Francezi mendohet se preferon më shumë si opsion Spanjën, ndërkohë që Khedira mendohet të jetë lojtari që do të zëvendësojë talentin në rast largimi
Këtë vit bardhezinjtë e Juventusit kanë qenë një ndër skuadrat që kanë prodhuar më shumë lajm. Kjo edhe për faktin se kanë qenë të suksesshëm në kompeticion, por edhe për lojën e treguar. Torinezët nuk kanë ndërmend të ndalen, pasi duan të lënë shenjë edhe në merkato. Paul Pogba do të vendosë vetë për të ardhmen e tij. Sipas të përditshmes “L’Equipe”, mesfushori francez nuk e ka marrë ende një vendim, por e ardhmja e tij është në La Liga mes Barcelonës dhe Realit të Madridit që kanë nisur kontaktet për ra afruar sa më parë. “L’Equipe” shton se Pogba preferon kampionatin spanjoll duke snobuar Paris Saint Germain që është i gatshëm të derdhë miliona Euro për ta shkëputur nga Juventusi. 10 milionë Euro në vit i kanë premtuar Reali dhe Barcelona mesfushorit të cilin dëshirojnë ta largojnë sa më shpejt nga Italia për të evituar goditjet surprizë të klubeve të pasura. Gjithsesi, nga Spanja zërat e merkatos e shtyjnë më shumë drejt Katalonjës duke e interpretuar deklaratën lojtarit për të qëndruar edhe një vit në Torino, si një gjest dashurie ndaj Blaugranave. Barcelona nuk mund të bëjë merkato deri në vitin 2016 dhe në këtë mënyrë, mendohet se mesfushori bardhezi ka preferuar qëndrimin edhe për një sezon në Serie A dhe më pas të zgjedhë mitikun “Camp Nou” për të vazhduar karrierën e tij. Aktualisht, dy klubet iberike janë të gatshme të shpenzojnë deri në 80 milionë Euro, shumë të cilën Juventusi mund ta pranojë për të investuar më pas në merkato ku ka disa objektiva të rëndësishëm. Ndërkaq Juventusi dhe Sami Khedira janë më pranë se kurrë. Në fakt, e vetmja pengesë për momentin është vizita mjekësore, që për bardhezinjtë është më se e domosdoshme duke patur parasysh ndalesat e gjata të mesfushorit nga problemet fizike. Në Champions League, drejtuesit e Zonjës së Vjetër nuk patën mundësinë ta ndjekin nga afër gjermanin, pasi në të dyja takimet me Juven, Khedira nuk luajti për asnjë minutë të vetme, edhe pse Ancelottit i mungonte Modriç. Me kontratën drejt skadencës dhe rinovimin që dështoi, mesfushori e ka të sigurt lamtumirën nga “Bernabeu”, ndaj Juventusi kërkon të përfitojë shërbimet e një lojtari klasi me kosto zero. Takimi i agjentit të Khediras me përfaqësues të kampionëve të Italisë është vetëm çështje ditësh, për të mos thënë orësh. Gjithçka është bërë gati që ky transferim të ndodhë. Për shërbimet e tij, Juventusi është i gatshëm t’i ofrojë Khedirës një kontratë 3-vjeçare me pagë 4 milionë Euro për sezon, që mund të shkojë edhe më shumë në varësi të bonuseve. Objektivi siç raportojnë mediat italiane është që negociatat të finalizohen sa më shpejt, mundësisht para finales së Championsit me Barcelonën, që luhet më 6 Qershor. Një lëvizje kjo që do të vinte në lëvizje italianët për të parë edhe më mirë merkaton dhe për të gjetur element të rinj në mesfushë përveç Khedirës që do të ndihmonin skuadrën. Zaza dhe Berardi janë dhe dy nga emrat më të përfolur dhe të lidhur me zonjën e vjetër në këtë fillim merkato që mendohet se do të jenë edhe nënshkrimet e reja. Një ekip që po tenton të ketë sa më shumë elementë të rinj dhe të freskët. Ky sezon është i paharrueshëm për Juven edhe nëse nuk fiton Champions, pasi tashmë mund të thuhet zyrtarisht që është kthyer në majat e futbollit ku ishte para 10 vjetësh.
Allegri: Përgatitja ndaj Barcelonës, e thjeshtë
Masimiliano Allegri nuk dëshiron të kënaqet me kaq. Në një intervistë dhënë për mediat italiane, ai ruan euforinë por nuk ka ndërmend të tregohet inferior. “Sfida me Barcelonën nuk është aq e vështirë për t’u përgatitur sa mund të duket, madje mund të them se në këtë aspekt është shumë e lehtë. Mbi të gjitha është një finale dhe ne e njohim shumë mirë Barcelonën. Nëse i krahasojmë me vitin e shkuar kanë një njeri më pak që luan me topin në mesfushë dhe sulmojnë më në thellësi me Suarez që luan në qendër”. Në vijim të intervistës, Allegri komenton momentet e vështira kur u ul në stolin e Juventusit mes polemikave dhe kontestimit të tifozëve. “Ndihem mirë tani që i dëgjoj kur më mbështesin. Për mua është një stimul i madh sepse më pëlqejnë sfidat, madje edhe ato që duken të pamundura. Në jetë nuk ka asgjë të pamundur. Erdha te Juventusi i vetëdijshëm se ky grup mund të jepte edhe më shumë pas 3 viteve të jashtëzakonshme me Conten”. Në fund, Allegri u përqendrua te lojtarët kyç të skuadrës së tij gjatë këtij sezoni. “Morata është kokëfortë. Është një lojtar i madh por ndodhet në rrugën e duhur për t’u bërë një nga më të mirët. Tevez ka arritur nivele të jashtëzakonshme por ajo që më ka surprizuar më shumë është impakti i tij në aspektin e karakterit. Për Buffon krahasimet kanë përfunduar por dua të theksoj se i gjithë grupi është i jashtëzakonshëm. Ndeshjet vendimtare? Ato të luajtura na Firence, Dortmund dhe Napoli”.
Cikalleshi nën vëzhgimin e Sampdorias dhe Xhenoas
Sokol Cikalleshi që nga sezoni i ardhshëm mund të jetë shqiptari i radhës i cili i bashkohet Serisë A. Në fakt që në merkaton e Janarit u përfol për një kalim të kavajasit në kampionatin Italian, ku interesi më i madh vinte nga klube si Atalanta apo Sampdoria, ndërkohë që tashmë janë dy emra të tjerë të njohur të futbollit në Gadishullin Apenin si Torino dhe Genova që kërkojnë shërbimet e 24 vjeçarit. Është portal i njohur Italian i specializuar në lëvizjet e futbollistëve ‘calciomercato.it’ që raporton se dy klubet në fjalë kanë kryer sondazhet e para me qëllim afrimin e Cikalleshit. Paraqitjet e sulmuesit të kombëtares sonë si me skuadrën e tij po ashtu edhe përfaqësuesen nuk kanë lënë indeferent drejtuesit e Genovas dhe Torinos, mjafton të kujtojmë se këtë sezon shqiptari në 28 ndeshje të zhvilluara me kroatët e RNK Splitit ka realizuar 10 gola duke qënë jo pak herë vendimtar. Madje gjithnjë sipas portalit Italian Genova është e gatshme të ofroj deri në 3 milion euro për aftësitë e kavajasit. Ndërkohë që për të mbetur tek lojtarët e kombëtares sonë, ka ardhur goli i radhës i realizuar nga Shkëlzen Gashi në kampionatin zviceran. 26 vjeçari shënoi nga pika e bardhë në përballjen mes Baselit dhe Thunit, një takim që në fund u mbyll me shifrat e barabarta 2-2. Goli i 22-të për kosovarin në ligën helvete. Ndërsa më në fund ka rigjetur rrugën e rrjetës edhe Armando Sadiku. Sulmuesi shqiptar i cili përjetoi një sezon të vështirë për shkak dëmtimesh ishte protagonist kryseor në fitoren e Zyrihut përballë Lucernës. Pikërisht një supergol i tij në fillimin e pjesës së dytë i dha pikët maksimale skuadrës kryeqytetase.




