Raport nga FMN: Qeveria s’e menaxhon si duhet krizën, gati taksa të reja

Ervin Kaduku

mbledhje qeverie–   Fondi Monetar rendit për herë të parë formën e re koncesionare ku shteti hyn në partneritet me privatët si një ndër rreziqet kryesore për stabilitetin buxhetor

Fondi Monetar ka paraqitur raportin e radhës, që përpilohet një herë në tre muaj, në përputhje me marrëveshjen e vitit të kaluar me qeverinë shqiptare për ndihmën financiare. Edhe këtë herë, misioni i tij e ka patur të vështirë të gjejë suksese në performancën e administratës qeveritare, ndërkohë që konstaton rreziqe të shumta fiskale, duke filluar nga rënia e çmimit të naftës, rritja e madhe e deficitit të llogarisë korrente, niveli i lartë i kredisë së keqe, etj. Nisur nga këto, FMN kërkon me ngulm implementimin e taksave të reja, duke filluar nga ajo mbi tokën bujqësore, edhe po nuk solli të ardhura.

 

Ja konstatimet kryesore të ekspertëve të misionit.

Zhvillimet ekonomike

Rimëkëmbja ekonomike është duke vazhduar, por mbetet nën potencialet. Çmimi i ulët i naftës pritet të ketë një efekt negativ në rritjen dhe në bilancin e pagesave. FMN pranon që ulja ne çmimit të naftës do ketë ndikim tek të ardhurat e qeverisë në buxhet. Në raportin e fundit të publikuar, FMN rendit 4 impaktet kryesore që ka rënia e çmimit të naftës. Së pari, ajo e lidh me uljen e inflacionit. Së dyti, me ndikimin tek të ardhurat. Së treti me llogarinë korrente, që në terma afatmesëm do jetë negative. Dhe së katërti, ndikimin edhe në totalin e rritjes ekonomike.

Në raport theksohet edhe struktura e taksave, që vilet nga nafta, ku FMN vlerëson se rënia e çmimit në bursa, nuk u reflektua në nivelet e pritshme, pikërisht për shkak të kësaj strukture.

Ulja e çmimit të naftës ndikon tek ulja e tatim fitimit që derdhin kompanitë në buxhet, tek TVSH-ja, por edhe tek investimet, sepse investitorët që janë aktivë në treg, duke bërë kërkime dhe nxjerrje nafte, kanë më pak interes kur çmimi është i ulët.

Problem tjetër mbetet niveli i lartë tek kreditë me probleme bën që bankat, përballë rrezikut të moskthimit të huave, të kufizojnë dhënien e kredive, pavarësisht lehtësimit monetar, të ndërmarrë nga banka qendrore.

 

Papunësia

Shkalla e papunësisë është e lartë, në 18 për qind, por punësimi është rritur në krahasim me vitin e kaluar.

 

Llogaria korrente

Bilanci i llogarisë korrente me jashtë është përkeqësuar në vitin 2014. Deficiti tregtar u zgjerua, edhe për shkak të importeve të energjisë elektrike emergjente. Një rënie e vazhdueshme në remitancat, kryesisht ato që vijnë nga BE-ja, ka çuar në zgjerimin e deficitit të llogarisë korente. Në anën tjetër, investimet e huaja direkte rezultojnë në rënie, krahasuar me nivelet e larta të vitit 2013, kur ndodhi privatizimi i disa hidrocentraleve, por dhe për shkak të rënies së investimeve në sektorin e naftës.

 

Deficiti

Gjatë vitit 2014 pati një rritje të madhe të deficitit buxhetor, që kaloi në 5.8 për qind të PBB-së (nga 5.2 për qind në 2013). Kjo, si pasojë e rritjes së shpejtë të shpenzimeve, kryesisht për të mbuluar krizën financiare në sektorin e energjisë elektrike me subvencione nga shteti.

 

Investimet

Sasia e investimeve në vlerë gjatë vitit të kaluar ishte 10 për qind më e ulët se ajo, që ishte parashikuar në buxhetin fillestar 2014, duke reflektuar problem në koordinimin mes pushtetit qendror dhe atij vendor.

 

Borxhi publik

Shifra e borxhit u rrit në 72.6 për qind të PBB-së në fund të vitit 2014, nga 71 për qind e parashikuar më parë. Pavarësisht rregullimit të rëndësishëm fiskal në vitin 2014, borxhi i Shqipërisë mbetet i lartë dhe paraqet rreziqe të konsiderueshme. Rreziqet që lidhen me borxhin e lartë mbeten kritike për Shqipërinë dhe stabilitetin e saj makroekonomik. Borxhi i lartë pengon rritjen dhe mund të pengojnë rimëkëmbjen ekonomike.

 

Rreziqet për ekonominë

Rreziqet për programin ekonomik të qeverisë mbeten të hapura. Tensionet politike dhe sociale mund të rritet përpara dhe gjatë zgjedhjeve lokale në mes të 2015-ës dhe të ndikojnë negativisht mbi zbatimin e axhendës ambicioze të reformave. Reformat në sektorin e energjisë elektrike rrezikojnë të mos zbatohen dhe do të kërkonin një angazhim të qendrueshëm politik në periudhë afatmesme.

 

Koncesionet? Të rrezikshme

Koncesionet me Partneritet Publik –Privat janë rreziku më i ri fiskal që po i kanoset vendit. Fondi Monetar Ndërkombëtar rendit për herë të parë formën e re koncesionare ku shteti hyn në partneritet me privatet si një ndër katër rreziqet kryesore për stabilitetin buxhetor të vendit. “Partneriteti Publik –Privat (PPP)” mund të jetë një mënyrë efektive për të shfrytëzuar knoë-hoë dhe ekspertizën e menaxhimit sektorit privat. Megjithatë, ata mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme për financat publike” referon FMN në marrëveshje.

Sakaq qeveria është përfshirë në një valë koncesionesh me partneritet privat. Më i bujshmi ka qenë koncesioni  për “check up” e shërbimit bazë shëndetësor, me një vlerë 7.3 miliardë lekë për një periudhë 10 vjeçare. Koncesioni i përfolur për mungesën e transparencës në detajet e kontratës, do të ketë impakt në buxhet nëse kompania “Marketing & Distribution” nuk realizon numrin e vizitave të programuara. Po në sektorin e shëndetësisë është duke u bërë gati dhënia me koncesion për shërbimin laboratorik dhe për sterilizimin.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar me herët se ka gati mbi 60 koncesione për të dhënë në formën e partneritetit publik që përshijnë që nga investimet në infrastrukturë dhe deri tek shërbimet publike.

 

Taksa mbi tokat, më 2017

FMN e bën fakt të kryer vendosjen e një takse të re mbi pronat e paluajtshme duke filluar nga viti 2017, pasi të jetë plotësuar kadastra fiskale për tokat bujqësore më 2016. Kjo do të thotë që pronari i një toke do të paguajë vit për vit një taksë për të, pavarësisht në se ajo i sjell fitim apo jo. Në të kundërt, shteti e konfiskon dhe e shet në ankand.

Kjo bën pjesë në një kalendar, të publikuar në rishikimin e katërt të marrëveshjes se FMN me qeverinë shqiptare. Tatimi i ri mbi pasurinë bën pjesë në rezervën fiskale që FMN i ka sugjeruar Shqipërisë për rritje të mëtejshme të të ardhurave.

 

Mosrealizimi i të ardhurave, gati rishikimi i buxhetit

Mosrealizimi i të ardhurave për katër muajt e parë të vitit, pritet të shoqërohet me ndryshime në buxhetin e shtetit. Burime kofidenciale nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se po shikohet mundësia e rishikimit të buxhetit të shtetit.

Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave në buxhet për periudhën Janar­-Prill 2015 është 121 miliardë lekë. Edhe pse janë më të larta në vlerë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, përsëri janë larg planifikimit fillestar dhe të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë me ulje nga vjet, por me mosrealizim të theksuar ndaj planit. Kështu, duket se ndryshimet në buxhet janë të pashmangshme. Por ngelet akoma e “pazbuluar” se ku do të jetë kjo ndërhyrje në zërin e shpenzimeve operative apo ato kapitale. Ndërhyrja më e mundshme do të ishte tek ato operative, pasi jemi në një vit elektoral dhe ulja e nivelit të investimeve do ndikonte negativisht.

Parashikimi për të ardhurat buxhetore për vitin 2015 arrin në 414.5 miliardë lekë, pra rreth 13% më shumë se në vitin 2014, ndërsa shpenzimet llogariten në vlerën e 472.6 miliardë lekëve, me një defiçit prej 58.2 miliardë lekësh.

 

Edhe Italia jep dritë jeshile për gazsjellësin TAP

Ministrja italiane r Zhvillimit Ekonomik Federica Guidi nënshkroi një urdhër duke autorizuar ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Ministria njoftoi se ky është veprimi i fundit në zbatimin e ndërtimit të TAP, i cili do të sjellë gazin e Azerbajxhanit nga Shah-Deniz në Evropë.

“Urdhëri autorizon ndërtimin dhe funksionimin e tubacionit”, thoshte deklarata. “Ajo miraton projektin dhe krijimin e shpejtë të infrastrukturës, duke përfshirë edhe një zgjidhje për çështjen e tjetërsimit të tokës. Ndërtimi i tubacionit do të fillojë 16 maj 2016 dhe duhet të përfundojë deri më 31 dhjetor, 2020.”

Projekti është i një rëndësie strategjike për Italinë, e për të gjitha shtetet që do jenë përfshirëse, sikurse vendi ynë, pasi furnizimi me gaz do të sjellë një diversifikim të furnizimit me energji.

TAP ka për qëllim të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik në Italinë e Jugut dhe më tej në Evropën Perëndimore. Gjatësia totale e tubacionit është rreth 870 kilometra.

Ndërtimi i tubacionit pritet të fillojë në kapacitetin fillestar 2016. TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit, duke pritur të zgjerohet në 20 miliardë metra kub në vit.

 

Shtohen ndërmarrjet italiane në Shqipëri

Në vitin 2014 ndërmarrjet e huaja që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë u shtuan me 12.6%. Sipas të dhënave të INSTAT 591 kompani të reja me kapital të tërësisht të huaj, por edhe në bashkëpunim me bizneset vendase janë hapur vitin që shkoi.

Shteti që kryeson hapjen e bizneseve të reja në vendin tonë është Italia. Të dhënat tregojnë se, numri i kompanive italiane në vitin 2014 u rrit më 19 për qind në krahasim me 2013, ku rreth 364 ndërmarrje italiane kanë hapur aktivitetin e tyre rishtas në vendin tonë.

Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta zënë rreth 4.7% të ndërmarrjeve gjithsej për vitin 2014. Pronarët apo bashkëpronarët e huaj më së shumti janë italianë, me 43.2 %. Edhe gjatë viteve të mëparshme, pronarët dhe bashkë- pronarët nga Italia kanë qenë mbizotërues.

Të përfshirë në një krizë të zgjatur ekonomike shumë biznese italiane po e shohin Shqipërinë si një mundësi të mirë për transferimin e aktiviteteve të tyre të biznesit, kryesisht për shkak të kostove të lira të punës dhe afërsisë gjeografike.

Siç mësohet nga të njëjtat burim numri më i madh i ndërmarrjeve italiane ka është i përqendruar në prodhimin tekstileve dhe këpucëve. Kjo u pa edhe në rritjen e eksportit të këtij sektori të cilat vitin që shkoi pësuan një rritje me mbi 25%.

Gjithashtu shihet një prani në rritje e bizneseve greke, edhe pse në vlera me modeste. Bizneset greke vijnë të dytat për nga numri i kompanive në tregun shqiptar. Gjatë vitit që shkoi prania e bizneseve greke u shtua edhe me 24 kompani të tjera.

 

Aeroporti i Kukësit drejt aktivizimit

Drejtori i Zhvillimit Aeroportual të kompanisë ajrore hungareze “low-cost” Wizz Air, i shoqëruar nga përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, ka zhvilluar një vizitë inspektuese në Aeroportin e Kukësit, për të parë nga afër gjendjen e këtij aeroporti, me qëllim shqyrtimin e mundësisë së fillimit të operimit të fluturimeve nga ky aeroport drejt destinacioneve evropiane. Kompania ajrore hungareze Wizz Air është kompania më e madhe e transporit ajror që operon aktualisht në Maqedoni.

Aeroporti i Kukësit përfundoi së ndërtuari në vitin 2006, por asnjëherë nuk u vu në punë, për shkak të ekskluzivitetit mbi fluturimet ndërkombëtare, që gëzon operatori i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, për periudhën 20 vjeçare 2005-2025, ekskluzivitet që iu dhurua nga qeveria Nano.

Dy javë më parë, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi nga Kukësi se negociatat me konçensionarin TIA janë drejt përfundimit, ç’ka do të lejojë vënien në funksion të Aeroportit të Kukësit, që pritet të ketë një ndikim direkt në ekonominë e qytetit të Kukësit dhe në punësimin e mbi 200 personave nga kjo zonë.

Gjatë vizitës së tyre inspektuese, përfaqësuesit e Wizz Air u shprehën me pozitivitet për gjendjen aktuale të Aeroportit të Kukësit dhe treguan gadishmëri për bashkëpunim me autoritetet shqiptare për fillimin e operimit nga ky aeroport, kur të drejtat ekskluzive mbi fluturimet ndërkombëtare të TIA të jenë hequr.

 

Sipërmarrësit kujtohen për sektorin bujqësor

Bujqësia ishte sektori ekonomik me zgjerimin më të madh të numrit të bizneseve aktive gjatë vitit 2014. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i bizneseve të sektorit të bujqësisë dhe peshkimit arriti në 2260, me një rritje prej afro 34% krahasuar me vitin 2013. Rritja e numrit të sipërmarrjeve të reja bujqësore është një sinjal i rritjes së ndjeshme të vëmendjes së nismës private ndaj këtij sektori.

Rënia e ciklit prodhues të sektorëve të tjerë dhe veçanërisht e ndërtimit ka sjellë nevojën për të orientuar kapitalet drejt sektorëve të tjerë, kryesisht nga bujqësia. Në vitet e fundit, bujqësia ofron edhe mundësinë e përfitimit të subvencioneve nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare, çka përveçse rrit interesin për sektorin, është edhe një shtysë për të rritur nivelin e formalizimit. Sektorët e tjerë si tregtia apo shërbimet kanë regjistruar rritje modeste të numrit të ndërmarrjeve aktive, ndërsa një rënie e ndjeshme është vërejtur në sektorët që kanë shfaqur performancë të dobët në vitet e fundit, si ndërtimi apo transporti.

Në sektorin e ndërtimit, numri i ndërmarrjeve aktive është tkurrur me 5%, ndërsa në sektorin e transportit rënia është 5.8%. Për t’u përmendur është edhe rënie me rreth 1.7% e ndërmarrjeve aktive në sektorin e industrisë. Këto të dhëna japin disa sinjale të orientimit të kapitaleve drejt degëve të reja, ndonëse profili i ekonomisë ngelet ende i orientuar qartësisht nga tregtia dhe shërbimet.

 

Konsulenca financiare, tani edhe me robotë

Një nga revolucionet më të mëdha të menaxhimit financiar të mijëvjeçarit të ri janë edhe të ashtuquajturit këshilltarët robotikë. Sipas një studimi të fundit, kjo kategori konsulentësh, deri në vititn 2014, menaxhonte rreth 19 miliardë euro, me një rritje prej 65% vetëm gjatë 9 muajve të fundit të vitit të shkuar. Investitorët e mëdhenj amerikanë kanë financuar masivisht platforma të tilla. Kjo lloj platforme online ofron për klientët zgjidhje më kursimtare për të investuar, mbi bazën e algoritmeve të rrezikut. I ashtuquajturi robot klasifikon klientin në bazë të profilit të tij të rrezikut duke analizuar më pas kombinimin më të saktë rrezik­-rendiment që mund t`i përshtatet profilit në fjalë. Pak a shumë diçka e tillë është një lloj konsulence financiare virtuale, duke ofruar shërbime më eficente me një çmim të konkurrueshëm. Këto lloj platformash synojnë thjeshtësinë dhe cilësinë për klientët e tyre. Ekspertët parashikojnë që ky model i ri biznesi i bazuar mbi transparencën të reduktojë kostot e konsulentëve tradicional, duke e paralelizuar një fenomen të tillë me atë që i ndodhi kompanive ajrore me hyrjen në treg të kompanive loë cost. Ky lloj tregu ofron një potencial gjigand, dhe për këtë arsye nuk kanë munguar as investimet. Gjatë vitit të shkuar në inovacionin e teknologjisë financiare në rang global janë investuar rreth 485 miliardë euro. Por në Europë ky lloj tregu vazhdon të jetë i brishtë, pasi vetëm një e dhjeta e konsumatorëve raportohet të përdorin këto lloj platformash.

Share it :