Deklarata e Brukselit/ BE: Zgjedhje me standarde. Hahn: Hapja e negociatave? Duhen cilësi në reforma

 

komisionerBushati: Shqipëria në kursin e duhur sa u përket reformave, klimë konstruktive në Parlament

Bashkimi Evropian kërkon plotësimin e standardeve në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në kuadër të Këshillit të 7 të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri të mbajtur në Bruksel ku për herë të parë mazhoranca dhe opozita u shfaqën me qëndrime më të përafruara se vitet e shkuara, BE theksoi rëndësinë e procesit të dekriminalizimit. Në deklaratën e përbashkët përfundimtare theksohej rëndësia e standardeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat sipas BE-së ofrojnë një mundësi shtesë për Shqipërinë, që të tregojë vendosmëri për zbatimin e marrëveshjes politike të Dhjetorit, duke trajtuar çështjen e personave me të dhëna kriminale në poste publike. “Mund të konfirmoj, se zgjedhjet lokale janë gjithashtu të monitoruara nga Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian dhe ato do të luajnë një rol të rëndësishëm për procesin vlerësues përfundimtar”, – tha ministri i Jashtëm i Letonisë Edgars Rinkevics, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së.

 

Konferenca

Në konferencën e përbashkët me Rinkevics dhe me ministrin e Jashtëm shqiptar Bushati, Komisioneri për Fqinjësinë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn deklaroi se rëndësi parësore për hapjen e negociatave ka cilësia e reformave. “Kjo lidhet me cilësinë dhe jo me shpejtësinë, por kam kuptuar se Shqipëria tenton të harmonizojë shpejtësinë me cilësinë. Nuk dua të parashikoj asgjë, por për momentin jam mjaft pozitiv, se Shqipëria mund të dëshmojë gjurmë provash solide e të qëndrueshme në reformat respektive mbi 5 prioritetet kyçe. Ne, besoj se do të nisim me vlerësimin paraprak në fillim të vjeshtës, ku do të shohim edhe se cilat do të jenë përfundimet tona për raportin e progresit”, – tha ai. Ndërkaq kryediplomati shqiptar tha: “Shqipëria është në kursin e duhur, si për sa i përket zbatimit të reformave, ashtu edhe për krijimin e një politike më konstruktive në Parlament, në radhë të parë. Jam i gëzuar gjithashtu që sot, si delegacion shqiptar, së bashku me ministren e Integrimit Gjosha dhe zonjën Bregu, si kryetare të Komisionit të Integrimit Evropian, për çështje që kanë të bëjnë me interesin më madhor kombëtar të Shqipërisë, ne ishim në një zë, sikundër për nevojën që procesi i integrimit evropian të intensifikohet”.

 

Debati në Kuvend/ Heqja e kompetencave, Fino kundër: Koordinoni ligjin. Ahmetaj: Vendorët  dëmtuan turizmin

Heqja e kompetencave pushtetit vendor për dhënien e tokave për investime në turizëm solli debat dje në diskutimin e projektligjit të ri në komisionin e Ligjeve. Deputeti socialist Bashkim Fino, njëkohësisht një nga kryesuesit e reformës administrative territoriale kërkoi një harmonizim më të mirë të ligjit të turizmit me atë të reformës territoriale në mënyrë që të mos ketë përplasje në rastet e dhënies së hapësirave për investime. “Më shqetëson dhe duhet një koordinim më i plotë midis ligjit të 2014 për planifikimin e territorit, ndarjes territoriale, që kemi bërë dhe ligji i turizmit duhet të jenë në sinkronë për të mos pasur përplasje”, – tha ai. Nga ana e tij ministri Arben Ahmetaj tha se ky ligj është një masë e domosdoshme në një moment që pushteti vendor e ka dëmtuar turizmin. “Historia 22-vjeçare në shumicën e rasteve në zhvillimet e territorit në dorë të njësive vendore tregoi se është influencuar nga interesat e vogla”, – pohoi ministri i Ekonomisë dhe Turizmit. Ndërkohë në diskutimin e projektligjit për investimet strategjike, deputeti Fatmir Mediu ngriti si shqetësim daljen e kapitalit jashtë vendit. “Në një kohë që tentojmë të bëjmë ligjin për thithjen e investimeve strategjike, kemi investime që largohen nga Shqipëria”, – tha kreu i PR-së.

 

Share it :