RIKORRUPSION NË ISKSH

Brikena Bogdo

Brikena BogdoAbuzimi me ilaçet e rimbursueshme nuk është as i paparë dhe as për herë të parë. Jam marrë për disa vite me investigime, pjesë e një projekti të USAID-it, për të zbuluar korrupsionin në institucione shtetërore. Pak informacion për publikun. Ky ishte një projekt shumë serioz, i pari i këtij lloji, i financuar nga USAID-i. Amerika është vendi që i ka shumë për zemër këto lloj formatesh dhe gazetarët që ndjekin këto çështje korruptive janë shumë të stimuluar, pasi lufta antikorrupsion është në themel të mbarëvajtjes së shtetit, të të mirave të përbashkëta dhe shtetit ligjor.

Në vitin 2004 realizoj një nga investigimet për korrupsion, pikërisht për abuzimet më të mëdha të asaj kohe, me ISKSH-në. Abuzimet me barnat e rimbursuara, asokohe arrinin në 10-12 milionë dollarë. Skema korruptive ishte doktor, farmaci, Ministri, ISKSH. Nga skema korruptive e para disa viteve ka ndryshuar falsifikimi i firmave dhe vulave të doktorëve. Investigimin e fillova pikërisht me hallkën më të ulët, doktorët, të cilët përshkruanin recetat fiktive. Aty rezultonin të sëmurë fiktivë, të cilëve u përshkruheshin fiktivisht ilaçe të cilat i merrnin fiktivisht në farmaci (sigurisht farmacia nuk nxirrte asnjë nga këto ilaçe). Farmacia dërgonte këto receta fiktive në ISKSH, ku lëvrinin miliona dollarë. Linjat ishin të mirënjohura me njëra-tjetrën dhe të mirëkontrolluara nga zinxhiri korruptiv. Gjatë investigimit, zbulova një nga farmacitë, e cila ishte e lidhur me ISKSH-në dhe zhvaste miliona lekë nga shteti. Por, gjatë këtij investigimi, has me korrupsionin tjetër të saj, farmacitë fiktive.

I njëjti farmacist, me të njëjtin ambient, me të njëjtat barna, me një tabelë, me një emër X, rezultonte edhe me emër Y, pra me një farmaci fiktive. Me të dy farmacitë, ai ishte rimbursuar me miliona lekë (gjë që na e pohoi në mënyrë private, por ai ishte më i vogli, ndërsa të tjerë kishin përfituar shumë më tepër).

Vazhdoj hetimin në Ministrinë e Shëndetësisë të asaj kohe. Sipas dokumenteve që unë disponoja, me rezultonte që kjo farmaci ishte rimbursuar me miliona lekë, me farmacinë Y. Në Ministri, insistoja që të më pajisnin me dokumentet e kësaj farmacie dhe ky dikaster, megjithëse e kishte për detyrë, nuk reagonte. Arrita të siguroja dokument për farmacinë X, por kurrë për farmacinë Y, e cila nuk ekzistonte. Vërtet ministria nuk e dinte që ai rimbursohej me miliona lekë, me një farmaci fiktive? Unë rrija me javë për të pritur përgjigjen nga ministra, për regjistrimin e farmacisë Y, që ndodhej në po të njëjtin ambient me farmacinë X, dhe vilte miliona lekë. Farmacia fiktive Y vilte ne Drejtorinë e ISKSH-së miliona lekë, ndërsa ministria nuk dispononte asnjë dokument regjistrimi, me atë emër? A mundet vërtet ministria të ishte kaq e pavëmendshme? Kjo ishe arsyeja, pse ministria nuk u përgjigj kurrë. Ajo me heshtjen e saj u vetëshpall fajtore.

Por, çfarë e bën më të rëndë të gjithë këtë megakorrupsion, që shfaqet edhe sot me po të njëjtat përmasa? Korrupsioni me rimbursimin e barnave, me fakte u trasmetua publikisht, nëpër disa televizione të asaj kohe. Këtyre njerëzve nuk iu hyri gjëmb në këmbë, prandaj dhe janë lehtësisht të rifillueshem si zinxhir korruptiv. Sot, ai farmacist vazhdon aktivitetin e tij në po të njëjtin ambient, në po të njëjtën rrugë. Ky farmacist ka rikonstruktuar farmacinë me formë dhe emër të ri. Me qëllon te kaloj, aty pari, shumë shpesh. Shihemi ne sy, pasi njihemi shumë mirë, por me një ndryshim, qe tashmë jam unë ajo që ul sytë dhe kokën, ndërsa ai jo, megjithëse e di shumë mirë, se kush jam. Unë e ul kokën se, me vjen turp që jam pjesë e nje shteti që nuk ngre as gishtin për të luftuar korrupsionin. Kjo është arsyeja pse këtij njeriu nuk i hyri as gjembi, në këmbë me sa duket për të ringritur sistemin, shumë shpejt. Pra, kanë nxituar të ringrenë sistemin korruptiv, që atëherë i kushtoi shtetit shqiptar 10 milionë dollarë. Dëmi ekonomik i raportuar nga grupet e kontrollit të vetë KM, është 1.50 miliardë lekë, në vetëm një vit, çka është mbajtur e fshehtë nga vetë ai, ministri i Shëndetësisë, drejtori i Fondit dhe autoritetet e tjera shëndetësore. Por, mendohet që dëmi i vërtetë është shumë herë më i madh. Me këto ritme, dëmi mund të shkojë edhe më i madh se, sa ishte përpara disa viteve.

A mund ta kishte zbuluar ministri, nëse do kishte pasur vullnetin e mirë, ta bënte këtë gjë? Unë mendoj që po, dhe po jap vetëm një argument. Kur arrin një gazetar investigative, të zbulojë receta fiktive, farmaci fiktive, miliona leke abuzime, kur arrin ky farmacist, që privatisht pohon se ka abuzuar deri në 300 milionë lekë, nuk janë në gjendje institucionet përgjegjëse, ta zbulojnë atë? Sigurisht që po, sepse ato kanë të gjithë instrumentet, jo vetëm për ta zbuluar. por së pari për ta parandaluar atë. Dhe e dyta; ministria edhe nëse nuk arriti ta identifikojë korrupsionin, pas skandalit në media, u vu në dijeni të farmacive fiktive dhe personave, që kryen vjedhjen dhe nuk ndryshoi asgjë, me këta abuzues.

Me sa duket, kanë ndryshuar emrat e farmacive, por nuk kanë ndryshuar mendësitë korruptive. Nëse janë ende të njëjtët njerëz kjo mbetet për t’u hetuar. Unë një gjë e di shumë të sigurt, që farmacia e investiguar prej meje, ka ndërruar thjesht emrin dhe vazhdon aktivitetin. Nëse, vazhdon të jetë pjesë e linjës, mbetet shumë dyshuese, për sa kohë mbetet pranë spitalit nr. 5, ku thuhet që janë dhe farmacitë më të privilegjuara, pasi janë pranë spitaleve, pra janë shumë të lidhur me mjekët e tyre. Ata, nga ana e tyre, përshkruajnë receta me ilaçe, që duhet të jenë nëpër spitale dhe këto ilaçe i gjen pikërisht, nëpër këto farmaci, pranë spitaleve. (Ky është një nga korrupsionet e tjera të mëdha, që është hetuar prej meje, përgjatë punës tek projekti i USAID-it).

P.S. Investigimi me ilaçet e rimbursuara, në vitin 2004, është transmetuar në disa televizione të asaj kohe. Gjithçka që është thënë, ka qenë e dokumentuar dhe e ruajtur, më pas, në arkivat e USAID-it, IREX-it.

Share it :