Punësimi/ Burgu i Fierit, hapen vende të reja pune, ja dokumentet që ju duhen për aplikim

Artan Cena

drejtoria e pergjithshme e burgjeveDrejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë publike afatet se deri kur mund të dorëzohen dokumentet. Ja si do të përzgjidhen fituesit 

Vende të reja pune janë hapur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të këtij institucioni, të cilat thanë se kërkohen punonjës për administratën civile dhe atë me uniformë për burgun e ri të Fierit. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, kandidatët duhet të paraqesin dokumentet brenda datës 15 maj 2015 në sektorin e Burimeve Njerëzore, pranë Institucionit të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Fier. Mosparaqitja e plotë e dokumenteve sjell skualifikim të kandidatit. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron një proces të saktë dhe transparent në aspektin ligjor e administrativ. Për këtë qëllim, në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë u ngrit një Komision i posaçëm për Rekrutimin dhe Trajnimin e stafit të ri që do të përzgjidhet në IEVP Fier”, – thuhet në deklaratën e bërë nga institucioni i drejtimit të burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve ka bërë të ditur se nga datat 16 deri në 18 maj do të bëhet shqyrtimi i të gjithë kandidaturave dhe dokumentacionit. Gjatë këtij procesi do të bëhet edhe seleksionimi i kandidatëve. Ndërkaq nga data 19 deri në 25 maj do të bëhet testimi i aftësive fizike dhe psikologjike të kandidatëve. Në datën 30 maj do të bëhet edhe shpallja e listës së fituesve e cila do të publikohet edhe në faqen online www.dpbsh.gov.al/new

 

TABELAT

Dokumentet për punësim në stafin civil:

  1. Kërkesë për punësim
  2. CV (duke përfshirë adresën e plotë të vendbanimit dhe një numër telefoni për tu kontaktuar)
  3. Vërtetim nga Prokuroria
  4. Vërtetim nga Gjykata
  5. Raport i aftësisë shëndetësore
  6. Kopje diplome dhe listë notash e noterizuar ose kopje e dëftesës së përfundimit të arsimit të mesëm e noterizuar (sipas llojit të arsimit të kërkuar për profesionin ku aplikohet)
  7. Certifikatë e kursit të kompjuterit (nëse keni)
  8. Certifikatë e gjuhës së huaj (nëse keni)
  9. Certifikatë e aftësive të tjera (nëse keni)
  10. Kopje e letër- njoftimit elektronik (karta e identitetit)
  11. Certifikatë familjare
  12. Fotografi 2 copë (9 x 12 ose 9 x 16)
  13. Rekomandime të punëdhënësve të mëparshëm
  14. Akt vetë- deklarimi i gjendjes gjyqësore

 

Dokumentet për punësim në stafin me uniformë:

  1. Kërkesë për punësim
  2. CV (duke përfshirë adresën e plotë të vendbanimit dhe një numër telefoni për tu kontaktuar)
  3. Vërtetim nga Prokuroria
  4. Vërtetim nga Gjykata
  5. Raport i aftësisë shëndetësore
  6. Kopje diplome dhe listë notash e noterizuar ose kopje e dëftesës së përfundimit të arsimit të mesëm e noterizuar (sipas llojit të arsimit të kërkuar për profesionin ku aplikohet)
  7. Kopje e letërnjoftimit elektronik (karta e identitetit)
  8. Certifikatë familjare
  9. Fotografi 2 copë (9 x 12 ose 9 x 16)
  10. Deklaratë depolitizimi
  11. Akt vetë- deklarimi i gjendjes gjyqësore

 

Burgjet nxjerrin të dënuarit për të pastruar bregdetin e Zvërnecit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Korpusi i Vullnetarëve do të bashkëpunojnë për të realizuar një nismë vullnetare për pastrimin e bregdetit të Vlorës, në zonën e Zvërnecit. “Nga DPB do të mundësohet pjesëmarrja i 12 të dënuarve nga IEVP Rrogozhinë dhe IEVP “Jordan Misja” (Fier), shoqëruar nga stafi i sigurisë. Gjithashtu, do të angazhohen edhe punonjës nga stafet civile të të dyja këtyre IEV Penale, si dhe një grup përfaqësues i drejtoria e përgjithshme”, – thuhet në një njoftim zyrtar të burgjeve. Aktiviteti është planifikuar të zhvillohet ditën e sotme dhe do të zgjasë nga ora 10:30- 14:00. Një nismë e tillë mundësohet për herë të parë. Ajo shkon në vijim të qëllimit të DPB për riintegrimin e personave të privuar nga liria dhe rehabilitimin e tyre sa më të shpejtë. Gjithashtu, është një mbështetje qytetare e nismave që Korpusi i Vullnetarëve ka ndërmarrë në të gjithë territorin e Shqipërisë, kanë bërë të ditur burime zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve.

 

 

Share it :