Ekspozita “trup e shpirt” / Femrat nudo refuzohen në Kosovë, artisti i sjell në Tiranë

trup e shpirtArtistit të shumë çmimeve prestigjioze edhe ato të nivelit ndërkombëtar nuk i ka kaluar kërkesa për ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, të cilën e ka pranuar ajo e Tiranës. Arton Humolli mbi ekspozitën e tij të parë personale “Trup e shpirt”, ka thënë se në këtë ekspozitë janë 29 fotografi të përmbledhura nga periudha kohore e vitit 2009-2014

Fotografi nga Kosova, i cili rrëmbeu shumë çmime prestigjioze edhe në nivel ndërkombëtar dhe shumë prestigjiozë – Arton Humolli, këtë të premte do të hapë ekspozitën e tij të parë personale “Trup e shpirt”. Dyert e Galerisë Kombëtare në Tiranë do t’i hapin dyert për 29 fotografitë e fotografit, Humolli, fotografi këto që paraqesin gjininë e bukur, femrën si vepër arti. “Ekspozita thirret “Trup e shpirt”, është një përmbledhje e fotografive, është punë personale që i bije se nuk është e dedikuar për askënd tjetër por është thjeshtë për vete dhe për qëllime të mijat e jo të dikujt tjetër. Janë 29 fotografi të përmbledhura nga periudha kohore e vitit 2009-2014”, – thotë Humolli.

Në fotografitë e Artonit, si subjekt është femra, ku përmes fotografimit të trupit të femrave, ai paraqet anën sensuale dhe të bukur të gjinisë femërore. Objektivi i aparatit fotografik të Arton Humollit, ka fotografuar pesë modele nga Kosova.

Dhurata Lipovica, Ema Uka, Saranda Shala, Liberta Spahiu dhe Dafina Zeqiri, janë këto pesë muzat e Humollit në ekspozitën e tij të parë personale.

“Femrat që janë pjesë e kësaj ekspozite janë zgjedhur për të vetmen arsye që janë përshtatur në ekspozitë dhe normalisht që kanë qenë më të guximshme që ta pranojnë atë temë, pasi që fotografitë janë gjysmë të zhveshura, nudo, janë format e trupit. Ku femra është e paraqitur në formë arti, ku paraqitet si e bukur. Edhe në slogan kemi “e bukur, joshëse, e guximshme”. Që këto janë karakteristikë e gjinisë së bukur, ndërsa në anën tjetër kemi paraqitur sloganin “duaje, ruaje, çmoje”, me këto kemi dashur të themi që femrën duhet ta ruajmë, ta respektojmë si një vepër arti”, – vazhdoi më tej fotografi i çmimeve të shumta ndërkombëtare.

I pyetur se pse ekspozita do të hapet në Tiranë dhe jo në Prishtinë, Artoni tha se në Galerinë Kombëtare të Kosovës nuk i ishte dhënë hapësira për prezantimin e fotografive të tij.

“Unë kam aplikuar në Galerinë Kombëtare në Kosovë edhe në atë të Tiranës, në Tiranë është pranuar projekti dhe kam vendosur që ekspozitën ta hapi në Tiranë, përkundër asaj që në Kosovë kamë aplikuar dhe nuk është më është dhënë hapësirë”, – u shpreh Humolli.

“Puna ime ka shkuar shumë larg, mirëpo këtu në Kosovë, nuk më është dhënë hapësirë. Unë nuk i di arsyet pse nuk më është dhënë hapësirë, unë nuk e di pse ka ndodhur kjo. Komentet e njerëzve janë që duhet të kesh të njohur që të mundësohet ekspozimi, mirëpo, unë nuk kam dashur që t’i hyj kësaj pune”, – deklaroi Artoni. Punimet tani janë bartur në Tiranë dhe do të vendosen sonte në muret e Galerisë Kombëtare në Tiranë, duke qëndruar ekspozita e hapur deri më 25 maj.

Re. Ku.

Share it :