Dy rivalët politikë në Maqedoni kanë qëndrime tejet të kundërta për sa i përket zgjidhjes së krizës politike, që po zgjat prej disa muajsh. Vazhdojnë protestat në Shkup
Bisedimet mes Kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski dhe drejtuesit të opozitës Zoran Zaev për zgjidhjen e krizës në vend, janë zhvendosur në Strasburg, ku tre deputetë të Parlamentit Evropian po ndërmjetësojnë bisedimet. Fillimisht, Zaev është takuar me eurodeputetët Ivo Vajgël, Richard Howitt dhe Eduard Kukan. Takimi me këta të fundit do të pasohet veçmas nga Gruevski dhe më pas pritet që të mbahet një takim i përbashkët. Bëhet e ditur se edhe komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, do të ketë takim me drejtuesit politik maqedonas.
Qëndrimet e rivalëve
Dy rivalët politikë kanë qëndrime tejet të kundërta për sa i përket zgjidhjes së krizës politike, që po zgjat prej disa muajsh. Zoran Zaev i opozitës ngul këmbë për dorëheqjen e Kryeministrit Gruevski dhe të qeverisë së tij për t’i hapur rrugë një qeverie të përkohshme që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, zoti Gruevski në këtë fazë, e ka kundërshtuar propozimin, duke thënë se gëzon mbështetjen dhe vullnetin e popullit dhe të votuesve. Pas një jave, bisedimet do të vazhdojnë në Shkup, me përfshirjen edhe të dy përfaqësuesve politikë shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Kriza u thellua sidomos pas daljes në skenë të skandalit të përgjimeve, për të cilin opozita thotë se janë mbi njëzet mijë qytetarë të cilëve u janë përgjuar bisedat telefonike.
Kundërmitingu i Gruevskit
Pas mitingut të VMRO-DPMNE-së të hënën mbrëma para Parlamentit në Shkup, disa përkrahës të kësaj partie kanë ngritur tenda përballë Parlamentit, për të shprehur kështu mbështetjen ndaj partisë së tyre. Ata thonë se do të mbeten aty “për ta mbrojtur demokracinë dhe vullnetin e shumicës së votuesve të shprehur në zgjedhje dhe deri sa të mos ketë rrezik nga Lidhja Social-Demokrate dhe organizata Soros ndaj institucioneve dhe interesave shtetërore”. Veprimi i tyre është kundërpërgjigje ndaj mbështetësve të opozitës maqedonase e cila që nga e diela kanë vendosur tenda para ndërtesës së qeverisë, një kilometër larg kundërshtarëve të tyre politikë, në pritje të dorëheqjes së Kryeministrit Nikolla Gruevski dhe qeverisë së tij. Protesta e së dielës e opozitës dhe mitingu i së hënës i partisë maqedonase në pushtet mblodhën një masë të madhe njerëzish, që nuk mbahet mend, mbase nga pavarësia e Maqedonisë. Por, nëse në protestën e opozitës u pasqyrua një paraqitje shumetnike si simbol i të ardhmes së barabartë të popujve të këtij vendi, kritikët në mitingun e VMRO-së dalluan një paraqitje të forcës përmes fjalimeve të përshkuara nga gjuha e urrejtjes.
Fjalimi i Gruevskit
Kryetari i partisë dhe Kryeministër, Nikolla Gruevski u tha të tubuarve të hënën se “Maqedonia nuk ka nevojë për udhëheqës që e vënë vetën në shërbim të shërbimeve të huaja të zbulimit”, duke ju referuar udhëheqësit të opozitës Zoran Zaev. “Mesazhi ynë është se ne nuk do të tërhiqemi. Ata po kërkojnë dorëheqjen time kundër vullnetit të popullit”, – tha Nikola Gruevski Ai tha se numri i pjesëmarrësve të tubimit është “disa herë më i madh se ai i opozitës”. Kritikët, ndërkaq, vërejnë se pushteti, si qendror edhe ai vendor u kanë bërë trysni punonjësve të administratës që me doemos të dalin në miting duke sjellë me vete edhe anëtarë të familjes ose miq të tyre. Në anën tjetër, protestuesit e opozitës të cilët kanë vendosur tendat para ndërtesës së qeverisë për të kaluar netët, thonë se do të rrinë aty deri sa kryeministri Gruevski dhe qeveria e tij të japin dorëheqje.
Kriza dhe publikimi i përgjimeve nga opozita
Kriza në Maqedoni, që filloi menjëherë pas zgjedhjeve të prillit, 2014, pasi Lidhja Social-Demokrate nuk i njohu rezultatet dhe ngriti akuza për manipulime, duke bojkotuar si rrjedhojë edhe punën e Parlamentit, u shkallëzua edhe më tej me skandalin e përgjimeve. Opozita thotë se janë mbi njëzet mijë qytetarë të vendit të cilëve u janë përgjuar bisedat telefonike. Në këtë kuadër, opozita posedon përgjime edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët dëgjohen, nga sa është publikuar, duke biseduar për manipulime të ndryshme si në gjyqësor, në zgjedhje, biznese, media etj.
Takimet në Maqedoni dhe kërkesat e opozitës
Katër drejtuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni u takuan të hënën në një raund të dytë për të kërkuar një zgjidhje të krizës politike që ka kapluar vendin, por pa rezultat. Në takimin e ndihmuar nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, Jess Baily dhe Aivo Orav, ende nuk janë hapur temat e bisedimeve; madje drejtuesi opozitar Zoran Zaev ende nuk i quan bisedime. Kërkesa e opozitës maqedonase ka të bëjë me një qeveri, e cila mund të jetë e përbërë nga ekspertë, nga administrata ose mund të jetë dhe politike, që do ta kthejë vendin drejt normalitetit dhe të krijojë kushte për zgjedhje të parakohshme, siç tha zoti Zaev.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa: Nuk kishim informacione për Kumanovën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mohoi se ka pasur informacione paraprake për atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë më 9 dhe 10 maj. Në një komunikatë të zyrës së tij thuhet se Kryeministri Mustafa ka shprehur shqetësimin lidhur me, siç thuhet, “tendencat për manipulimin e opinionit se gjoja Kryeministri ka pasur informata nga Agjencia e Inteligjencës lidhur me ngjarjet që mund të ndodhnin në Kumanovë”. Opozita në Kosovë pohon se autoritetet kishin informacione të sakta nga Agjencia e Zbulimit për lëvizje të personave të armatosur nga Kosova në Maqedoni dhe se informacionet e tilla janë shpërndarë që në muajin shkurt. Në komunikatën e zyrës së Kryeministrit thuhet se “po që se Kryeministri i Republikës së Kosovës do të dispononte me informata të tilla, jo vetëm që me urgjencë do të kërkohej nga institucionet e sigurisë për të ndërmarrë të gjitha veprimet parandaluese, por një gjë e tillë do të kërkohej edhe nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë, me qëllim të parandalimit të humbjes së jetës së njerëzve dhe dëmtimit të pronës”. Kryeministri i Kosovës bën thirrje me ketë rast “për përmbajtje nga ndërhyrjet në punën e pavarur të organeve të drejtësisë, duke konsideruar se ndërhyrjet e tilla nuk i shërbejnë sundimit të rendit dhe ligjit, për të cilin do të duhej të ishim të përkushtuar të gjithë”. Po ashtu ai bën thirrje për një hetim të pavarur, objektiv dhe gjithëpërfshirës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe pasojave të cilat kanë çuar në viktima në njerëz dhe dëme të shumta të pronave dhe për shkak të rrethanave, ky hetim të mbështetet edhe nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Autoritetet e rendit në Kosovë thanë se në bazë të informacioneve që kanë marrë nga Shkupi zyrtar, nëntë shtetas të Kosovës kanë humbur jetën në ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë, ndërsa 21 shtetas të tjerë të Kosovës janë të arrestuar.




