Ervin Kaduku
– Ja lista e re me plazhet që miratohen në mbarë bregdetin e Shqipërisë
Nuk kuptohet pse qeveria “Rama” ndryshon të gjitha rregullat e lojës për sektorin e turizmit, pikërisht sapo është hapur sezoni i ri veror. Si edhe në sektorë të tjerë, duket se administrata qeveritare konkludon gjithnjë në një kakofoni masash që shpesh bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, në një lëmsh retushimesh, me palma apo drita, që nuk janë veçse fasada dhe nuk rregullojnë asgjë seriozisht në një sektor të rëndësishëm për ekonominë e vendit, po ku nuk po mundemi të tërheqim klientelën, që furnizon me miliarda euro çdo vit vende të tjera, madje edhe ato, ku ka probleme të rënda sociale.
Një shqetësim që nuk po rregullohet dot është ai që, edhe pse prej vitesh janë dhënë leje shfrytëzimi për ndërtimin e fshatrave turistikë në bregdet, investitorët nuk i kanë qëndruar korrekt zbatimit të projekteve. Disa nga këto fshatra tashmë kanë ndryshuar destinacion, ndërsa vilat e ndërtuara janë shitur plotësisht. Aktualisht në vendin tonë nuk ka një resort të mirëfilltë turistik, çka ka bërë që mjaft agjenci turistike të jenë të kufizuar në sjelljen e turistëve në numër të madh në bregdetin shqiptar. Ndërkohë konkurrenca në këtë fushë në vendet e rajonit është e madhe.
Zhvillimi i turizmit në përgjithësi ka qenë pa një strategji të qartë, duke u zhvilluar më tepër në mënyrë spontane. Ndonëse prej ditësh po diskutohet ligji i ri “Për turizmin”, sipas ligjvënësve akoma nuk është e qartë se cili është funksioni i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, edhe pse ajo ka rreth dy vjet që është ngritur. Sipas tyre, ky ligj duhet ta përcaktojë qartë edhe varësinë nga cila ministri do të varet, nga ajo e Turizmit apo e Zhvillimit Urban. Për të rritur numrin e turistëve, por edhe investimet në këtë sektor, tashmë janë ndërmarrë një sërë nismash ligjore. Krahas ligjit të ri të Turizmit dhe atij për investimet strategjike, shumë shpejt pritet dhe prezantimi i një pakete lehtësuese në sistemin e taksave për këtë sektor.
Procedurat
Ndërkohë, qeveria ka vendosur të ndryshojë procedurat e dhënies me qira të zonave bregdetare. Sipas vendimit më të ri të qeverisë, publikuar në Fletoren Zyrtare, tashmë nuk do të kemi 28 zona në të gjithë Shqipërinë, por 94 të tilla, të cilat do të jepen me qira për t’u përdorur si plazhe. Një tjetër ndryshim në këtë vendim vihet re tek periudha kohore si dhe sipërfaqja e plazheve që do të jepen me qira. Sipas vendimit të ri të qeverisë, tashmë leja për një stacion plazhi do të jepet me një afat kohor 4 mujor, ndërsa për sa i përket sipërfaqes bëhet fjalë për një sipërfaqe jo më të vogël se 5.000 m2, në rastin e plazheve me gjerësi më të madhe se 100 metër dhe për plazhet e tjera në varësi të terrenit. Tashmë të gjithë këto plazhe do të jenë me koordinata të përcaktuara.
Njësitë e qeverisjes vendore kanë për detyrë identifikimin e zonave të përshtatshme si zona çlodhëse, të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme për njerëzit. Për evidentimin e tyre këto njësi bashkëpunojnë edhe me Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes (Shërbimin Hidrografik Shqiptar).
Njësitë vendore kanë po ashtu për detyrë dhënien e autorizimit për plazhe, për argëtim e sporte ujore, të përshtatshme për përdorim publik, nëse ato nuk paraqesin rrezik për njerëzit nga pikëpamja shëndetësore/higjienike apo e sigurisë. Një tjetër detyrë e tyre është dhe dhënia e lejeve për individë ose persona juridikë bashkë me autorizimin e përdorimit të plazheve, zonave çlodhëse për përdorim publik, për argëtim e sporte ujore. Poseduesit e lejeve janë të detyruar të marrin dhe të zbatojnë me korrektësi të gjitha masat e parashikuara për sigurinë dhe shëndetin. Inspektimi i këtyre zonave do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, sipas zonave të përcaktuara me VKM.
E nëse në vendimin e deritanishëm, nga jugu në veri, qeveria kishte përcaktuar 28 zona të përshtatshme për stacione plazhi, këtë vit do kemi dhe 66 të tilla më tepër. “Njësitë e qeverisjes vendore kanë këto detyrime:
- a) Identifikimin e zonave të përshtatshme si zona çlodhëse, të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme për njerëzit. Për evidentimin e tyre këto njësi bashkëpunojnë edhe me Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrinë e Turizmit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes (Shërbimin Hidrografik Shqiptar)
- b) Identifikimin e zonave të përshtatshme për plazhe si zona çlodhëse, argëtuese dhe ushtrimin e sporteve ujore, për përdorim publik, të konsideruara të parrezikshme për njerëzit nga pikëpamja shëndetësore, higjienike apo e sigurisë
- c) Dhënien me qira të hapësirës së plazheve personave fizikë e juridikë, për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit: – për një sipërfaqe jo më të vogël se 5 000 m, në rastin e plazheve me gjerësi më të madhe se 100 m, dhe për plazhet e tjera në varësi të terrenit; për një afat kohor 4-mujor.
Poseduesit e lejeve janë të detyruar të marrin dhe të zbatojnë me korrektësi të gjitha masat e parashikuara për sigurinë dhe shëndetin. Inspektimi i këtyre zonave do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në bashkëpunim me institucionet e tjera që ngarkon me përgjegjësi ky vendim, sipas shtojcës A-1. Plazhet që nuk janë përmendur në shtojcën A-1 nuk mund të jenë subjekt autorizimi”, thuhet në vendimin e ri të qeverisë, i cili tashmë ka hyrë në fuqi me botimin ë Fletoren Zyrtare.
Ndarja e re e zonave të plazheve
1 Plazhi i Velipojës
2 Plazhi i Shëngjinit
3 Plazhi i Tales
4 Plazhi i Gjirit të Lalzit
5 Plazhi Rrushkull
6 Plazhi Hamallaj
7 Plazhi i Katundit të Ri
8 Plazhi Currila
9 Plazhi i Durrësit
10 Plazhi i Rrashbullit
11 Plazhi Golem
12 Plazhi Qerret
13 Plazhi i Gjeneralit
14 Plazhi i Spillesë
15 Plazhi i Divjakës
16 Plazhi Seman
17 Plazhi Pishë Poro
18 Plazhi i Vjetër Vlorë
19 Plazhi Uji Ftohtë-Jonufër
20 Plazhi Radhimë
21 Plazhi Orikum
22 Plazhi Dhërmi
23 Plazhi Jalë
24 Plazhi Livadhe
25 Plazhi Himarë
26 Plazhi Potam
27 Plazhi Llaman
28 Plazhi Qeparoit
29 Plazhi i Borshit
30 Plazhi i Bunecit
31 Plazhi Lukovë
32 Plazhi Kakome
33 Plazhi Sarandë
Një pjesë e madhe e këtyre plazheve kanë edhe nënlicenca, duke e bërë numrin e tyre të shkojë në 94.
Kontributi direkt në Prodhimin e Brendshëm Bruto të turizmit shqiptar pritet të bjerë me 2.1% këtë vit…
Sipas raportit të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit, kontributi direkt në Prodhimin e Brendshëm Bruto të turizmit shqiptar pritet të bjerë me 2.1% këtë vit. Kontributi i turizmit në ekonominë tonë pritet të jetë afër niveleve më të ulëta të shënuara në dhjetëvjeçarin e fundit. Një grupim faktorësh të brendshëm, më shumë se të jashtëm, vlerësohet ta bëjnë turizmin të shënojë hapa mbrapa. Flitet për ndikimin e zgjedhjeve lokale, për efektin e ulët të investimeve publike në sektor, e prirjen për të shpenzuar më pak në turizmin e brendshëm. Sipas raportit të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit vitin e kaluar, sektori vlerësohet të ketë siguruar 82.3 miliardë lekë, ose 5.9% të PBB-së. Ndërsa këtë vit, kontributi i tij pritet të bjerë në 5.7%. Përjashtuar vitin aktual të kthesës, në dhjetëvjeçarin e ardhshëm parashikimet janë optimiste, nisur nga strategjitë e zhvillimit të ekonomisë.
Sipas raportit botëror, turizmi shqiptar pritet të rritet mesatarisht 4.1% në vit në dhjetëvjeçarin 2015-2025, për të arritur në një vlerë 120.4 miliardë lekë, (6.2% e PBB-së në 2025-n). Po të bëjmë një krahasim me pritshmëritë e ministrit Ahmetaj, edhe kjo shifër është konservatore. Ai beson se me hapat e ndërmarrë së fundi, industria do të kërcejë në 6.5% të PBB-së në tre-katër vitet që vijnë.
Por, të kthehemi te viti aktual, kur po troket turizmi veror, e njëkohësisht edhe zgjedhjet vendore. Një sektor që varet shumë nga investimet private e publike, pritet të vuajë përkeqësimin e të gjithë treguesve që lidhen me të. Kontributi total i turizmit, në PBB, sipas raportit, ishte 291.6 miliardë lekë, ose 21% e PBB-së në 2014-n. Për këtë vit, është parashikuar të bjerë 2.1% (në vlerë absolute). Ndërsa për dhjetëvjeçarin e ardhshëm parashikohet të ketë një rritje vjetore 4% për të arritur në 2025-n në 424.4 miliardë lekë ose (21.8% e PBB-së).
I pandjeshëm pritet të jetë ndikimi në punësimin direkt. Vitin e kaluar, në vendin tonë, turizmi ka mbështetur direkt me punë 50.500 persona, ose 5.3% e totalit të të punësuarve. Kjo pritet të mbetet e pandryshuar këtë vit dhe të rritet 2.2% në vit për të arritur në 62 mijë vende pune (5.8% e totalit të punësimit pas dhjetë vitesh.
Kontributi total i punësimit është edhe më i lartë. Duke përfshirë edhe punët e mbështetura jo drejtpërdrejt nga industria vitin e kaluar, sektori angazhoi 182 mijë persona, duke kapur 19.2% të totalit. Kjo pritet të bjerë 0.8% këtë vit, në 180.5 mijë vende pune, dhe të rritet me 2% në vit për të arritur në 220 mijë vende punë në 2025 (ose 20.4% e totalit të të punësuarve).
Sipas raportit, për vitin që shkoi vizitorët siguruan 191.5 miliardë lekë, ose 30.4% të totalit të eksporteve. Kontribut që pritet të bjerë 2.8% këtë vit dhe të rritet mesatarisht 3.8% në vit në dhjetë vitet e ardhshme për të arritur në 273 miliardë lekë pas dhjetë vitesh, ose sa 24% e totalit të eksporteve.
Vlera e investimeve vitin e kaluar ishte 19.3 miliardë lekë, ose 4.6% e totalit të investimeve. Ajo do të rritet me 1.6% në 2015 dhe 3.6% në vit mes periudhës 2015-2025.
Renditja botërore bëhet mes 184 vendeve dhe shpenzimet e udhëtimeve për kohë të lirë (hyrje dhe brenda vendit) vlerësohet të kenë siguruar mbi 77% të kontributit direkt të turizmit në PBB, krahasuar me 22.6% të shpenzimeve të udhëtimit për biznes. Këtë vit, shpenzimet për udhëtime biznesi pritet të bien 5.7% e të rriten 2.6% mesatarisht në vitet e ardhshme.
2015, turizmi botëror do të rritet 3.7%
Ndikimi i udhëtimit dhe turizmit në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi mund të jetë shumë i madh. Duke zhvilluar biznesin, tregtinë, investimet kapitale, duke krijuar vende të lira pune dhe duke mbrojtur trashëgiminë e vlerave kulturore. Për të kuptuar plotësisht ndikimin e këtij sektori, gjithsesi, qeveritë, hartuesit e politikave e sipërmarrësit kanë nevojë për të dhëna të sakta.
Raporti ekonomik vjetor i Këshillit Botëror të Udhëtimit e Turizmit, këtë vit mbulon 184 vende. Udhëtimet dhe turizmi kanë siguruar 7.6 trilionë dollarë, 10% të totalit të Prodhimit Botëror dhe 277 milionë vende pune (1 në 11 të punësuar) për ekonominë globale 2014. Sipas raportit, vitet e fundit, udhëtimi dhe turizmi kanë parë rritje më të shpejtë se e gjithë pjesa tjetër e ekonomisë, e shumë sektorë domethënës si ai i automobilave, shërbimi financiar dhe kujdesi shëndetësor.
Viti i kaluar nuk ishte një përjashtim. Mbërritjet ndërkombëtare turistike në vende të ndryshme arritën në gati 1.14 miliardë dhe shpenzimet e vizitorëve patën një rritje më të madhe.
Raporti vëren se vizitorët nga ekonomitë në zhvillim përbëjnë 46% të këtyre të ardhurve ndërkombëtare (nga 38% në vitin 2000), duke dëshmuar rritjen e mundësive për udhëtim nga këto tregje të reja. Sektori përballet me sfida çdo vit dhe këtë vit rreziku vjen nga dobësimi apo luhatja e shumë monedhave përkundrejt dollarit amerikan. Një recesion i thellë në Rusi, një treg kyç për flukset dalëse, do të ulë shpenzimet dalëse në linjë me tregtinë më të ulët botërore për 2015-n.
Por, ulja e çmimit të naftës shihet si favor në uljen e kostove të turizmit, ndaj zgjerimi i udhëtimit dhe turizmit është parashikuar të jetë me ritëm më të lartë se vjet dhe kontributi total në PBB është parashikuar të rritet me 3.7%. Destinacione të reja dhe mundësi investimi do të vazhdojnë gjithashtu të lulëzojnë, ndërsa turizmi do të bëhet gjithnjë e më i përballueshëm në vendet në zhvillim.
Presidenti i Këshillit Botëror të Udhëtimit e Turizmit, David Scowsill thotë se, “kjo rritje do të kërkojë që vendet të miratojnë një qasje të përbashkët dhe të koordinuar për një planifikim të zgjuar dhe zhvillim midis industrisë së tyre, qeverisë dhe institucioneve arsimore, për të siguruar që të përmbushin potencialin e tyre në vitet e ardhshme”.
Marrë nga “Monitor”
Financat bëhen gati për rishikimin e buxhetit, të ardhurat në rënie të ndjeshme
Qeveria shqiptare në një komunikim të fundit me FMN-në i ka qëndruar angazhimit për konsolidim fiskal, në mënyrë që të mbajë të pandryshuar angazhimin për uljen e borxhit publik drejt nivelit 60% në 2018. “Ne angazhohemi për të vazhduar me konsolidimin fiskal, siç është planifikuar, në mënyrë që të zvogëlojmë dobësitë e borxhit që pengojnë rritjen dhe shkaktojnë destabilitet makroekonomik”, – thuhet në angazhimet që qeveria e Shqipërisë i ka dorëzuar stafit të FMN.
Të ardhurat më të ulëta të shkaktuara nga dobësitë në sektorin e naftës me 6 miliardë lekë (0.4 për qind e PBB-së), në vitin 2015 janë duke u kompensuar me një rishikim në ulje të shpenzimeve buxhetore, kanë pohuar autoritet e shqiptare në lidhje me dobësinë e krijuar në realizimin e të ardhurave buxhetore sipas programit të këtij viti.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka marrë premtimin nga qeveria e Shqipërisë se të ardhurat e siguruara nga tarifat e licencave celulare prej 1.8 miliard lekësh (0.1 për qind e PBB-së) do të rezervohen për mbrojtur çdo performancë të dobët në të ardhura gjatë periudhës në vijim. Gjithashtu qeveria është angazhuar se, pavarësisht nivelit të ulët të të ardhurave, këtë vit nuk do të cenojë objektivin për arritjen e deficitit sipas programit 2015.
“Në periudhën afatmesme, ne jemi të angazhuar për uljen e borxhit publik ndaj PBB-së raport nën 65 për qind deri në fund të programit në vitin 2017 dhe nën 60 për qind nga 2018”, – ka raportuar qeveria në FMN.
Kjo do të thotë ulje e shpenzimeve. Ndërkohë, përbën një barrë të vështirë fakti që qeveria ka programuar që për këtë vit të shlyejë rreth 20 miliardë lekë për biznesin, i cili ka kryer punë dhe shërbime publike. Në kuadër të Strategjisë, deri më datë 18 maj, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 14.33 miliardë lekë detyrime të prapambetura të ndara sipas kategorive: Investimet publike, janë alokuar 5.8 miliardë lekë, shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliardë lekë, rimbursim TVSH janë alokuar 4.5 miliardë lekë, “Të tjera” janë alokuar 3.8 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për “Vendimet gjyqësore” janë alokuar rreth 1.6 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë. Krerët e Financave kanë premtuar se i gjithë fondi i programuar për këtë vit do të disbursohet brenda 6 muajve të parë të vitit. Kjo pritet të japë një efekt pozitiv si tek sipërmarrja ashtu edhe për gjithë ekonominë e vendit. Sipas strategjisë së hartuar tashmë nga Ministria e Financave, shlyerja e detyrimeve të prapambetura që qeveria shqiptare ka ndaj biznesit do të marrë 3 vjet kohë, ndërkohë që synohet parandalimi i krijimit të borxheve të reja. Për vitin 2014, qeveria ka paguar 35 miliardë lekë ose gati gjysmën e detyrimeve totale. Pjesa e mbetur do të shlyhet në dy vitet e ardhshme, përkatësisht 20 miliardë lekë në 2015 dhe 17.5 miliardë lekë të tjera në vitin 2016.
Firot fiskale
Ministria e Financave përcaktoi normativat për firot, humbjet, dëmtimet dhe skarcot gjatë prodhimit, magazinimit dhe transportimit, etj., të cilat do të njihen për qëllime fiskale.
Me këtë synim, Ministria e Financave i ka propozuar qeverisë dhe ka miratuar në mbledhjen e fundit të saj vendimin përkatës si përmbushje e detyrimeve ligjore nga ligji Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, si dhe krijimin e kuadrit nënligjor të domosdoshëm për njohjen si shpenzim të zbritshëm për efekt të llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat.
Vendimi do të përcaktojë firot, humbjet, dëmtimet dhe skarcot gjatë procesit të prodhimit, magazinimit apo transportimit për produktet, të cilat, më pas, do të mund të njihen si shpenzime të zbritshme për efekte të llogaritjes së tatimit mbi fitimin.
Për produktet që janë subjekt i akcizës, vendimi ka parashikuar që ato do të jenë të lejuara sipas përcaktimeve të vendimit përkatës për akcizat. Për industritë prodhuese që përdorin lëndë djegëse në procesin e prodhimit, normativat e lëndëve të para djegëse që përdoren në prodhim do të jenë të lejuara sipas përcaktimeve në VKM e akcizës. Për duhanin, sipas përcaktimeve në vendimin përkatës të qeverisë për duhanin.
Për humbjet e procesit të prodhimit, për të cilat nuk ka akte të veçanta ligjore dhe nënligjore, sasia dhe vlera e lejuar e tyre do të llogariten nga inspektorët tatimorë, duke u bazuar në kartat apo skemat teknologjike të procesit të prodhimit.
Ky parashikim u propozua pasi në sektorë të ndryshëm të prodhimit të industrive të ndryshme hasen vështirësi në përcaktimin e normativave për vetë natyrën e prodhimit, si dhe pamundësisë teknike.
Ministria e Financave sqaron tatimpaguesit se autoritetet tatimore, gjatë kontrollit të ushtruar në vend, pranë tatimpaguesit, analizojnë kartat apo skemat teknologjike të procesit të prodhimit, që shoqërojnë makineritë apo linjat përkatëse, nga prodhuesi i tyre dhe kryejnë verifikimet lidhur me nivelin e humbjeve të pësuara gjatë procesit të prodhimit /përpunimit.
Vendimi i mësipërm është pjesë e angazhimit për të përmirësuar klimën e biznesit, respektuar detyrimet ligjore dhe marrë në konsideratë përvojat ndërkombëtare.
OSHEE merr 3.5 milionë USD pagesa nga arkat dytësore
Në kuadër të reformimit të sektorit, OSHEE ndërmori një politikë liberalizimi të shërbimit të ofruar për pagesën e energjisë. OSHEE lidhi marrëveshje partneriteti me shoqëri shërbimi për pagesat e faturave të dritave. Marrëveshjet e para me Western Union dhe Money Gram, lehtësoi ngarkesën me radhët e gjata në muajin shkurt, kur nisi zbatimi kontrata e re.
Aktualisht, këtë shërbim e ofrojnë edhe shoqëri të tjera, dhe deri më tani janë kryer rreth 120 mijë pagesa, me vlerë 3.5 milionë dollarë.
Fatura tashmë nuk paguhet vetëm të OSHEE apo në postë, por edhe në pikat e transfertave të parave, në shoqëri të tjera, që kanë të vendosur logon e kompanisë, madje konsumi i dritave mund të paguhet edhe përmes celularit, ku deri më tani janë kryer mbi 1.000 pagesa me vlerë 50 mijë dollarë.
Tashmë OSHEE është e shtrirë në të gjithë vendin, në mbi 1 mijë pika, duke u dhënë mundësi kujtdo ta paguajë faturën kudo që ndodhet, madje edhe nga zyra, shtëpia, celulari, kasa fiskale etj.




