E ARDHMJA NUK ËSHTË E PARTIVE

Brikena Bogdo

Brikena BogdoKuptimi i mirëfilltë i partive të sotme politike ka lindur shumë vonë. Origjina e partive apo grupeve të organizuara për të marrë pushtetin e ka fillesën me teokracinë, me format e qeverisjes, me bazë fetare. Egjiptianët p.sh. i dhanë jetë një qytetërimi të lulëzuar, përpara 3500 vitesh, fryt i një bashkimi partish religjioze, që qeverisnin qytete të ndryshme. Partitë laike, të çliruara nga karakteristikat religjioze, lindën në Greqinë e vjetër, falë mendimit të filozofëve, që themeluan politikën, mbi analizën racionale të shoqërisë dhe mbi vlerat reale të saj. Nëse është tejkaluar ai mendim demokratik i filozofëve të lashtë grekë apo është deformuar, kjo është pjesë e një diskutimi të gjatë. Baza e filozofisë së tyre të mendimit politik, ishte rotacioni dhe alternimi shumë i shpejtë dhe i shpeshtë. Mbase, ato forma klasike kanë vdekur me atë qytetërim, por një gjë është e sigurt, që thelbi i tyre do të rikthehet por, me forma të reja dhe këtu rolin deciziv do ta luajë revolucioni teknologjik dhe ndërgjegjësimi i shpejtë online, i një baze shumë të gjerë dhe alternativat e mendimeve. Kjo, detyrimisht do u imponojë partive dhe të gjithë mendimit politik, sjellje krejt të modifikuara. Revolucioni teknologjik po revolucionarizon mendimin dhe detyrimisht, të gjithë ambientin politik.

Historikisht, kanë qenë revolucionet që kanë përmbysur mendimin njerëzor dhe detyrimisht aksionin e mendimin politik. Ishte revolucioni industrial, dhe për rrjedhojë me formimin e shoqërisë së masave dhe zgjerimin e mbështetjes elektorale, që partitë u afirmuan në sensin specifik të formës aktuale. Pra, revolucioni anglez në 1600, hodhi themelet e koncepteve, i majtë, apo i djathtë, bipolarizëm midis konservatorëve dhe (Tories) e progresistëve, (Whigs). Revolucioni Francez, më 1789, qartësoi tre komponentët e politikës moderne, qendrën, të djathtën, të majtën. Me rënien e Luigjit XVI, u shpall Asambleja Kushtetuese, ku konservatorët uleshin në të djathtë, dhe revolucionarët në të majtë. Ata të qendrës. që thërriteshin Plude (do të thotë llucë, moçal), ishin në një vend të papërcaktuar, pa identitet politik preciz. Në mesin e 1800-ës, në Evropë kemi një revolucion politik. Skena politike e Evropës ishte e dominuar nga parti politike, të gjitha të stampës “liberale”, duke zgjeruar sërish bazën elektorale. Këto parti ishin të vëmendshme, në mënyrë të veçantë, të ulnin forcën e shtetit dhe të rrisnin iniciativën e lirë lokale. Në shekullin e XX, në të gjithë Evropën lulëzuan kultura të reja politike. “Revolucioni rinor”, i viteve ‘60-‘70, po detyronte që të merreshin në konsideratë edhe problemet e gjinisë femërore. “Feministet”, gjetën lehtësisht mbështetje në partitë liberale dhe social-demokrate, dhe më pak te ekstremistët. Kultura ambientaliste e gjeti veten, në parti të reja politike, me dominancë të gjelbër. Këto lëvizje zgjeruan sërish, bazën elektorale.

Tentativat e zgjerimit të bazës elektorale edhe sot është thelbi i aksionit të të gjithë krahëve politikë, si i majtë, dhe i djathtë. Sidomos, në kohë zgjedhjesh, ky aksion politik merr vlerë më shumë se kurrë. Të gjithë, partitë, apo të pavarurit, synojnë pikërisht këtë qendrën, llucën, të paqartët, indiferentët, të pabindurit, apatikët, pa bindje, të papolitizuar, të pashpresë, ata që nuk besojnë në asgjë, dhe shumë etiketime të tjera, që i janë vënë këtij tip elektorati. Një forcë tenton ta thithë me dredhi, një tjetër me ideologji, dikush me idealizëm. Gjithsesi, do të modifikojë detyrimisht edhe formacioniet politike. Nëse shoqëria e masave dhe zgjerimi i bazës elektorale krijoi konceptin aktual të partive, zgjerimi i mëtejshëm i kësaj baze, do të riformatojë konceptin e partive. Duke tentuar të gjithë forcat politike rrëmbimin e votave të qendrës, detyrimisht do të ripozicionojë vetveten. Ndërkohë, do të jetë fillesa e përfaqësimit të shumë grupeve të interesit, shumë mendimeve, shumë lëvizjeve. Por, decizivja mbetet tek zhvillimi teknologjik. Interneti, pa dyshim, është diferenca që do të detyrojë rritjen e ndjeshme të bazës zgjedhore.

Si konceptohen partitë? Si grupe të ndryshme të mbledhura që përfaqësojnë një grup interesi dhe më pas nxjerrin një lider. Për Max Weber, parti politike kuptohen ato bashkime, që në fund iu atribuojnë kryetarëve të tyre, një pozicion pushteti, brenda një grupi social, dhe militantëve të saj aktiv, mundësinë për të arritur objektivat e tyre, ose për të arritur avantazhet e tyre personale. Ky opinion është i përafërt me tezën që hedh Ben Blushi, sot për Partinë Socialiste, ku një grup ka kapur partinë. Edhe politologu amerikan, Anthony Doëns, hedh idenë se partitë politike janë një grupim njerëzish, që kërkojnë të mbajnë nën kontroll aparatin qeverisës, mbas zgjedhjeve të rregullta. Gjithsesi, Amerika ka bërë një hap përpara Evropës, duke ndarë postin e kryetarit të partisë nga kryetari i qeverisë, Kjo automatilkisht i ul potencën partisë, mbasi ajo forcë ka ardhur në pushtet.

Lind pyetja, natyrshëm, duke parë dialektikën historike: Sa gjatë do të vazhdojnë të rrinë bashkë, grupet e ndryshme të interesit, të dirigjuar nga një lider i vetëm? Sipas perspektivës gjenetike, përpunuar nga Stein Rokkan, në historinë e çdo vendi, manifestohen thyerje, që kanë vënë përballë grupe sociale, me interesa të kundërta. Kjo mund të jetë për interesa material, ose për interesa ideologjike. Nëse këto fraktura politizohen, pra transferohen nga plani social, në planin politik, është e mundur të lindin parti të reja. Edhe ai, individualizon katër fraktura kryesore: e para qendër-periferi, ku qendra tenton me forcë uniformizimin me periferinë. Kjo mund të sjellë lindjen e partive lokale. Në Shqipëri, nuk ekzistojnë këto parti. Së dyti, fraktura shtet- kishë. Qytet-fshat, frakturë e tipit material. Kapital-punë, ku punëtorët dalin kundër punëdhënësve. Kjo është e vetmja që është shfaqur, pak a shumë, në një kohë të ngjashme, në të gjitha vendet e Evropës. Ko frakturë solli lindjen e partive socialiste.

Ndërkohë, tentativat për t’i rezistuar, pushtetit shtetëror dhe atij sipërmarrës ka detyruar lindjen e partive autonomiste dhe federaliste. Disa prej tyre, si Volkspartei e Tirolit të Jugut, kanë lindur për të përfaqësuar pakicat linguistike ose etnike. Partitë me përforcimin e ideologjive të majta e të djathta, u grupuan në bazë të këtyre ideologjive. Por, sot, njerëzit shprehen të lodhur me të majtën dhe të djathtën, Kjo tashmë është një tendencë evropiane. Pra, partitë, në një të ardhme të afërt, nuk do mund të funksionojnë më mbi bazë ideologjie, dhe nuk mund të përfaqësojë të gjitha grupimet sociale, me interesa të ndryshme, që po diversifikohen nga dita, në ditë. Koha do të jetë e përfaqësimit, në mënyrë individuale të gjitha grupimeve sociale të interesit, të zanatit, të periferisë, etj, etj. Diversifikimi do zbehë detyrimisht forcën e partive, që ka mbledhur shumë grupe interesi. Por, kjo i përket të ardhmes.

Por, çfarë e bën problematike partinë, aktualisht? Ajo çka përbën kritikën themelore ndaj partive është mënyra e tyre e organizimit dhe me sa duket kjo është çështja më e mprehtë, e ngritur nga Blushi. Kjo mënyrë organizimi, quhet vertikale, sidomos ato të konsideruara komuniste dhe socialiste, të cilat shquhen për organe asamblesh të gjera, dhe të grupeve dirigjuese të ngushta, ndërsa ato që janë më demokratike, janë të vëmendshëm për të përfshirë dhe bazën, në vendime. Kjo do të sjellë detyrimisht një shkëputje dhe mosbesueshmëri të këtyre entiteteve, të quajtura sot, parti.

Një kategorizim tradicional por, shumë efikas të formave organizative të partisë bën konstitucionalisti dhe politologu Maurice Duverger, i cili dallon katër tipologji partish, sipas mënyrës organizative. Të parat, ai i quan Komiteti, të cilat kanë një strukturë fleksibël, dhe jo të përhershme. Në këtë formë janë partitë në Amerikë, të cilat aktivizohen për të mbledhur fonde, apo vota, me rastin e zgjedhjeve. Të dytat i quan “Seksionet”, që është tipike e organizimeve territoriale stabël, e partive socialiste, të cilat tentojnë të zgjerojnë bazën, duke u financuar nga kuotat e militantëve, që kurojnë propagandën dhe indoktrinimin. Të tretat i quan Policore, karakteristikë e partive fashiste, karakterizuar nga struktura të forta hierarkike dhe paramilitare, lehtësisht të mobilizueshme, për një atak violent, kundër kundërshtarëve të mundshëm. Dhe të katërtat i quan Celulat, që është instrumenti tipik komunist. Ato, nëpërmjet celulave, depërtojnë në industri, krijojnë organizatat e tyre në botën e punëtorëve dukë u shndërruar në pjesë integrale të tyre. Këto janë katër formacionet, e konsideruara të partive, sipas Duverger. Sipas këtyre strukturave, partitë në Shqipëri rezultojnë të gjitha parti socialiste. Po të shohësh tipat e partive, sa me demokratike, aq më të hapura, aq më fleksibël janë, Sa më diktatoriale, aq më të mbyllura dhe hierarki të fortë kanë.

Një problem tjetër themelor i partive është demokracia e brendshme e tyre, ose më saktë përfaqësimi i tyre brenda vetë partisë dhe sa kanë mundësi, të jenë pjesë menaxhuese e saj dhe linjës politike. Midis elementëve që ndikojnë negativisht, në demokracinë e brendshme të partisë, është dhe ndalimi për t’u rigrupuar me organizata të tjera, që shkel kushtetueshmërisht, të drejtën tënde legjitime, të përcaktuar edhe me kushtetutë, për të qenë i lirë për t’u grupuar. Një element tjetër, është financimi publik i partive, që institucionalizon mbështetjen shtetërore të strukturave të partisë. duke favorizuar burokracinë, dhe transformimin e tyre, në struktura oligarkike, në dëm apo kurriz të lëvizjeve të reja politike. Njëkohësisht, kjo krijon një lloj përputhshmërie midis të ngarkuarve shtetërore dhe partive, që krijon detyrimin, që i zgjedhuri, së pari i përgjigjet partisë, më shumë se sa zgjedhësve. Ky problem, doli sidomos tani, në mbledhjen e PS, ku drejtorë shtetërore ngarkoheshin të ruanin votën e partisë. Pra, kemi një parti mbi qeverinë, në kurriz të zgjedhësve. Njihet kriza e Republikës së Parë, në Itali, e cila erdhi si shkak i mungesës së shërbimeve për interesin publik, duke pare thjesht strategjitë e tyre për të arritur pushtetin politik, duke i ulur prestigjin dhe madhështinë e partive historike

Nëse je brenda strukturave, krijon varësi ndaj këtyre strukturave, është një lloj skllavërie mendimi dhe veprimi, në një kohë që individualitetet e mendimit dhe veprimit janë në një bum, favorizuar nga zhvillimi i teknologjisë. Sigurisht, e ardhmja është e votimit online. E ardhmja do mbetet e infrastrukturave të lëvizshme, mobile, e ardhmja nuk është e partive. Këtë praktikë ka pak, a shumë sistemi amerikan, që sigurisht ka instaluar një nga demokracitë më të zhvilluara. Ai kompjuteri i vogël, do të forcojë individin, duke e bërë detyrimisht pjesëmarrës dhe kontrollues në vendimmarrje, për të shmangur oligarkët ekonomikë dhe kostot e zgjedhjeve politiko-ekonomike.

Ndërkohë, Shqipëria ka një trashëgimi të ulët, për sa i përket kulturës së partive. Në kohën e Zogut filluan të lulëzojnë disa shoqata, pasi Zogu nuk lejonte krijimin e partive të mirëfillta. Vetëm në vitin 1941 kemi fillimin e strukturave politike partiake. Kjo sigurisht e lë Shqipërinë në pozicione shumë inferiore dhe kulturë të ulët partiake. në krahasim me vendet e tjera të Evropës, ku dëshirojmë të aderojmë.

Share it :