Ngjarja/ Sherr te “Ali Demi”, prangoset Florenc  Hoxha, plagoset rëndë truproja i tij

 

 

Artan Cena

florenc hoxhaPolicia e Tiranës akuzon kreun e INUV se është konfliktuar me dy vëllezër dhe i ka goditur me grushte e shkelma. Fation Dani ndodhet në spital

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë gjatë ditës së djeshme kreun e Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha, pasi akuzohet se ka dhunuar dy persona. Gjatë këtij sherri mësohet se është plagosur rëndë dhe ndodhet në spital, truproja i Hoxhës, Fation Dani. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit. Në njoftimin për medien që ka shpërndarë Policia e Tiranës thuhet se “është vënë në pranga Florenc Hoxha, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë kryetar i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, sepse më datë 9 maj 2015, në rrugën “Ali Demi”, ka kanosur se do t’u prishte lokalin dhe ka goditur me grushte dhe shkelma dy vëllezërit me inicialet K. K., 35 vjeç, banues në Tiranë dhe E. K., 37 vjeç, banues në Tiranë”.

 

Godit me levë truproja

Të afërmit e truprojës së Florenc Hoxhës kanë deklaruar se në incidentin ku u përfshi kreu i Inspektoratit Ndërtimor Vendor në Bashkinë e Tiranës, ishte dhe Fation Dani, i cili mbeti i plagosur rëndë. Familjarët e Danit kanë treguar se gjatë sherrit, ai u godit me levë në kokë, ndërsa tashmë ndodhet në reaminacionin e Spitalit të Traumës, në gjendje kritike për jetën. Sipas tyre, ai duhet të nënshtrohet një operacioni kirurgjikal, pasi ka marrë dëmtime në kafkë. Nga ana tjetër, ata theksuan se emri i Fation Danit nuk u përfshi në komunikatën e policisë. “Fationi ndërhyri të shmangë grindjen, u godit me levë dhe është rëndë. Ishte me Florenc Hoxhën, kur ndodhi konflikti. Sherri nisi me Hoxhën”, – thanë të afërmit e Danit. Gjendja kritike e Fation Danit është konfirmuar dhe nga vetë bluzat e bardha pranë Spitalit të Traumës. Sipas tyre, Dani ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa ka dëmtime në kafkë, si pasojë e goditjes me hekur që ka marrë në kokë.

 

“Policia fshehu ngjarjen”

Pas arrestimit të Florenc Hoxhës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit të kreut të INUV dhe truprojës së tij, Ivi Kaso. Në një dalje publike para medieve, avokati i Hoxhës, Ivi Kaso, akuzoi Policinë e Shtetit se fshehu ngjarjen dhe mbuloi autorët e sulmit, që sipas tij ngelën të plagosur Hoxha dhe truproja i tij, Fation Dani. “Policia ka fshehur ngjarjen. Policia e shtetit ka marrë të gjitha masat për mos të ndjekur agresorët dhe mbron ata që sulmojnë”. Në gjendje të rëndë është truproja i Florenc Hoxhës, Fation Dani, por është dëmtuar dhe kreu i INUV. Edhe pse është parë që janë dëmtuar, nuk janë lejuar që të ti nënshtrohen ekspertizës. Ndërsa agresorët gjendjen të lirë, ndërsa Hoxha gjendet në ambientet e paraburgimit, ndërsa Dani në Spitalin e Traumës në operacion.

 

 Policia shqiptare nuk ka lejuar 2700 shqiptarë të lëvizin në BE

Janë 2700 qytetarë shqiptarë të cilët nuk janë lejuar të largohen nga Shqipëria nga 1 prilli deri në javën e parë të muajit maj. Kjo masë është marrë, pasi sipas autoriteteve ata dyshohej se do të kërkonin azil në vendet e Bashkimit Evropian. Por edhe pse shifrat janë të larta trendi i tyre vjen në zbritje. Këtë e konfirmon zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, e cila tha gjatë një interviste për Vizion Plus, se muaji maj ka më pak persona të cilët tentojnë të largohen duke kërkuar azil. Shqetësimit të qytetarëve mbi procedurat e ndjekura në pikat e kalimit kufitar, Gjebra iu përgjigj se zbatohen rregullat e hapësirës Shengen. E nëse ka ankesa mbi kontrollet, çdo qytetar mund të plotësojë një formular ankimimi. Zv.ministrja e Brendshme pohoi se shtetasit shqiptarë po mashtrohen nga persona të caktuar, 5 prej të cilëve kanë nisur hetimet për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim me pasoja të rënda.

 

“Arrestohet për trafik kokaine në Itali drejtori i Antikontrabandës”

“Një lajm tjetër vjen nga Italia për “aleancën e qelbësirave”, – shkruan në “Facebook” ish-kryeministri Sali Berisha. Për ish-kryeministrin, “Ervin Kajo, deri tri javë më parë drejtues i Antikontrabandës Tokësore të vendit, është kapur në një operacion antidroge të organizuar nga Drejtoria e Policisë së Udines në Itali”. “Ai ishte anëtar i një rrjeti të strukturuar kriminal, i cili po hetohej nga policia italiane që nga viti 2011 për trafikimin e kokainës nga Franca. Ai ka përdorur pozicionin e tij si drejtuesi i Antikontrabandës për trafikun e kokainës nga Italia në Shqipëri”, – shkruan Berisha në profilin e tij në “Facebook”. “Ky person ishte emëruar si drejtues i Antikontrabandës ndërkohë që kishte precedentë penale. Në vitin 2012 është kapur në zonën e bllokut për armëmbajtje pa leje. Ervin Kajo kishte lidhje shumë të forta në qeveri ndaj dhe arrestimi i tij ditët e para të prillit që kaloi, është mbajtur i fshehtë nga qeveria dhe administrata doganore. Pas drejtoreve të drejtorisë operacionale të Policisë së Shtetit që u larguan si trafikantë droge, Pata dhe Ahmeti, arrestimi i Kajos dëshmon se në të gjitha kanalet shtetërore të kontrollit të trafikut të drogës mazhoranca e qelbësirave kishte emëruar trafikant droge”. “Largimi i Ervin Kajos nga puna është bërë fiktivisht nëpërmjet komisionit disiplinor në mungesë të tij (jo për trafik droge por për mosparaqitje në punë)”, – shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në profilin e tij në “Facebook”.

 

Share it :