Kinema/ Restaurohen “Përrallë nga e kaluara” dhe dokumentari me zërin e Vaçe Zelës
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit finalizon projektin e restaurimit të dy filmave nga fondi Anagnosti, filmit artistik “Përrallë nga e kaluara” dhe dokumentarit të shkurtër “Përjetësi” me premierën e tyre në mbrëmjen e djeshme. Projekti i restaurimit u mbështet nga Ministria e Kulturës, Hungarian FilmLab dhe u punua në laboratorin e HFL në Budapest.
Restaurimi dixhital vjen pas 28 vitesh pas prodhimit të filmit “Përrallë nga e kaluara” dhe 40 vitesh pas prodhimit të dokumentarit “Përjetësi”. Janë bërë përmirësime të dukshme në figurë dhe zë për të dy filmat, skanim në HD 2K, pastrim grimcash dhe vijash, stabilizim i figurës, korrektim ngjyrash, balancim tonesh, pastrim i audios, subtitrim në 3 gjuhë: anglisht, frëngjisht, italisht, prodhim i masterave dhe i kopjeve elektronike.
Filmi “Përrallë nga e kaluara” është, pa dyshim, një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare si dhe një paraqitje, jo vetëm e artit kinematografik shqiptar por edhe e traditës, letërsisë, zakoneve, kostumografisë dhe muzikologjisë shqiptare.
Ndërsa dokumentari “Përjetësi” është një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të luftës antifashiste i cili asnjëherë nuk pati vëmendjen e merituar, madje nuk iu bë asnjë premierë pas prodhimit në 1974 por thjesht u arkivua. Shkaku ishte trajtimi modern për kohën nga regjisori Anagnosti i temës së të rënëve të luftës. Filmi 7-minutësh nuk ka dialog, vetëm muzike, efekte zanore dhe në fund një këngë të mrekullueshme të Limos Dizdarit interpretuar me një zë shpërthyes nga e madhja Vace Zela.
“Filmat që ruhen në fondin e AQSHF-së nuk mund t’i humbasim; në kushtet e sotme të produksionit është e pamundur të xhirohen filma të rinj me temë nga e kaluara jonë kështu që duhet të kuptojmë rëndësinë e nismave të tilla dhe të mbështesim projektin e restaurimit të radhës”, – thuhet në njoftimin për mediat, duke kërkuar sensibilizim të biznesit për të investuar në produktet artistike.




