Artan Cena
Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës i nisi hetimet pas kallëzimit që bëri KLSH-ja. Dëmi mësohet se është rreth 300 milionë lekë
Task-Forca e Prokurorisë nis hetimet ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Edmond Rrushaj. Ky i fundit është kallëzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm lekësh. Prokurorët thonë se në kallëzim janë përfshirë edhe dy grupet e ngritura me cilësinë e komisionit të vlerësimit të ofertave për dy procedurat tenderuese për “Mirëmbajtjen dhe riparimin e skanerit”.
Tenderi i skanerit
Gjatë vitit 2012-2013, kur QSUT-ja drejtohej nga Edmond Rrushaj, janë ngritur procedurat e tenderit për “mirëmbajtjen dhe riparimin” e njërit nga 3 skanerët e QSUT-së. Prokuroria thotë se të dy këta tenderë në total kanë pas një buxhet prej 600 milionë lekësh të vjetra. Burimet thonë se në të dy këto tenderë, dyshohet se është abuzuar me procedurat e prokurimit, përzgjedhjen e fituesit si dhe zbatimin e kontratës së riparimit duke i sjell shtetit një dëm prej miliona lekësh. Në të dy rastet, thuhet në dosje, është zhvilluar procedurat prokurimit me negocim pa njoftim paraprakë me pretekstin e ekzistencës së kushteve të emergjencës, duke shkelur procedurat standarde të tenderimit dhe shmangien e konkurrencës në këto procedura. Sipas akuzës, për llogari të këtij hetimi janë pyetur disa nga anëtarët e dy grupeve të komisionit, të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre e në ditët në vazhdim thuhet se do të pyetët edhe ish-drejtori Rrushaj. Prokuroria e Tiranës, përveç këtij kallëzimi, ka hetuar edhe për procedurat e ndjekur në rreth 40 tenderë të tjerë të zhvilluara pranë QSUT-së të fokusuar në hetimin e tenderëve të medikamenteve të blera, pasi në magazinat e QSUT-së janë gjetur sasi të mëdha barnash të skaduara, çka ka lind dyshimet se ilaçet e blera kanë qenë me një afat të shkurtër skadence, në kundërshtim me kushtet e tenderit.
Kallëzimi i KLSH-së
Task-Forca e Tiranës ka sekuestruar praktikën e këtyre tenderë dhe pas verifikimit të dokumentacionit do marrë në pyetje anëtarët e komisioneve. Nga auditi i KLSH-së mësohet se drejtuesit, ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal, kanë keqmenaxhuar fonde në vlerën 560 mijë dollarë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik në masën 350 mijë dollarë. Sipas raportit të KLSH-së, veç Edmond Rrushaj, përgjegjës janë ish-përgjegjës i Njësisë së Inxhinierisë Klinike, në cilësinë e kryetarit të Njësisë së Prokurimit, R. B., ish-anëtar i komisionit të vlerësimit të ofertave, sepse gjatë zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt “Mirëmbajtja dhe riparimi i 1 rezonance magnetike dhe 3 CT-Skaner GE”, kanë kryer veprime të kundërligjshme, të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 248 dhe neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publikë”. Po ashtu, KLSH ka kryer kallëzimin penal për Edmond Rrushaj, E. B., F. M., ish-shef i shërbimit Farmaceutik dhe A. Gj, ish-përgjegjësi i Sektorit Teknik, për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, të cilat sipas nenit 248 dhe nenit 258 të Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publikë”,sepse gjatë vitit 2013 kanë shmangur përdorimin e procedurave standarde të prokurimit dhe kanë realizuar 54 procedura prokurimi me “negocim pa shpallje paraprake të kontratës”, me fond limit të përgjithshëm në vlerën 1.280.000 lekë.
Mjekët italianë e kurojnë gabimisht, humb jetën shqiptari
Tri ditë më parë, një shqiptar ka humbur jetën në Itali, për shkak të mjekimit të gabuar në spital. Më 5 maj 2015, Gentian Molla, 33 vjeç, ndërroi jetë në një spital të Rexhio Emiljas. Shqiptari një ditë para se të ndërronte jetë kishte temperaturë dhe sy të skuqur dhe ishte paraqitur në spital. Mjeku i përgjithshëm i dha një antibiotik me bazë amoksiciline. Të martën gjendja e Mollës u përkeqësua. E shoqja dhe e kunata lajmëruan ambulancën, që erdhi me mbi 30 minuta vonesë. Në spital pas 4-5 orë mjekimesh Gentiani ndërroi jetë, sepse i pushoi zemra. I ndjeri Molla la jetimë dy fëmijë, 5 dhe 2 vjeç. Familjarët e Gentianit me ndihmën e avokatëve hapën padi civile kundra spitalit, sepse ata dyshojnë për një mjekim të gabuar, që i shkaktoi vdekjen Gentianit. Gjykata menjëherë urdhëroi kryerjen e autopsisë së kufomës për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.




