Ervin Kaduku
– Qeveria gati të kalojë në planin “B”, të rënë dakord me FMN-në, për të rritur taksat e qytetarëve, të cilët detyrohen të paguajnë kostot e korrupsionit dhe paaftësisë
Ajo që pritej, duket se po ndodh: borxhi publik është kthyer tashmë në një ortek, që ka marrë revanin dhe qeveria “Rama” nuk është në gjendje ta ndalë. Kjo ka ndodhur se nuk janë dëgjuar specialistët e financave dhe opozita, të cilët paralajmëruan kundër rrugës më të lehtë, asaj të marrjes masive të huave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore për të shlyer borxhe të tjera. Kjo është rruga që ka ndjekur Greqia, e cila po rrëshqet në humnerën më të thellë të recesionit.
Rreziqet e rritura të krizës së borxhit i konstatojnë tani edhe ata që e dhanë “me bujari” të theksuar këtë borxh.
Edhe pse Shqipëria aktualisht ka nivelin më të lartë të borxhit në raport me PBB me vendet e tjera të Rajonit është duke rritur me ritme më të përshpejtuara edhe borxhin e ri. Sipas të dhënave krahasuese rajonale të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria që nga viti 2013 e ka krijuar sistematikisht një deficit buxhetor (borxhi i ri) më të lartë se mesatarja e rajonit. Në vitin 2013 deficiti buxhetor i Shqipërisë ishte -5.6 për qind, ndërsa mesatarja rajonale ishte -4.4 %. Në vitin 2014 deficiti i Shqipërisë ishte -5.6, ndërsa rajoni -5.1. Ndërsa këtë vit mesatarja e Rajonit për deficitin është planifikuar të jetë në -4.6 %, ndërsa Shqipëria, ka planifikuar 4.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Mirëpo parashikimet e këtij viti rrezikohen të arrihen të paktën nga ana e Shqipërisë për shkak se, të ardhurave tatimore janë shumë poshtë planit të vitit dhe më të ulta se, fakti i vitit që shkoi.
Kështu që Ministria e Financave ose do të përdorë mekanizimin zgjerimit të deficitit buxhetor ose do të shkurtojë shpenzimet në mënyrë që të mbajë deficitin nën kontroll për shkak se, është edhe kusht në marrëveshjen e aktuale që po zbatohet me FMN.
FMN ka kërkuar vendosjen e rregullave ligjore që në vitet zgjedhore do të parandalojnë shterimin e parakohshëm të deficitit dhe borxhit publik të miratuar.
Një kombinim i presioneve politike dhe ndikimeve të krizës financiare çoi në rritje nën potencial të PBB-së e për rrjedhojë të ardhura në nivele substancialisht më të ulëta, sesa ato të planifikuara ndërkohë që, deficiti dhe borxhit publik u rritën.
BSH për ritmet e zhvillimit
Sipas Bankës së Shqipërisë, shenjat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare nuk janë të mira. Ndonëse në një masë më të ulët, rritja e vlerës së shtuar në ekonomi gjatë tremujorit të katërt 2014, vijoi të mbështetet kryesisht nga sektori i shërbimeve. Sektori i shërbimeve kontribuoi me 1.3 pikë përqindje në rritjen totale të ekonomisë në këtë periudhë. Sektori prodhues u ngadalësua dhe pakësoi masën e kontributit në rritjen ekonomike – nga 1.9 në 1.1 pikë përqindje – gjatë tremujorit të fundit. Kjo pasqyroi tkurrjen e prodhimit bujqësor dhe ngadalësimin e aktivitetit industrial, në një kohë që ndërtimi ishte dega e ekonomisë që kontribuoi në masën më të madhe në rritjen vjetore të vlerës së shtuar.
Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi rënie me 4.6 pikë në tremujorin e pare të vitit 2015. Kjo ecuri e treguesit sugjeron për moderim të ritmit të zgjerimit të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë. Megjithatë, niveli i besimit qëndron pranë mesatares historike afatgjatë.
INSTAT për zhvillimin
INSTAT-i i publikoi të dhënat e vlerës së shtuar bruto reale, sipas aktiviteteve ekonomike për tremujorin e katërt të vitit 2014, në datën 3 prill të vitit 2015. Meqenëse INSTAT-i nuk bën vlerësime tremujore të taksave dhe subvencioneve mbi produktet në terma realë, ecuria e prodhimit sipas sektorëve nëpër tremujorë analizohet vetëm për vlerën e shtuar bruto dhe jo në terma të prodhimit të brendshëm bruto. Të dhënat e publikuara janë rishikuar në një masë më të madhe për vitin 2014. Më konkretisht, në publikimin e muajit prill, rritja vjetore e vlerës së shtuar në tre tremujorët e parë ishte përkatësisht 1.6%, -0.2% dhe 3.9%. Ndërkohë, në publikimin e mëparshëm këto norma ishin respektivisht 1.4%, -0.4% dhe 3.3%.
Çfarë masash priten
Sipas burimeve nga ministria e Financave, pritet që qeveria, në përputhje me marrëveshjen e lidhur me FMN, duke qenë se nuk po arrin rezultatet në të ardhurat e parashikuara buxhetore, të vendosë Planin “B” për taksat. Kjo nënkupton sa më poshtë:
-Vendosja e një takse 2% për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës-Kukës
– Rritja e çmimit të energjisë
-Zbatimi i TVSH-së për telefonatat që vijnë nga jashtë vendit.
-Një taksë e sheshtë mbi të gjithë banorët që udhëtojnë jashtë vendit
-Reduktim i statusit të biznesit të përjashtuar nga TVSH për shërbimet arsimore
-Rritje e re e akcizës së cigareve
-Rritje e pagesës vjetore për makinat e përdorura me 50%
-Vendosja e TVSH-së mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës për ndërtimet me përqindje
Ajo që nuk thuhet nga pushtetarët aktualë është fakti që shqiptarëve do t’u ngarkohet të paguajnë nga xhepi paaftësinë dhe korrupsionin e tyre. Sipas një studimi të kohëve të fundit mbi ekonominë gri në Shqipëri, u vlerësua një nivel sa 35.1 për qind e PBB-së, sipas Bankës Botërore. Shmangia e taksave kryhet edhe me ndërmjetësimin e zyrtarëve të tatimeve, thuhet në raportin e BB. Një pjesë e madhe e ekonomisë gri, korrupsionit dhe institucioneve joefikase janë të lidhura me nivele të larta të evazionit të taksave. Banka Botërore thotë se, mangësitë e mëdha të taksave mund të mbyllen në mënyrë të konsiderueshme me forcimin e Administratës Tatimore dhe zbatimin e politikave ekzistuese për të zvogëluar mundësitë për korrupsion dhe evazion fiskal. Kërkohet gjithashtu aftësimi i Administratës Tatimore për të zbuluar mashtrimin dhe zvogëlimin e mundësive për evazion.
Detyrë e vështirë kjo, nga një administratë, që noton në korrupsion.
Shoqata e Bankave: Ulen depozitat e biznesit
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) publikoi të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e parë të vitit 2015 si dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin mars 2015, sipas të cilave totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1,311 miliardë lekë në fund të muajit mars, me rritje prej 1.3% përgjatë tremujorit. Sistemi bankar shqiptar vazhdon të mbetet likuid, me një raport të kredisë ndaj depozitave rreth 55%, dhe i qëndrueshëm, me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.8%, në fund të muajit mars.
Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të tremujorit të parë 2015 arriti në 1,079.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.7 % që nga fundi i vitit të kaluar, me një normë mesatare vjetore prej rreth 5%. Muaji janar shënoi një tkurrje të depozitave të cilat u ritën sërish në muajt shkurt dhe mars. Përgjatë tremujorit, depozitat e bizneseve dhe institucioneve paraqitën një rënie prej 1.8%, ndërsa depozitat e individëve kanë vijuar në rritje prej 1.1 %, në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Prirja e zhvendosjes së depozitave drejt atyre me afat më të gjatë maturimi, evidentuar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, vazhdoi dhe në tremujorin e parë të vitit 2015, duke reflektuar tendencën rënëse të normave të interesit, veçanërisht në monedhë të huaj për shkak të dinamikës së euribor-it.
Kreditë e akorduara pësuan rënie në janar, e cila u rikuperua duke shënuar rritje në muajt shkurt dhe mars, me një rritje të lehtë mesatare prej 0.4% për të gjithë tremujorin e parë 2015. Teprica e kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat në fund të muajit mars arriti 597 miliardë lekë. Performanca e dobët e rritjes së kredisë është përcaktuar kryesisht nga performanca e kredisë ndaj biznesit, e cila mbeti pothuajse e pandryshuar në krahasim me fundin e vitit të kaluar, ndërsa kredia për individët u rrit me 1.1% gjatë tremujorit të parë 2015. Kërkesa për kredi në sektorin privat mbetet e dobët, dhe bankat vazhdojnë të tregohen të kujdesshme në kredidhënien ndaj bizneseve, duke kushtuar vëmendje të veçantë ndaj cilësisë së projekteve të investimeve. Prirja e zhvendosjes drejt huadhënies në monedhën vendase, e cila u vu re dhe në tremujorët e kaluar, vazhdoi gjithashtu dhe në këtë tremujor.
Cilësia e portofolit të kredisë vazhdoi të mbetet e njëjtë përgjatë tremujorit të parë të 2015, duke shënuar një nivel prej 22.8% të kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit mars, njësoj si në fundin e vitit të kaluar, pas rënies në 22.5 % në muajin shkurt.




