Ky ka qënë lajmi i të përditshmes “Sport”, pasi sipas tyre francezi preferon shumë të luajë përkrahë Mesit
“Pogba i ka thënë ‘po’ Barcelonës. Ky është titulli i parë i gazetës spanjolle “Sport” për ditën e sotme. Sipas të përditshmes sportive katalane, ylli francez preferon transferimin në “Camp Nou”, duke hedhur poshtë të gjitha ofertat në drejtim të tij. “Pogba dëshiron të luajë me Messin, është i pasionuar me projektin e klubit dhe tashmë ka refuzuar Manchester Cityn”, shkruan “Sport”. Por, blaugranët do ta kenë të tyrin francezin vetëm në vitin e ardhshëm nëse arrijnë një marrëveshje për shkak të dënimit nga FIFA. PSG dhe City janë të gatshme të ofrojnë edhe 250 mijë stërlina në javë, ose 17-18 milionë euro në sezon. Një shifër e çmendur, për një futbollist që është vetëm 22 vjeç. Ngelet të shohim deri në fund të merkatos se si do të jetë puna e Mino Raiolës, i cili shquhet për transferime të tilla të mëdha. Njëlloj siç bëri disa vite me parë me Ibrën.Presidenti i Barcelonës, Bartomeu as nuk e konfirmon, por as nuk e injoron interesimin për Pol Pogbanë. Numri një i skuadrës katalanasve është shprehur se skuadra e tij po punon në disa fronte në merkato. “Jemi duke ndjekur shumë futbollistë, të gjithë ata futbollistë që janë të ndryshëm dhe që kanë karakteristika të ngjashme me stilin tonë. Nuk mund të përmendi emra. Mund të bëjmë blerje vetëm duke fillua nga viti 2016, por kemi të drejt për të arritur marrëveshje që tani. Ata kanë të drejtë të stërviten me ne, ose të luajnë miqësore. Por, mundemi edhe t’i lëmë në skuadrat përkatëse. Shumë futbollistë do të ndiheshin të nderuar të vijnë në Barcelonë”, theksoi bosi i katalanasve. Gjithastu ai foli edhe për momentin pozitiv që po kalon ekipi nën drejtimin e Luis Enriques, por gjatë intervistës dhënë për mediat spanjolle, numri 1 i shoqërisë “Blaugrana” ndalet edhe në disa tema pikante që lidhen me klubin që ai drejton. Fillimisht Bartomeu ndalet te zërat për një krizë të mundshme në fillim të sezonit mes trajnerit dhe Lionel Messit, ndërsa vlerëson punën e bërë nga Luis Enrique.“Nëse më duhet t’i vendos një notë marrëdhënies mes Messit dhe Enriques unë i vendos notën 10. Gjithsesi, trajneri ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë lojtarët. Ai po zhvillon një punë shumë të mirë dhe gjatë muajve të ardhshëm do të diskutojmë për zgjatjen e kontratës. Unë besoj se ai ka si objektiv të qëndrojë edhe për shumë vite të tjerë me skuadrën tonë”.
Dalin në shitje biletat për Shqipëri-Francë
Federata Shqiptare e Futbollit, njofton te gjithe tifozët e kombëtares së kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen Shqipëri – Francë, që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në datën 13 qershor, ora 18:00. Të interesuarit për bileta mund t’i blejnë ato në pikat e shitjes pranë stadiumit “Semal Stafa” në kryeqytet dhe pranë “Elbasan Arenës, por edhe online në faqen zyrtare të Federatë Shqiptare të Futbollit. Çmimet e biletave per këtë ndeshje janë si vijon:
Tribunat C2, G2 = 1.000 leke
Tribunat C1, C3, G1 = 1.500 leke
Tribunat D, F = 2.000 leke
Tribuna E = 3.000 leke
Tribunat B1, B5 = 6.000 leke
Tribunat B2, B4, A1, A4 = 8.000 leke
Tribuna A2, A3, B3 = 10.000 leke
FSHF u kujton të gjithë tifozeve se stadiumi “Elbasan Arena” është i pajisur me sistemin elektronik të kontrollit të biletave dhe biletat e prodhuara për këtë ndeshje kanë elementë sigurie të nivelit më të lartë, të dukshëm dhe të padukshëm më sy të lirë. Sistemet e kontrollit të biletave në hyrjet e stadiumit janë të kompjuterizuara. Këto janë masa që FSHF i ndërmerr për të shmangur abuzimet e mundshme.E vetmja mënyrë për t’u siguruar nëse biletat janë të rregullta, është kontrolli i tyre prandaj FSHF i këshillon të gjithë të interesuarit të blejnë bileta vetëm në pikat zyrtare të shitjes të ofruara nga FSHF.
Kevitan ngjitet në kategorinë e dytë
FC Kevitan, skuadra që i surprizoi të gjithë këtë sezon në Kategorinë e Tretë, nga viti i ardhshëm do të jetë pjesë e Kategorisë së Dytë, pasi arriti të fitojë në finalen me Internacionalin me rezultatin e pabesueshëm 11-1 duke konfirmuar se në këtë kategori nuk ka rivalë. Ekipi i krijuar vetëm së fundmi, e dominoi tërësisht lojën përballë kundërshtarit të saj, që arriti të qëndronte në shifrat 1-1, vetëm për 10 minuta lojë, pasi golat e Hysenajt, Meziut dhe Vatajt i dhanë një epërsi 3-1, që në minutën e 25-të. Hysenaj u përsërit dhe njëherë tjetër në minutën e 35-të duke ngritur shifrat në 4-1, ndërkohë që dhe në pjesën e dytë Kevitan e pati gjithcka mjaft të thjeshtë, me Meziun që shënoi dhe dy herë të tjera ashtu si dhe Azizi, ndërsa nga një gol i shtuan shifrave në fushë dhe Pjetri, Hajdari dhe Marku me rezultatin përfundimtar 11-1, që bënë lojtarët të festonin në përfundim të takimit dhe ngjitjen në Kategorinë e dytë.
Hysaj pranë Lacios
Emri i Elseid Hysaj ka futur në vallen e merkatos disa nga ekipet më të mëdha të Serie A. Mbrojtësi shqiptar i Empolit vazhdon të tërheqë vëmendjen e Drejtorit Sportiv të Lazios, Igli Tare, i cili ka shfaqur interes që gjatë merkatos së verës së shkuar, por pa arritur finalizimin e marrëveshjes me skuadrën toskane. Sipas faqes së specializuar, “Lalaziosiamonoi.it”, Tare ka rinisur kontaktet me Empolin për të gjetur gjuhën e përbashkët sa më shpejt pasi vlera e kartonit mund të rritet me kalimin e javëve për shkak të interesit të lartë.Zërat e parë që kanë nisur të qarkullojnë flasin për një marrëveshje mbi bazën e 3 milionë Eurove por agjenti i lojtarit, Marco Piçioli preferon t’i fshehë letrat duke mos e pranuar një gjë të tillë. “Në këto momente nuk ka asnjë gjë të vërtetë”, thekson përfaqësuesi i mbrojtësit shkodran. Në vijim ai e pranon se Tare ka shfaqur interes për lojtarin, por Hysaj pret përfundimin e kampionatit dhe bashkë me Empolin do të vendosë për të ardhmen e tij. 21-vjeçari i Kombëtares Shqiptare është shfaqur disa herë edhe në orbitën e dy skuadrave milaneze por si Interi ashtu edhe Milani nuk kanë bërë ende asnjë lëvizje konkrete për ta transferuar në “San Siro”. Tashmë mbeten edhe dy ndeshje deri në përfundim të kampionatit dhe Lazio synon të lëvizë në një terren që tashmë e ka studiuar, për të shtuar koloninë e shqiptarëve me një tjetër lojtar.




