Regjistrimi i plotë/ Rama, drejtorëve: Votat në kuti ose më 22 qershor ikni. Ka nga ata që po na nxjerrin bojën

Gëzim Saliu

 

foto e publikuar nga berisha per pergjiminRegjistrimi i fshehtë i takimit të Ramës me strukturat e partisë në Shkodër: Disa prej jush duhet të shlyejnë degradimin që kanë shkaktuar në imazhin e PS-së me punën e tyre si drejtorë

Ish-kryeministri Berisha publikoi dje audio-regjistrimin e plotë të kryer në mbledhjen e organizuar nga Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta me strukturat e partisë në qytetin e Shkodrës. Në audion e publikuar nga Berisha, dëgjohet zëri i Kryeministrit, i cili u kërkon drejtorëve të institucioneve shtetërore të emëruar nga PS dhe LSI të garantojnë fitoren e Keti Bazhdarit në Bashkinë veriore, në mënyrë që të mbajnë të njëjtin post edhe një ditë pas zgjedhjeve lokale, pra më 22 qershor. Po ashtu, në audion e zbardhur nga ish-kryeministri, dëgjohet kreu i qeverisë, i cili pohon se është i vetëdijshëm për gabimet e bëra në emërimet e disa drejtorëve, të cilët po i nxjerrin, sipas tij, bojën qeverisë.

 

Transkriptimi i regjistrimit

Në nisje të takimit të zhvilluar pak ditë më parë me strukturat e partisë në Shkodër, Rama theksoi se çdo drejtor i emëruar nga partia do të jetë përgjegjës për kutitë e votimit, duke synuar rezultatin pozitiv në zgjedhje. “…Çdo drejtor, çdo shef, çdo përgjegjës, çdo person që ka marr një fije pushtet nga PS dhe nga LSI por për këtë do t’ju flasë kryetari, një fije pushtet, duhet të garantojë që do ta ketë prapë në 22 qershor. Ne jemi të vetëdijshëm që në të gjithë territorin kemi bërë dy gabime, me burimet njerëzore dhe me emërtesat. Jam i vetëdijshëm që në të gjithë territorin jo të gjithë drejtorët tanë, janë në vlerësimet e duhura. Jam i vetëdijshëm që në çdo qark, çdo rreth, në çdo bashki ka drejtorë që po na nxjerrin bojën”, – dëgjohet fjala e Ramës në regjistrim. Më tej në këtë takim, Rama ka theksuar se drejtuesit e institucioneve të vendosura nga partia në atë post do të mbajnë përgjegjësi personale, nëse nuk arrihet rezultatit i dëshiruar në zgjedhje. Duke theksuar se çdo anëtar partie do të kërkojë votat për forcën ku bën pjesë, PS apo LSI, Kryeministri dëgjohet të theksojë në audio-regjistrim se me rëndësi parësore është vota për kandidatin e përbashkët, në këtë rast Keti Bazhdarin. “Shtabit drejtues, që është shtabi i përbashkët i kandidates dhe i deputetëve që janë këtu në sallë iu tha vetëm një gjë, që të gjithë këtyre drejtorëve, nëndrejtorëve që janë dhe shefa dhe përgjegjës, do t’u caktojnë detyrën konkrete. Dhe detyra konkrete do të jetë: Sa kuti votimi do të kesh ti nën përgjegjësinë tënde personale. Që do të thotë, dikush një zonë, dikush 5 qendra, dikush 2 qendra e kështu me radhë, por ama, aty në krah secili nga ju do të marrë në dorë letrën dhe do ju thuhet: Këto janë votat që ne presim të dalin nga kjo qendër votimi. Shko tani derë më derë, shtëpi më shtëpi, trokit dhe fol për Keti Bazhdarin, dhe kush është i Partisë Socialiste të kërkojë votat për Partinë Socialiste, kush është me LSI të kërkojë votat për LSI, por të gjithë bashkë për Keti Bazhdarin në radhën më të parë, se kjo është kryesorja, dhe në fund fare në qoftë se rezultati, objektivi nuk do të arrihet tek kutia, d.m.th. që koha për t’i hapur vendin dikujt tjetër ka ardhur me datën 22”, – pohoi Rama. Më tej, në këtë takim Rama dëgjohet të nënvizojë se historia e Partisë Socialiste në pushtet ka qenë historikisht që kush bëhej drejtor, i kthente shpinën betejës elektorale. “Kjo nuk ka për të ndodhur prapë, kjo nuk ka për të ndodhur prapë dhe ne nuk do ta lejojmë këtë që të ndodhë, sepse ne kemi bërë mirë që kemi investuar mbrapsht tek ju besimin që ju të merrni përgjegjësi dhe kështu me radhë, por kjo nuk është e ndarë nga domosdoshmëria që shumica jonë, që qeveria jonë, jo vetëm të performojë, jo vetëm të japë rezultate, por edhe të marrë mbrapsht nga populli atë që i takon. Dhe është rasti që disa prej jush këtu të shlyejnë një pjesë edhe të degradimit që kanë shkaktuar në imazhin e PS me punën e tyre si drejtorë, ta shlyejnë duke i kthyer mbrapsht Partisë Socialiste kreditë që ka marrë me 23 qershor në Shkodër, bashkë me LSI, pa diskutim”, – deklaroi kreu i qeverisë, Rama.

 

 

 

Publikimi i regjistrimit nga Berisha/ Rama merr masa në takimin me bazën e PS-së në Durrës, kontroll për përgjues

Pas takimit prezantues së kandidatit të majtë për Bashkinë e Durrësit, ashtu si në çdo qark, Rama ka zhvilluar dje pasdite edhe takimin me strukturat e partisë. Por këtë herë, pas publikimit nga ish-kryeministri Berisha të audio-regjistrimit të takimit të Shkodrës, duket se Rama ka marrë masa që të mos dalin më sekrete nga takimet me bazën ku urdhëroi dje masa të rrepta sigurie. Në mbledhjen e cila zgjati për thuajse një orë mori pjesë edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, deputetë të qarkut dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Garda, para nisjes së takimit, zhvilloi kontrolle të forta, duke synuar eliminimin e aparateve përgjuese, ndërkohë që gjatë zhvillimit të takimit u ndërprenë edhe hyrje-daljet e pjesëmarrësve.

 

Paloka: Rama po përgatit manipulimin e zgjedhjeve. PS: Trillim qesharak

Pas publikimit të audio-regjistrimit nga ish-kryeministri Berisha, PD deklaroi dje se Kryeministri Rama po përgatit manipulimin e zgjedhjeve lokale. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i kërkon Prokurorisë të nisë hetimet, pasi regjistrimi audio i publikuar në “Facebook” nga ish-kryeministri Berisha, sipas tij, tregon se kreu i qeverisë po përgatit manipulimin e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. “Sipas Ramës, çdo drejtor jo vetëm duhet të marrë nën përgjegjësi disa qendra votimi, por nën përgjegjësinë e tij personale duhet të deklarojë “me letër”, siç urdhëron Rama, se sa vota gjenden për mazhorancën në secilën kuti. Ky është një skandal që tregon qartazi se sa keq janë zhytur në llumin e antiligjit Kryeministri dhe i dyti i tij Meta”, – u shpreh Paloka. Ndërkohë që në reagimin e PS theksohet se Rama nuk ka zhvilluar dhe nuk do të zhvillojë takime me administratën për ta angazhuar atë në fushatën e PS duke përdorur detyrën e Kryeministrit. “Sa i takon shpifjes së radhës së Partisë Demokratike, përmes shpifësit profesionist Edi Paloka sot dhe shefit të tij Sali Berisha dje, sqarojmë edhe një herë se çka përdoret si provë e ndonjë shkeljeje të etikës së kryetarit të Partisë Socialiste në raport me administratën është një trillim qesharak për këdo që e di se si është e organizuar makineria elektorale e Partisë Socialiste”, – thuhej në reagimin e PS.

 

Rama i varfër në fushatë, për të tretën herë përdor batutën me kryebashkiakun demokrat

Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit kanë nisur prej ditësh fushatën ku po prezanton kandidatët e majtë në bashkitë e vendit. Ndonëse kreu i qeverisë po mundohet të bindë qytetarët se përse kandidatët e majtë janë zgjedhja më e mirë për bashkitë e tyre, prej ditësh ai po përdor të njëjtën histori për të treguar se pse nuk duhen votuar emrat e propozuar nga e djathta. Sipas historisë së Kryeministrit, një kryebashkiak demokrat, i cili dëshironte të takohej me Ramën për hallet e banorëve të zonës së tij, refuzoi të shkonte në selinë e Kryeministrisë nga frika se mos e shihnin eksponentë nga PD-ja. “Para ca kohësh një kryetar bashkie i PD më çoi një mesazh ku më thoshte se, zoti Kryeministër, komuniteti im ka probleme shumë të mëdha dhe unë kam nevojë për një takim urgjentë,e ju. Unë i thashë që nesër të vish në zyrën time. Ktheu përgjigje dhe tha: Jo në zyrë se më shohin. Tani si mund të bashkëpunojë qeveria me kryetarë bashkie që kanë frikë se i shohin, si mund të diskutojmë projekte me kryetarë bashkie që nuk e kanë veten në dorë?”, – deklaroi sërish Rama dje në Durrës, pasi e kishte treguar më parë këtë histori në Shkodër dhe Lezhë.

 

 

Share it :