Artan Cena
Zyra e Komisionarit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka ushtruar disa inspektime pas ankesave të bëra për daljen e informacioneve
Nga 278 kompani që ushtrojnë aktivitetin e “Call Center” në Shqipëri, 17 prej tyre janë evidentuar me shkelje dhe janë gjobitur, pasi kanë shkelur procedurat për të dhënat personale.
Vendimi është marrë nga Zyra e Komisionarit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale pas hetimeve administrative të kryera në disa kompani të këtij sektori gjatë periudhës prill-maj të këtij viti. Në një njoftim të saj, zyra e Komisionarit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale thuhet se kontrollet janë ushtruar pas ankesave që janë bërë për publikimin e të dhënave personave të klientëve.
Kontrollet e Komisionarit
Në zbatim të ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, ka kryer një sërë verifikimesh të subjekteve tregtare me objekt veprimtarie në sektorin “Call Center”. Këto subjekte, që në kuptim të ligjit të sipërpërmendur janë kontrollues, kanë detyrimin ligjor për të njoftuar Zyrën e Komisionarit në lidhje me të dhënat personale që përpunojnë. Gjatë kontrolleve kjo zyrë ka identifikuar 278 subjekte që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët, ndër të tjera, kanë të deklaruar në objektin e veprimtarisë së tyre dhe aktivitet në fushën e “Call Center”.
Ndëshkimet e marra
Gjatë periudhës mars-prill 2015, Zyra e Komisionarit ka realizuar hetime administrative në disa kompani të këtij sektori, që janë kontrollues të dhënash personale. Në përfundim të procedurave përkatëse, është verifikuar shkelja e detyrimit ligjor për të njoftuar zyrën e Komisionarit në lidhje me përpunimin e të dhënave personale. Kjo iniciativë e ndërmarrë është rezultat edhe i ankesave të subjekteve të të dhënave të depozituara pranë institucionit tonë. Në përfundim, Komisionari për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka dalë me vendim me sanksion administrativ-gjobë për 17 subjekte tregtare, të cilët iu nënshtruan procedurës së hetimit administrativ. Këto hetime administrative të Zyrës së Komisionarit janë realizuar edhe në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit me Autoritetin homolog në Republikën e Italisë, dokument i nënshkruar në muajin shkurt të këtij viti.
CALL CENTER-AT E GJOBITUR:
Synergica
Future Generation
Live Contact
TeleContact
MCB
ICONTACT
Green Call
Facile.it
Alba Contact
Pura Center
ExtraCall
Morix Solutions
Açueil Albania
Net Contact Group
Telknet
Age Call
Key Kontact
Lungomare shkatërron bregun e Vlorës, ankohen banorët
Zbatimi i projektit të Lungomares është shumë mbrapa dhe punimet për fazën e parë nuk do të mbarojnë në qershor, siç dhe ishte parashikuar. Masive të dheut që nuk janë sheshuar. Hapësira në gjithë vijën bregdetare që përkon me projektin frymëdhënës të qytetit, Lungomaren e shumë premtuar, nuk është gati. Për banorët, Vlora projekti ende i paralizuar do të dëmtojë këtë sezon turistik. Një projekt i shumë premtuar, por deri tani nuk ka asnjë shenjë pozitive për zhvillimin e zonës. Duhet të ishte ndryshe. Një peshkatar sjell dëshmi për dëmet e shkaktuara nga masivet e dheut. Në fazën e parë të Lungomares parashikohej që deri në qershor, të përfundonte mbushja me rërë e hapësirës detare me gjatësi 2 km. Në fazën e dytë do të përfshihej sistemimi i plotë i hapësirës nga Pylli i Sodës deri te tuneli.
Itali, prangosen dy shqiptarë, u kapën me 3 kg kokainë
Policia italiane ka arrestuar dy shqiptarë pasi u kapën me tre kilogram lëndë kokaine në Bari. Sipas medieve italiane, lënda narkotike e llojit kokainë ishte fshehur në një makinë top “Volkswagen”, e vendosur në një pjesë metalike të makinës, poshtë frenave të dorës. Lëvizjet e dyshimta të dy shqiptarëve, identiteti i të cilëve nuk dihet ende, ishin vënë re nga policia mëngjesin e 12 majit. Ata kishin lënë takim me një person të tjetër dhe po lëviznin me makinë nga Vento në drejtim të Barit, me shumë gjasa për të dorëzuar lëndën narkotike. Policia i ka ndaluar ata dhe nga kontrollet ka rezultuar se ata ishin me dokumente të rregullta në Itali dhe me leje qëndrimi, ndërsa makina që ata përdornin ishte regjistruar në emër të një personi tjetër shqiptar që jetonte në Vento. Në kontroll e sipër policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe kokainën. Ata sekuestruan gjithashtu edhe mjetin.
Donte të shkonte në Siri për luftë, kërkohet ekzaminim psikik
Prokuroria për Krime të Rënda, me kërkesë të familjarëve, do të dërgojë 18-vjeçarin nga Lushnja, Julian Çela, për ekzaminim psikik, pasi ishte nisur për të shkuar në Siri. Burime thonë se i riu është arrestuar në pikë kalimin kufitar të Kakavijës, ku autoritet policore greke e kanë dorëzuar te homologët shqiptare. I riu kishte tentuar të udhëtonte nga Greqia drejt Turqisë dhe më pas për t’ju bashkuar luftëtarëve të ISIS-it në Siri. Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka pranuar se ishte nisur për t’ju bashkuar vëllezërve myslimane. Por familja pretendon se i riu ka probleme mendore dhe për këtë fakt është dërguar për ekzaminim. Nga ana tjetër, burime thonë se po vazhdojnë hetimet për një grup personash që dyshohet se po vazhdojnë të rekrutojnë besimtare myslimane për t’i dërguar në Siri.
U rrëmbye në Tiranë, ekstradohet në Gjermani për dënimin
Dy muaj pasi vuri në alarm Policinë e Tiranës për pengmarrjen e saj 26-vjeçarja gjermane Katharina Erlt, me vendim të gjykatës është ekstraduar drejt Gjermanisë në vendin e saj të origjinës ku rezulton e dënuar me 1 vit e 9 muaj burgim për mashtrim dhe plagosje të rëndë. Për pengmarrjen e ndodhur më 3 mars të këtij viti blutë e Tiranës ndaluan Hamdi Berishën një shtetas kosovar me banim në Shqipëri, me të cilin e reja gjermane kish pasur lidhje intime ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë ende. 26 – vjeçarja u prangos teksa shpjegonte pengmarrjen e saj pasi nga verifikimi i të dhënave personale ajo rezultonte në kërkim nga Interpoli gjerman prej më shumë se 1 viti.
Shpërthimi në Marinëz, 46 banesa plotësisht të shkatërruara
Komuna Kuman ka mbledhur këshillin për çështjen e dëmshpërblimeve të banorëve të Marinzës nga kompania “Bankers Petroleum”. Në raportin e dalë nga Këshilli është arritur në përfundimin se janë rreth 46 familje që do të marrin kompensim të plotë për banesat e dëmtuara. Gjithashtu rreth 66 familje duhet të dëmshpërblehen pjesërisht për dëmet në banesë, ndërsa për 160 të tjera këshilli komunal i Kumanit ka kërkuar riinspektim të dëmeve në bazë të ankesave të bërë nga banorët. Të dhënat e këtij raporti do t’i dërgohen kompanisë kanadeze që do të dëmshpërbleje banorët pas shpërthimit të dy puseve të gazit më 1 prill.




