Melsen Kafilaj
(Përse Vatikani po e njeh në këtë kohë Palestinën si shtet?!)
Këtë të shtunë Presidenti palestinez Mahmoud Abass u prit në Selinë e Shenjtë nga Papa Françesku për t’i bërë të ditur vendimin më të fundit të Vatikanit për njohjen formale si shtet të Palestinës. Një ngjarje kjo e cila bëri bujë në opinionin publik ndërkombëtar dhe përçoi një mesazh të qartë në drejtim të politikëbërësve izraelitë. Por përse Vatikani po e njeh në këtë kohë Palestinën si shtet, lind rrjedhimisht pyetja?!
Para së gjithash, duhet t’i sjellim në vëmendje opinionit publik se lidhja e Vatikanit me Palestinën është një lidhje e lashtë dhe simbolike. Krishti u lind në Betlehem, territor që sot ju përket palestinezëve. Aty ndodhet edhe Kisha e Varrit të Krishtit, një objekt religjioz ky me mjaft domethënie për Shtëpinë e Shën Pjetrit (Vatikanin). Gjithashtu, në këtë vend jeton edhe një komunitet i vogël shpirtëror besimtarësh katolikë. Në një kohë që rajoni i Lindjes së Mesme po “zien” nga problemet me terrorizmin dhe faktori “religjion”është një reagent i fuqishëm në këtë reaksion, në kuadër të politikë simbolike dhe nismës së Vatikanit për dialog ndërkulturor, Selia e Shenjtë e kapi këtë moment krize dhe paqëndrueshmërie dhe reagoi politikisht.
-Për ta kompletuar dhe për ta përforcuar më tepër këtë rëndësi simbolike, Papa u tregua i kujdesshëm dhe e konfirmoi këtë fakt me kanonizimin e dy murgeshave palestineze këtë të shtunë . Në këtë moment trazirash dhe “problemesh morale” brenda grigjës së Vatikanit, kjo lëvizje kishte edhe karakter pragmatik, për ta transferuar vëmendjen në ngjarje ku Vatikani është “shembull i së Mirës dhe ndërtimit dhe jo i së Keqes dhe zvetënimit”.
Së dyti, gjatë vizitës vitin e kaluar në Tokën e Shenjtë veç mesazhit etik dhe thirrjeve plot patos të shenjtë për paqe, dialog vleror dhe bashkëjetesë në harmoni si vëllezër midis dy popujve, midis të tjerash Papa i ftoi izraelitët dhe palestinezët të vinin dhe ta pranonin Vatikanin si “vend negocimi” për procesin e tyre të paqes pse jo duke paketuar edhe një marrëveshje solide në këtë drejtim. Oferta dhe propozimi joshës qe një lojë me shumë Zero në kuptimin që edhe nëse nuk arrihej një akord paqeje Vatikani të dilte fitues në aspektin e prestigjit “si një vend i shenjtë i cili kërkonte të zgjidhte një konflikt jetëgjatë dhe jo të shenjtë dhe rikthimin e pëllumbave të paqes në Tokën e Kananit”.
Refuzimi i menjëhershëm nga ana e SHBA-së dhe Izraelit jo vetëm që i prishi planet papale për të ringritur popullaritetin e rrëzuar nga Shkenca dhe Vetvetja, por nga ana tjetër i dha një mesazh Vatikanit “që tashmë ai është thjesht një institucion moral” dhe koha kur teologjia bënte dhe vendoste për politikën ka përfunduar. Kjo shuplakë e marrë bëri që Institucioni i Shenjtë “të mos e kthente faqen e Krishtit”, por “të ngrinte shpatë n e Pjetrit” duke kundëreaguar.
“Mëria e dytë ”e Vatikanit (mëria e parë qe në lidhje me moslejimin nga ana e Fuqive të Më dha që Jerusalemi të kthehej në një “corpus sepparatum”dhe Vatikani të kishte kontroll mbi të) sigurisht që nuk mund të kapërcehej aq lehtë . Pas përfundimit të zgjedhjeve në Izrael dhe formimit “me vështirësi” të koalicionit qeverisës nga ana e Kryeministrit Benyamin Netanyahu dhe vendosjes në krye të ministrisë së mbrojtjes të Ayelet Shaked (një mbrojtës i përkushtuar i ngulmimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës)dhe protestave popullore palestineze në lidhje me këtë vendim, nuk kishte se si “beretave të kuqe” të Vatikanit t’u shpëtonte nga duart ky rast.
Që prej vendosjes së marrëdhënieve zyrtare mes PLO-së (Organizata për Çlirimin e Palestinës) dhe Vatikanit më 26 tetor të vitit 1994 dhe arritjes së një marrëveshjeje me 12 pika mes tyre në 15 shkurt të vitit 2000, marrëdhëniet mes të dyja palëve kanë shkuar “në drejtimin e duhur”, po të flasim me fjalët e Presidentit Abass. -Takimi i të shtunës mes Papës dhe Presidentit Abass e konfirmoi më së miri këtë fakt. Tashmë “de facto” Palestina njihet formalisht edhe nga mikroshteti i Vatikanit duke arritur numrin 135 të shteteve, të cilat e njohin si entitet ndërkombëtar atë . -Në emër të paqes, lirive e të drejtave të njeriut, dialogut ndërkulturor dhe bashkëjetesës harmonike e fetare mes popujve Vatikani e legjitimon këtë akt.
Por a do ta ngjisin pëllumbat “e bekuar” të Dorës së Shën Pjetrit paqen në Jerusalem?!
Rruga e mundimshme drejt arritjes së një paqeje të gjatë e të qëndrueshme mes dy popujve ende vazhdon.




