Nga Avni Nezaj
Ka më shumë se 10 ditë që mediet e Ballkanit, të Evropës dhe ato të SHBA-së po merren me Maqedoninë dhe me fatin e këtij shteti të sajuar, pa histori dhe pa flamur. Shkak për këtë përmbytje informatash është bërë vrasja e disa ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe arrestimi i disa prej tyre nga policia e IRJM-së. Në vorbullën e trekëndëshit të Bermudës më shfaqet duke qeshur edhe Ali Ahmeti, një lider enigmatik i shqiptarëve të Maqedonisë dhe që qysh prej disa vitesh po qeveris me maqedonasit e Gruevskit.
Heshtja e tij prej disa ditësh për ngjarjen e rëndë në Kumanovë, ku një lagje e tërë u bombardua, u mitralua dhe u dogj nga policia maqedonase ia ka ulur reputacionin si një ish-luftëtar për liri që pranoi të çarmatosej në Ohër dhe të vijonte bashkëpunimin me ata që dikur i kishte luftuar me armë, duke pasur në krah edhe disa prej atyre që u vranë apo u arrestuan nga policia e shtetit të Aliut. Prandaj, Ali Ahmeti duhet të flasë.
Nuk kam mundur të besoj se ai mund të ketë dorë në besëprerjen e atyre luftëtarëve, por kam parë me sytë e mi dhe nuk kam dëgjuar me veshë që ai të ketë folur dhe shpjeguar qartë pozicionin e tij. Opozita në Maqedoni përditë nxjerr zëra skandalozë të qeveritarëve të Gruevskit që denigrojnë shqiptarët, e Aliu nuk flet, nuk shprehet, nuk reagon.
Ali Ahmeti e ka kohën me folë.
Edhe shteti shqiptar nuk foli, edhe shteti i Kosovës nuk foli ashtu siç duhet të flasin, flisnin, por erdhi në Tiranë i nderuari Erdogan dhe foli. Nëse nuk folën shqiptarët e tjerë, pse nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë Ali Ahmeti që i ka marrë zjarr oda e shtëpisë.
Në kuadër të kujt duhet të binden shqiptarët që të heshtin dhe të mos reagojnë as kur u sajohen histori vrasjesh, as kur u digjen shtëpitë, as kur u vriten heronjtë, as kur denigrohen e fyhen çdo ditë duke u konsideruar si qytetarë të dorës së dytë.
Nëse nuk flet Ali Ahmeti, atëherë dikush tjetër duhet të flasë.
Nuk është aspak e frikshme të thuash të vërtetën, edhe nëse është në disfavorin tënd politik. Duhet ta thuash, sepse nëse e individualizon çështjen dhe nuk e shpërndan, duhet të përballesh me pasojat e saj në mënyrë individuale. Ali Ahmeti duhet t’u shpjegojë bashkëkombësve të tij se çfarë ka ndodhur në Kumanovë ose të deklarojë publikisht se nuk di gjë dhe se është rastësisht pjesë e atij shteti dhe asaj qeverie.
Pas protestës së madhe në Shkup nuk e di nëse i ngelet gjë për të thënë Ahmetit, që është kthyer në një patericë e atij që ia kërkon gjithkush largimin apo do të presë si të rrokullisen vetvetiu ngjarjet.
Ali Ahmeti është vënë në shënjestër edhe të akuzave të ndryshme, komplotesh, tradhtie etj. Ky njeri i shkurtër nuk ka asnjë arsye të bëhet edhe njeri i vogël, sepse historia është si lumi, bërllokun e lë rrugës.




