Lori Hoxha: Top Channel nuk është prona ime, as e familjes time

lori hoxhaËshtë e njohur nga të gjithë si trashëgimtarja e pasur e Top Medias, por me kohën dhe vitet, edhe për Lori Hoxhën, vizioni shkon gjithmonë e më larg. Të paktën këtë tregon ajo në një rrëfim të gjatë për revistën “Elegance”, përmes të cilit shpjegon edhe përfshirjen e fundit televizive dhe preokupimin maksimal në produksionin e Top Fest-it, rrugën e gjatë që ka akoma përpara, por edhe vizionin dhe ambicien për të qenë gjithmonë ON THE TOP.

Nuk vuan për të qenë protagoniste, ndihet dhe është e tillë, krahasuar me pjesëtarët e tjerë të familjes: “Sigurisht që jam unë më protagonistja, por jo në të gjitha ditët e javës. Fakti që unë jam më e lidhur me median si pjesë e përditshmërisë sime, ndoshta krijon perceptimin se unë jam më protagonistja”.

Përfshirja në produksionin e Top Fest-it është një hap i sigurt që tregon se vizionin Lori Hoxha e ka shumë larg, përtej çdo limiti që mund të mendohet. Nuk është më ajo vajza e TOP-it që qëndron pas të atit, as profili i fashion girl, që e ka ndjekur prej një kohe të gjatë, nuk është më as vajza që nuk njeh limite shpejtësie kur ecën me Lamborghini… Sot, Lori gjen rastin të shpjegojë ç’lloj frerësh janë ata që ka marrë në dorë si producente e Top Fest-it dhe ç’lloj anijeje është Top Media, “prona” e të atit të saj të ndjerë: “Do të thoja që jo vetëm Top Fest-i ka nevojë për mua, por edhe unë për Top Fest-in…Përfshirja në produksionin e Top Fest-it, me një grup të jashtëzakonshëm pune dhe me njerëz të përkushtuar, të palodhur dhe pasionantë, është një shkollë më vete që më lumturon dita-ditës.”

… edhe pse është edicioni i fundit. Dhe për këtë, Lori argumenton: “Në gjykimin tonë, festivali si formë e ka kryer misionin e tij. Top Fest nisi 12 vite më parë si një filizë në mes të shkretëtirës dhe vit pas viti u rrit deri në pikën që është sot, pra po në mes të shkretëtirës, por tashmë si një qytet madhështor, përfytyroni Dubain.” Ndërsa tani, sipas Lorit, ka ardhur pika e kthimit, derisa konfirmon se ky do të jetë Top Fest-i i fundit. Nata finale që do të transmetohet më 31 maj do të zbulojë më shumë detaje për mënyrën se si do të vlerësohet tani e tutje puna e muzikantëve përgjatë një viti në një mbrëmje të vetme, tip “Grammy’s” apo “MTV awards”.

Megjithatë, ndonëse ende mjaft e re, ky rrugëtim nuk ka qenë kaq i thjeshtë sa duket për Lorin, aq më tepër kur të gjithë mendojnë se rrugën e ka pasur të shtruar, meqë punon në një perandori mediatike, të cilën e krijoi i ati i saj i ndjerë: “Vetëm nga fakti që Top Channel është televizioni lider i të gjithë shqiptarëve , rruga nuk mund të jetë e shtruar. Ky intitucion mediatik nuk është më një sipërmarrje private. Përgjegjësitë e tij shkojnë deri në formëzimin e jetës së përditshme të një kombi dhe duke qenë kështu, nuk mund t’ia lejoj vetes arrogancën e të menduarit që Top Channel është i imi apo i familjes sime…” – ka thënë Lori, duke shtuar se projektet e së ardhmes janë të shumta në këtë kompani mediatike, përtej çdo medimi dhe perceptimi: “Ne shohim gjithmonë larg, duke u paraprirë nevojave që ndoshta ende nuk janë të qarta për shumëkënd. Ndaj është Top Channel.”

Share it :