Gëzim Saliu
Presidenti turk përuron edhe xhaminë në Prezë, për atë të Namazgjasë dhurohen 30 milionë euro
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan vendosi dje në mënyrë simbolike gurin e parë të ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë në kryeqytet. Në kuadër të vizitës që zhvilloi në Shqipëri, së bashku me Presidentin Nishani ai përuroi dje nisjen e kësaj vepre për besimtarët myslimanë. “Kjo xhami, kur të përfundojë ndërtimin, në ambientet e brendshme të saj do të mund të falen 5000 persona. Do të jetë simbol i qartë dhe kuptimplotë i marrëdhënieve dhe lidhjeve mjaft të mira mes popujve tanë. Shpresoj që gjatë vizitës sime të ardhshme në Shqipëri, namazin e xhumasë ta mbaj në këtë xhami”, – tha ai. Po ashtu Presidenti turk ishte i pranishëm dje edhe në ceremoninë e hapjes së xhamisë në kalanë e Prezës. Nga ana e tij kreu i shtetit shqiptar e cilësoi Xhaminë e Namazgjasë si një vepër që do shërbejë për thellimin e miqësisë mes Shqipërisë dhe Turqisë. “Le të jetë Xhamia e Namazgjasë, kjo faltore kaq e merituar dhe e vonuar, për të gjithë besimtarët shqiptarë, një gur i ri kilometrik i shtuar në autostradën e miqësisë së sinqertë, që njerëzit e dy kombeve tona ndërtojnë përditë, me objektivin e qartë për një Ballkan dhe Evropë më të mirë, më të paqtë dhe më të sigurt”, – tha kreu i shtetit.
Mesazhi për Shqipërinë
Por duket se një tjetër çështje e rëndësishme e vizitës së Presidentit turk në vend ishte edhe ajo që lidhej me strukturën paralele që vepron në Stamboll, të cilën Erdogan bëri thirrje që autoritetet shqiptare ta largojnë nga Shqipëria. Edhe pse nuk i përmendi emrin, Erdogan mesazhin e tij drejt Nishanit në përurimin e xhamisë, si edhe Ramës të cilit tha se ia kishte dhënë në takimin dy palësh me të në Kryeministri, e kishte lidhur me lëvizjen “Gülen”. “Jeni në dijeni që në vendin tonë po luftojmë kundër një strukture paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht atë si një organizatë terroriste që kërcënon vendin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë edhe në Shqipëri. Unë me vëllezërit e mi të vyer, zotin Nishani dhe zotin Rama e trajtova këtë çështje dhe kam bindjen që ata do të bëjnë atë që duhet. Unë kam bindje e plotë se institucionet shqiptare nuk do të tolerojnë këtë organizatë dhe anëtarët e saj. Turqia me kryesinë e çështjeve fetare dhe me institucionet e tjera është e aftë të sigurojë të gjitha ato shërbime që kjo organizatë ka bërë këtu në Shqipëri. Për këtë çështje duhet të jemi të qartë, duhet ta kemi të qartë”, – tha Erdogan. Nga ana tjetër gjatë fjalës së tij në përurimin e Xhamisë së Namazgjasë, kreu i shtetit turk vlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri duke u shprehur se ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë pranë kishës është një shembull mjaft i mirë i urtësisë shqiptare.
Çfarë është lëvizja “Gülen”
Lëvizja “Gylen” konsiderohet si një ndër lëvizjet islamike më me ndikim në Turqi dhe drejtohet prej teologut Fethullah Gülen. Presidenti Rexhep Tayyip Erdogan e akuzon Fethullah Gülen për përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti duke krijuar “shtet paralel”. Në dhjetor të 2014 Turqia lëshoi mandat arresti për klerikun që jeton në ekzil të vetimponuar në Pensilvani të SHBA-së. Ai është futur në një konflikt të hapur me Erdoganin që prej hetimeve për ryshfet që synuan rrethin e ngushtë të tij, kur ai mbante postin e Kryeministrit. Vetë Gülen ka mohuar përfshirjen në spiunazh dhe tentim per grusht shteti. Për vite të tëra lëvizja Gülen dhe gylenxhinjtë e kishin mbështetur qeverinë islamiko-konservatore të Erdoganit sidomos në përpjekjet e saj për t’i hequr nga dora ushtrisë ndikimin e saj politik. Dikur aleatë tani ata janë armiq. Në Turqi lëvizje Gülen gëzon mjaft përkrahës, por në të njëjtën kohë ajo është edhe në qendër të kritikave, sepse akuzohet se nëpër shkollat e saj private në 140 vende të botës lëvizja Gülen propagandon një agjendë islamike. Lëvizja Gülen ndodhet edhe pas disa shkollave private në Shqipëri.
Kryeministri anulon takimet e fushatës/ Rama pret Erdoganin: Mbledhje e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Turqisë
Kryeministri Edi Rama prit dje në takim Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, dhe delegacionin që e shoqëronte, i përbërë nga investitorë, përfaqësues të kompanive të rëndësishme të vendit të tij, prezente edhe në Shqipëri. Pas takimit në konferencën e përbashkët ëpr shtyp, kreu i qeverisë shqiptare tha se pas zgjedhjeve në Turqi do të shihet mundësia e mbledhjes së përbashkët mes dy ekzekutivëve. “Ne presim me kënaqësi që pas përfundimit të fushatës zgjedhore në Turqi, të kemi një takim dypalësh në nivelin e të dy qeverive, një mbledhje të përbashkët, ku të nënshkruajmë edhe dokumentin e partneritetit strategjik. Traseja e çelur e bashkëpunimit dhe marrëdhënia strategjike, që Shqipëria ka me Turqinë do të njohin një nxitje të mëtejshme, në një sërë fushash”, – tha Rama. Nga ana e tij, Presidenti turk tha se pas takimit të djeshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë do të hidhen hapa shumë të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm. “Marrëveshjen strategjike mes dy vendeve do ta firmosnim kur isha kryeministër bashkë me zotin Rama, por nuk arritëm ta bënim për shkak të tragjedisë që ndodhi në Soma. Tani jam këtu si Presidenti i Turqisë, por unë shpresoj që në një kohë shumë të shkurtër të dy kryeministrat, e të dy vendeve mike ta përmbyllin sa më shpejt këtë marrëveshje”, – deklaroi Erdogan.
Presidenit turk: Shkupi të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Nishani, kreu i shtetit turk deklaroi dje në Ballkan ka nga ata që duan të cenojnë paqen dhe sigurinë. “Ne dëshirojmë që acarimet e krijuara kohët e fundit në Maqedoni të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe të garantohet paqja që siguronte Marrëveshja e Ohrit. Turqia është një vend që ka vuajtur shumë nga terrorizmi dhe vazhdon ende procesi i luftës sonë kundër terrorit, që prej një periudhe 30-vjeçare. Ndaj e dimë shumë mirë faturën e luftës dhe nuk duam që një faturë e tillë të paguhet nga vende të ndryshme, nga popuj të ndryshëm, pavarësisht se çfarë feje ose etnie i përkasin. Kjo do të thotë se ne duhet të bëjmë një dallim të qartë të atij që fiton nga terrori dhe atij që humbet nga terrori. Në fakt humbasin të dyja palët, sepse lufta në fund të fundit është vdekje”, – deklaroi Erdogan. Edhe Presidenti Nishani shfrytëzoi rastin në krah të Erdoganit për të bërë një deklaratë për ngjarjet në Kumanovë. “Bëj thirrje për frenimin e menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episod të paqartë, gjithsesi të izoluar, në një konflikt të paqenë ndëretnik.”, theksoi Nishani. Nga ana tjetër Erdogan pohoi se dëshira e tij ishte që vëllimi tregtar mes Shqipërisë dhe Turqisë të jetë 1 miliard dollarë në vit.




