dakord edhe shumica e shqiptarëve. Berisha ka demonstruar në këto vite aktive në politikë këtë përparësi ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij politikë dhe kjo është arsyeja përse ai ka fituar sa herë në këtë vend rezultati zgjedhor është përcaktuar nga e drejta dhe e ndershmja. Berisha vjen në politikë si një nga mjekët më të suksesshëm shqiptarë të kohës së tij dhe intelektual i spikatur. Njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, lexues dhe njohës i mirë teorive politike, filozofisë, letërsisë etj., gjë që i ka garantuar atij një profil politik personal të pakonkurrueshëm, veçanërisht në radhët e politikës shqiptare. Karizmatik dhe populist, ai garanton një komunikim të jashtëzakonshëm me publikun, gjë që mund të identifikohet lehtësisht nga gjithkush. Vullneti i tij i jashtëzakonshëm si njeri dhe politikan përbën pa dyshim një nga përparësitë thelbësore, sidomos në garën me z. Rama. I vlerësuar si familjar, bashkëshort e prind i devotshëm, nuk është bërë asnjëherë objekt as i thashethemeve e për më tepër akuzave që mund të cenonin figurën morale të tij si qytetar… Në planin politik ai manifeston këmbëngulje, shpeshherë deri në kokëfortësi, dhe shumica e vendimeve si në parti ashtu edhe në qeverisje janë shprehje e vullnetit të tij personal. Askush nga bashkëpunëtorët (nëse mund të ketë ndonjë të tillë) apo vartësit nuk mundohet t’i mbushë mendjen apo të këmbëngulë për të kundërtën, përveç rasteve kur një gjë të tillë e kërkon vetë ai. Shpeshherë kjo stimulon servilizmin apo konformizmin e vartësve, por falë potencialit të mjaftueshëm politik e intelektual të tij, shumica e politikave dhe vendimeve i kanë qëlluar të suksesshme. Pa dyshim që forca e tij më e madhe është vendimmarrja. Personalisht nuk kam njohur njeri të kalojë me shpejtësinë dhe vendosmërinë e tij nga dilema në alternativë sesa Sali Berisha, që siç dihet tashmë, ka gjetur zgjidhje edhe në situata shumë të vështira politike, një tregues i fortë ky i karakterit, po problemi me i madh i tij janë përzgjedhjet e trupave politike e elektorale të forcës politike dhe administratës së tij. Shumicën e punëve i kryen vetë, duke i bërë shpeshherë të panevojshëm edhe ndihmësit e tij. Besoj se midis kritereve të përzgjedhjes së ndihmësve e bashkëpunëtorëve më shumë se aftësia dominon fakti që të mos i hapin probleme, gjë që ka çuar shpeshherë në përzgjedhje të gabuara. Respekton e mbron aleatët dhe bashkëpunëtorët edhe kur ata i kanë shkaktuar telashe, duke i kaluar shpeshherë caqet, gjë prej së cilës nuk heq dorë, edhe pse i kanë dhënë jo rrallëherë kosto politike e morale të pamerituar. Megjithatë, i krahasuar me kundërshtarin e tij, ka arritur të krijojë një ekip më dinjitoz e më konkurrues. Ka një autokonsideratë të jashtëzakonshme edhe për faktin se nga klasa e parë fillore e deri tani ka qenë shumë i suksesshëm në arritjet dhe synimet e tij. Kjo gjë i ka krijuar një ndjenjë superioriteti, të cilën e reflekton pothuaj në çdo veprim apo vendim të tij. Problem mund të evidentohet shkëputja e herëpashershme nga realiteti për shkak të izolimit apo keqinformimit nga vartësit, por gjithsesi ka arritur në shumicën e rasteve të shmangë nga qenia e tij politike simptoma të diagnozës apo përcaktimit sa të vjetër aq edhe të njohur: “Politika është kurvë”.

E gjithë kjo që thashë më lart për Berishën, duket se theksohet edhe më, kur i bëjmë krahasimin me kundërshtarin e tij, Rama. Z. Rama shfaqet në politikën shqiptare si rebel e anarkist. Thirrjet e tij në vitet 1990 për “varjen në litar të komunistëve” duken sot një hipokrizi, pasi ai është vënë në krye të tyre. I vetmi “komunist” që seriozisht do ta varë Edi Rama, është Sali Berisha, pasi nuk mund të besohet më se e kishte seriozisht në 1990-ën, kur betohej për varjen e tyre, përfshi edhe babin Kristaq, dajën Koleka e me radhë shumicën e fisit të tij. Artist i dështuar, publicist e shkrimtar i mbetur në tentativë, ka pak shanse të përballet intelektualisht me Berishën. Ka dhjetëra akuza, prova e fakte ndaj tij si qytetar e familjar, që e bëjnë të pamundur krahasimin edhe në këto pika me Berishën. Për këtë mjafton fakti që bashkëshortja aktuale është gruaja e katërt apo e pestë e tij. Për shkak të zhargonit dhe sjelljes së përditshme, besoj se ka përparësi ndaj Berishës në atë që quhet politika e rrugës. Batutat e tij ngjajnë më shumë me ato të “lacave” të lagjeve sesa me ato të ndonjë politikani e për më tepër lideri politik. Arroganca në komunikim me publikun dhe sjelljet harbute në komunikimin e brendshëm të PS-së janë të tjera pikë të humbura prej tij përballë Berishës. Reflekton një agresivitet dhe mungesë serioziteti politik dhe shpeshherë e ka çuar PS-në në situata tragjikomike, siç ishte greva e urisë para Kryeministrisë apo sulmi i armatosur kundër selisë së qeverise më 21 janar 2011. Demonstron kapërcime të pakuptimta politike, gjë qe dëshmojnë mungesë të ekuilibrit më shumë se politik. Si lider opozite, nuk ka mundur të sjellë një alternativë të qartë politike, përveç anatemimit dhe largimit të Berishës, dy përballje elektorale me të cilin i ka humbur me sukses të plotë. Pas një suksesi të pretenduar në politikën e vogël (zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës të cilat i fitoi dy herë) në politikën e madhe deri tani ka përjetuar vetëm dështim. Nëse do të përdornim një term sportiv, do të thoshim që, nëse mund të jetë talent në kalçeto, nuk duket se ka gjasa ta bëjë të njëjtën gjë edhe në fushën e madhe, sidomos përballë Berishës, i cili ka premtuar të jetë si Mesi në këto zgjedhje. Rikthimi në PS i emrave më të njohur të kupolës së diktaturës komuniste dhe i disa biznesmenëve me pasuri e veprimtari ekonomike të dyshimta ka bërë që një pjesë e mirë e politikanëve profesionistë të shmangen apo të largohen, duke krijuar kështu një klimë mosbesimi edhe brenda PS-së. Thirrjet e tij publike drejtuar disa partive politike për koalicion nuk kanë marrë përgjigje pozitive, duke krijuar një klimë favorizuese për kundërshtarin politik, gjë që ka çuar në një situatë politike shumë më të vështirë atë dhe krejt opozitën e tij.

Mund të evidentojmë edhe gjëra të tjera, por mendoj se disa nga këto që thamë për dy liderët kryesorë të politikës shqiptare, janë të mjaftueshme për të krijuar një ide për diferencën, por edhe shanset e secilit në zgjedhjet e qershorit. Nuk besoj që situata të perceptohet ndryshe nga fakte e ngjarje të tjera, gjë që ma mundëson ta parashikojmë që tani rezultatin e përafërt të zgjedhjeve të ardhshme, që, bazuar tek cilësitë dhe dobësitë individuale të lidershipeve, mund të hamendësohet nga çdokush.

Share it :