Gëzim Saliu
Mediu dhe Ndoka: Një koalicion i madh parazgjedhor, përfshi LSI-në, siguron fitoren
Aleatët e Partisë Demokratike i bëjnë thirrje Lëvizjes Socialiste për Integrim për të vazhduar bashkëpunimin aktual edhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe kryedemokristiani, Nard Ndoka, pohuan dje se fitorja në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare kalon përmes një koalicioni të gjerë parazgjedhor, përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Është vetë në interesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim që të mos ndryshojë kurs në këtë moment”, – u shpreh kreu i PDK-së, Ndoka.
Koalicioni
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bëri të ditur se forca që ai drejton do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me Partinë Demokratike edhe në parlamentaret e 23 qershorit. Në konferencën e degës Kamëz, Mediu pohoi nga ana tjetër se e djathta ka nevojë për riformatim para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. “Në zgjedhjet e qershorit edhe një herë do të vendosim përfundimisht se Kamza, e gjithë Shqipëria ka një rrugë të vetme dhe kjo është rruga evropiane. Dhe e djathta dhe koalicioni i djathtë ofron këtë marrëdhënie për të gjithë shqiptarët. E djathta ka nevojë për një revolucion në thelb, për një këndvështrim tjetër, ku lidershipi politik ka vlerën e vet, po qytetari është ai që ka vlerën më të madhe. Ky ligj elektoral kërkon në radhë të parë që të gjithë të djathtët, ata që kanë bashkëpunuar në këto 20 vite dhe duan të ardhmen evropiane të jenë së bashku në një koalicion të përbashkët, duke pasur për kandidat njerëz me vlera”, – tha Mediu. Çështja e koalicionit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare ka marrë një hov të ri me nisjen e 2013-ës. Në fillim të vitit, ishte kreu socialist Edi Rama, i cili në një konferencë në Twtter, ftoi LSI-së dhe FRD-në për t’u bashkuar me koalicionin opozitar. Partia e drejtuar prej ish-presidentit Topi refuzoi hapur ftesën e kryesocialistit, duke pohuar se në zgjedhjet e 23 qershorit nuk do të përfshihet në koalicion me asnjë nga dy forcat e mëdha. Ndërkohë, edhe LSI-ja, nëpërmjet reagimeve të përfaqësuesve të lartë të saj, ka kundërshtuar një bashkëpunim me PS-në, duke nënvizuar nga ana tjetër se për çështjen e koalicionit do të vendosin forumet në kohën e përshtatshme. “Janë forumet që vendosin nëse duhet të bëjmë koalicione të tjera. Por unë e kam të pamundur të bëj koalicion me parti që nuk voton ligjet themelore dhe na lënë jashtë BE-së”, – do të shprehej deputeti i LSI-së Nasip Naço, duke shtuar se forca ku ai bën pjesë do ti qëndrojë marrëveshjes së 2009-ës me PD-në. Po ashtu, lidhur me ftesën e kreut të selisë rozë, në një intervistë për “Standard”, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, pohoi: “Në Lëvizjen Socialiste për Integrim nuk ka mbërritur ndonjë ftesë prej Edi Ramës. Për rrjedhojë, për sa kohë nuk ka një ftesë nuk kam se çfarë shoh. Nga shtypi dhe media vizive kam mësuar se Edi Rama ka shprehur diçka në Twitter, po unë nuk jam vizitor i këtij rrjeti social e për rrjedhojë nuk kam mundësi ti drejtoj një mesazh apo koment zotit Edi Rama”. Ndërkohë, nga ana tjetër Partia Demokratike ka shprehur hapur qëndrimin e saj për këtë çështje, në të cilin theksohet gatishmëria për të vazhduar bashkëpunimin me LSI-në edhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i selisë blu, Berisha, e ka cilësuar koalicionin me LSI-së si më të suksesshmin në historinë e politikës shqiptare, duke pohuar se vazhdimi i tij edhe në 23 qershor mbetet i mirëpritur. “Forcat politike gjatë periudhës ndërmjet zgjedhjeve kanë interesat më të para ato të vendit, në periudhën e zgjedhjeve, kanë interesat partiake, po në funksion të interesave të vendit. Një gjë është e sigurt, ky koalicion 4-vjeçar ka realizuar në 4 vite ndryshimet më të mëdha se në çdo mandat tjetër në historinë 20-vjeçare të vendit. Ndryshimet janë në të gjitha rrafshet”.
Shtyhet pa afat votimi në PE, nuk ka pezullim vizash për Ballkanin Perëndimor
Shtyhet votimi në Parlamentin Evropian i mekanizmit për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave në zonën Shengen. Komisioni për Liritë Civile në Parlamentin Evropian ka shtyrë pa afat votimin e raportit të eurodeputetit Agostino Diaz De Mera mbi mekanizmin e rikthimit të përkohshëm të regjimit të vizave në zonën Shengen. Arsyeja e këtij vendimi ka qenë mosmarrëveshja që ekziston aktualisht në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian mbi përdorimin e këtij mekanizmi në bazë të përqindjes së azilantëve nga çdo shtet i Ballkanit në territorin e shteteve anëtare. Megjithëse Komisioni Evropian e kishte integruar këtë kriter në propozimin e tij fillestar, Parlamenti Evropian ka qenë kundër përdorimit të këtij kriteri, duke e quajtur atë si politik. Por nga ana tjetër, nisur nga fakti se vendimi për zbatimin e mekanizmit të rivendosjes së regjimit të vizave merret së bashku nga Këshilli Parlamenti, ky i fundit pret një konsensus në gjirin e shteteve anëtare për të fiksuar një datë për votimin në komision dhe më pas në seancë plenare. Në raportin e eurodeputetit De Mera parashikohet që mekanizmi i pezullimit të lëvizjes pa viza të jetë i përkohshëm dhe me afat të shkurtër prej gjashtë muajsh. Ai do të zbatohet vetëm në situata urgjence. Vendimi për rikthimin e përkohshëm të regjimit të vizave për qytetarët e një vendi të caktuar që nuk respekton kushtet e Shengenit paraprihet nga një raport i Komisionit Evropian, si dhe i agjencive evropiane si FRONTEX dhe Zyrës Evropiane për Azilkërkuesit. Vendimi merret nga një komitet i përbashkët i tri institucioneve të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian ngarkohet për ekzekutimin e tij, nëse këtij vendimi nuk i kundërvihet Këshilli i Ministrave të BE-së. Vendet më problematike për abuzimin me liberalizimin e vizave, që rrezikojnë një pezullim tê mundshëm vazhdojnë të jenë Serbia dhe Maqedonia. Ndërkohë Shqipëria dhe Mali i Zi renditen të fundit në listën e numrit të azilantëve nga Ballkani në Bashkimin Evropian. Kjo tregon qartë se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që respektojnë më mirë lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
Majko: Lulëkuqja u hoq si simbol i PS-së se ishte “lule me përmbajtje narkotike”
Në kuadër të përvjetorit të 21-të të themelimit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar, ish-kreu i FRESSH, aktualisht deputet i PS-së, Pandeli Majko, zbuloi dje disa detaje lidhur me ndryshimin e simbolikës së këtij forumi. Anëtari i kryesisë së PS-së në një komunikim në rrjetin social Facebook bëri të ditur teserën e parë të anëtarësisë në forumin rinor, duke nënvizuar edhe arsyet e ndryshimit të saj. “Kjo është tesera parë e anëtarësisë të Forumit Eurosocialist. Po vjen 15 janari i FRESSH-it! Të mendosh se kjo histori filloi me 6 vetë… Për të vazhduar në mijëra të tjerë në të gjithë vendin. Kjo është pjesa më e bukur e historisë politike të Partisë Socialiste. Lulëkuqen që mua më pëlqente veçanërisht, u hoq më vonë edhe nga stema fillestare e PS-së, pasi “ishte lule me përmbajtje lëndësh narkotike” dhe duhej të shkonim tek “trëndafili” i së majtës evropiane… Për të treguar rëndësinë e FRESSH-it të kohës stema e PS-së kishte “dy” trëndafila . Ai i paçeluri përfaqësonte rininë eurosocialiste, pastaj edhe neve na u hap “gonxhja”… Duket sikur është dje! Dhe historia vazhdon!”, – shkruante Majko në rrjetin social.
Gjermeni: Pas 23 qershorit, PS do të sigurojë pagat dhe minimumin jetik
Në reagimin e dytë ndaj vonesës së pagave për administratën, deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, pohoi se pas zgjedhjeve të 23 qershorit vendi nuk do të ketë më këto problem dhe se opozita do të sigurojë pagat dhe minimumin jetik për çdokënd. “Lajmi i mirë është se Sali Berishës i kanë mbetur edhe pak muaj në krye të qeverisë. Në 23 qershor shqiptarët me votën e tyre do i japin jetë një rilindjeje shqiptare e cila do të ketë në fokus të saj qytetarët; ku vendosja e taksimit të ndershëm do të ulë barrën fiskale për nëpunësit publikë që sot si pasojë e taksës së sheshtë paguajnë më shumë taksa sesa vetë kryeministri. Një rilindje shqiptare ku qytetarëve do t’u garantohet paga minimale dhe minimumi jetik, ku shërbimet do të ofrohen sipas nevojës e jo sipas mundësisë për të paguar e ku integrimi shoqëror i shtresave në nevojë e atyre me aftësi të kufizuara do të jetë një nga prioritetet absolute të qeverisë se drejtuar prej Partisë Socialiste”, – u shpreh deputetja e PS Eglantina Gjermeni.





