Artan Cena
Reagon ish-ministri i Energjitikës: Një javë më parë firmosa dokumentet, është një sulm i Ilir Metës ndaj meje, Tom Doshit dhe Andis Harasanit
Ish-ministri i Energjitikës në qeverinë Berisha-Meta, Dritan Prifti është kallëzuar dje penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për fshehje pasurie. Mësohet se Prifti akuzohet për fshehjen e 4.6 milionë eurove që sipas institucionit të kontrollit të pasurive janë të fshehura. Por për ish-ministrin Dritan Prifti ky është thjeshtë një sulm politik që po bën Ilir Meta ndaj tij. Sipas Dritan Priftit kjo shumë është një kredi e marrë në një bankë private ku bashkëshortja e tij ka një shumë aksionesh. “Ilir Meta i ka kërkuar Shkëlqim Ganajt prej një muaj për të kontrolluar Dritan Priftin, Tom Doshin dhe Andis Harasanin për të kontrolluar bizneset tona! E prisja këtë kontroll por jo tani!”, ka thënë Prifti nga Fieri ku tregoi se ishte në fushatë elektorale në mbështetje të kandidatit të PSD-së, Albert Çaçi.
Kallëzimi penal
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave përmes një njoftimi për mediet, ILDKPKI bën me dije se pasi ka kaluar në sitë deklaratën e pasurisë së Priftit për periudhën 2003-2013 kur ai ushtronte funksionet si deputet dhe Ministër, është vërejtur fshehje pasurie në vlerën 4.6 milionë euro. “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin dhe ri-kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Dritan Prifti, për funksionet Ish-Ministër dhe ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për periudhën kohore 2003 – 2013, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 4.600.000 euro”. ILDKPKI ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke insistuar që hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale.
Reagimi i Priftit
Pas kallëzimit penal, ka reaguar edhe ish-ministri ka reaguar nga Fieri, duke hedhur poshtë pretendimet e Inspektoratit. Prifti ka thënë se një javë më parë ka qenë në zyrat e këtij institucioni ku ka firmosur disa dokumente. “Kam mësuar nga interneti për kallëzimin penal te ILDKPS-së! Ilir Meta i ka kërkuar Shkëlqim Ganajt prej një muaj për të kontrolluar Dritan Priftin, Tom Doshin dhe Andis Harasanin për të kontrolluar bizneset tona! E prisja këtë kontroll por jo tani! Kam shkuar para disa ditësh në ILDKP, ndërsa kur i kam paraqitur disa dokumente të cilat janë firmosur nga të dyja palët shoh që kjo është persekutim politik në kohë fushate! Nuk ka një proces të rregullt ligjor! Më kërkohen disa dokumente nga FlintBank kur isha në SHBA! Ligji nuk ka kompetencë për kontrollin tonë pasi nuk jemi më në funksion publik! 4.6 milionë euro janë kredi të marra në një bankë greke dhe ku bashkëshortja ishte në aksionarë në minorancë! Mund të kontrollojnë në QKR për ta vërtetuar”, tha ish-ministri Dritan Prifti pas akuzave të bëra ndaj ILDKPI-së.
Vrau vajzën se ishte shtatzënë me kushëririn, 30 vite burg për babanë
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 30 vjet burgim për shtetasin Doksan Dushku, i cili një vit më parë vrau vajzën e tij Fatmira Dushku pasi kjo e fundit ishte shtatzënë dhe e pamartuar, gjë e cila nuk pranohej nga familja e saj. Autori e pranoi krimin dhe për këtë arsye, nga gjykata u vendos gjykimi me procedurë të përshpejtuar. Në bazë të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri përfiton uljen me 1/3 e dënimit. Gjithashtu, Prokuroria kërkoi dënimin me 1 vit burg për shtetasin Lulëzim Dushku (djali i autorit), i akuzuar për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Edhe ndaj këtij shtetasi, aplikohet ulja me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. 59-vjeçari Doksan Dushku, nga fshati Sllatinë e komunës Sllovë të rrethit Dibër ka marrë përsipër autorësinë e të shtënave mbi trupin e vajzës së tij të vetme, 21 vjeçe e cila priste të bëhej nënë, mbrëmjen e 27 majit. Fillimisht ngjarja u tentua të fshihej nga familjarët, duke e varrosur vajzën në mënyrë te fshehtë dhe duke pretenduar se vdekja ishte natyrale.
Drejtori i rrugëve ndërtonte karburantin me mjetet e shtetit
Drejtori i rrugëve rurale të Pogradecit do të procedohet penalisht pas abuzimit me detyrën. Valter Gora i cili urdhëronte punonjësit që me mjetet e ndërmarrjes të ndërtonin një pikë karburanti në pronësi të tij do të ndiqet në gjendje të lirë pas publikimit të rastit. Policia bëri me dije se Më datë 20.05.2015, nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Valter Gorën, 36 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Rrugëve Rurale, Pogradec. Procedimi ndaj tij filloi pasi sipas policisë “për shkak të detyrës,ky shtetas ka dhënë urdhra për përdorimin e mjeteve të ndërmarrjes nga vartësit, për punë private. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec,për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.
Zjarri në tragetin “Franceska”, 6 persona vihen nën hetim
Gjashtë persona janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Barit për zjarrin e rënë në tragetin “Franceska” të linjës Bari- Durrës. Sipas medieve të vendit fqinj, të hetuarit janë dy përfaqësues ligjorë të kompanisë detare “Adria Ferries”, së cilës i përket trageti, kapiteni i mjetit lundrues, si dhe tre anëtarë të ekuipazhit të tij. Incidenti ndodhi në natën mes 12 dhe 13 majit, pak kohë pasi trageti me pasagjerë në bord, kishte nisur lundrimin drejt portit të Durrësit. Pas zjarrit të rënë, trageti u detyrua të kthehet në portin e Barit, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimin për zjarrvënie. Prokurorët e çështjes kanë bërë të ditur se po hetojnë për kushtet e sigurimit dhe kontrollit teknik, si dhe dokumentacionin e lëshuar për to. Këtë të shtunë, më 23 maj, pritet që të merren në pyetje ekspertët për të sqaruar shkaqet e zjarrit e më pas do të bëhen verifikimet përkatëse në tragetin që qëndron i ankoruar që nga dita e incidentit në portin e Barit.
Pranga djemve të Rrapush Xhaferrit, të dënuar me 10 vite burg
Dy djemtë e Rrapush Xhaferrit Pëllumb dhe Përparim Xhaferri janë vënë në pranga pasi ishi në kërkim prej vitesh sepse ishin të dënuar me burg. Siç ka bërë të ditur Policia e Tiranës dy të arrestuarit ishin të shpallur në kërkim pasi ndaj tyre ishte dhënë një dënim prej 10 vitesh. Ata akuzohen për “krijim firmash piramidale” dhe “mashtrime në shuma të mëdha”. Gjithashtu Policia e Tiranës ka vënë në pranga edhe 9 persona të tjerë të shpallur në kërkim. Sipas burimeve zyrtare, ka nisur zbatimi i planit të masave investiguese lidhur me identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim në kryeqytet. Të arrestuarit e orëve të fundit ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, si kanosje, armëmbajtje pa leje, prishje të qetësisë publike, vjedhje etj. Më konkretisht; Fejzulla Gjoshi, 52 vjeç, është dënuar me dy muaj burg nga Gjykata e Tiranës në akuzën e dhunës në familje. Çlirim Xhemollari ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje, ndërsa Ilir Vata, Fatjon Baraku dhe Armand Vokshi kërkoheshin në akuzën e vjedhjes; ndërsa Alfred Rrapo akuzohet për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Dy vëllezërit, Eduard dhe Alfred Ndoci ishin shpallur në kërkim për kanosje, prishje të qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje. Një tjetër person i kapur është edhe Besnik Çoka, 33 vjeç, i cili është dënuar me 30 ditë burg për drejtim automjeti në mënyrë të parregullt.




