I vodhën hashashin, 7 lazaratas tortura çnjerëzore 3 personave

Elton Qyno

lazaratZbardhet e plotë skema e pengmarrjes dhe torturimi i dy vëllezërve Shele nga Përmeti dhe shtetasit Resul Goxhaj

Lidhja me tela dhe izolimi në një banesë të braktisur në Lazarat. “Na jepni mallin ose ju zhdukëm”

 

Dyshimi për grabitjen një sasi lënde narkotike ka bërë që tre persona të rrëmbehen dhe të torturohen në mënyrë çnjerëzore nga 7 pjesëtarët e një grupi kriminal që vepron në zonën e Lazaratit në Gjirokastër. Pjesëtarët e këtij grupi kriminal kishin planifikuar të trafikonin një sasi lënde narkotike të llojit marijuanë në drejtim të Greqisë, mirëpo teksa përpiqeshin të vinin në zbatim planin e tyre, gjithçka është rrëzuar, pasi sasia e drogës është vjedhur nga disa persona. Të 7 pjesëtarët e këtij grupi: Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Aleksandër Kalemi, Alfons Buzheri, Bako Buzheri, Vullnet Buci dhe Arbër Meçi, që të gjithë të pandehur, kanë kryer verifikime, ku kanë dalë në konkluzionin se lënda narkotike ishte vjedhur nga tre shtetasit Ergest Shele, Velo Shele ndryshe Kosta Agora dhe Resul Goxhaj, nga qyteti i Përmetit. Nisur nga kjo situatë, njëri nga anëtarët e grupit, i pandehuri Aleksandër Kalemi, e ka marrë në telefon të dëmtuarin Ergest Shele, duke i kërkuar këtij të fundit të takoheshin në Gjirokastër. Së bashku me vëllain e tij Velo Shelo, ata kanë udhëtuar me autobus nga Përmeti në Gjirokastër, ku pasi janë takuar me të pandehurin Kalemi dhe janë ulur së bashku në një lokal, ata janë gjendur mes disa personave të armatosur. Pikërisht këta persona kanë qenë të pandehurit e mësipërm, të cilët u kanë kërkuar të kthenin mallin e vjedhur, pasi në të kundërt do t’i vrisnin. Dy vëllezërit kanë pohuar se s’kanë vjedhur asnjë kilogram drogë, por pas kësaj ata janë rrëmbyer duke i çuar në një banesë të braktisur në fshatin Lazarat, ku edhe i kanë torturuar për gjatë gjithë natës. Së bashku me ta është torturuar edhe shtetasi Ergys Goxhaj, i cili ka shkuar për të sqaruar situatën, por që më pas është mbajtur peng nga 7 trafikantët.

Kurthi i ngritur

Nga hetimet rezulton se shtetasi Ergest Shele jeton me vëllain e tij, Velo Shele, ndryshe Kosta Agora, në qytetin e Përmetit. Në datën 3.3.2012, i pandehuri Aleksandër Kalemi i ka telefonuar shtetasit Ergest Shele, duke i kërkuar të takoheshin në Gjirokastër. I dëmtuara Ergest Shele ka pranuar dhe në datën 4 mars 2012, rreth orës 08:00, bashkë me vëllain e tij, Velo Shele, janë nisur me autobusin e linjës Përmet – Gjirokastër. I pandehuri Aleksandër Kalemi i telefononte shpesh të pandehurit Ergest Shele për ta pyetur për vendndodhjen. Të dëmtuarit Ergest Shele dhe Velo Shele kanë zbritur në vendin e quajtur Ura e Lumit, ku janë takuar me të pandehurin Aleksandër Kalemi, i cili ishte me një makinë tip “Ford” me xhama të zinj. Të dëmtuarit Ergest dhe Kosta kanë hipur në makinën e tij dhe të tre kanë shkuar tek lokal “Fantazia” afër vendit të quajtur Qafa e Pazarit në Gjirokastër, ku kanë qëndruar rreth 15 minuta dhe me makinën e të pandehurit Aleksandër Kalemi kanë shkuar në drejtim të shkollës “Naim Frashëri” në lagjen Dunavat. Sapo kanë filluar të zbresin poshtë rrugës, janë ndaluar nga një automjet tip furgon me ngjyrë të bardhë me targa amerikane, që drejtohej nga i pandehuri Arbër Meçi. Në këtë kohë nga furgoni kanë dalë të pandehurit Bledar Muho dhe Kasëm Buzheri, të cilët u janë drejtuar vëllezërve Ergest dhe Kosta me fjalët: “Mos lëvizni!” I pandehuri Kasëm Buzheri e ka goditur me pistoletë në kokë të dëmtuarin Ergest Shele duke i thënë: “Më njeh mua… ju që donit të më vidhnit mallin mua”. Më pas kanë goditur me grushte Ergestin dhe Kostën në trup, duke i detyruar të hipnin në një furgon me ngjyrë të bardhë dhe janë nisur drejt fshatit Lazarat. Në afërsi të fshatit Kordhocë, të dëmtuarit janë detyruar të hipin në automjetin e markës “Audi Q7” me ngjyrë të zezë, që drejtohej nga i pandehuri Alfons Buzheri dhe kanë vazhduar rrugën për në fshatin Lazarat. Në furgon kanë hipur edhe të pandehurit Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe Aleksandër Kalemi. Të pandehurit i kanë çuar të dëmtuarit në një shtëpi të braktisur në fshatin Lazarat, duke ushtruar ndaj tyre dhunë çnjerëzore.

Lidhja me tel këmbë e duar

I pandehuri Alfons Buzheri e ka lidhur të dëmtuarin Ergest Shele këmbët dhe duart me tel cingato dhe ka filluar ta godasë me shkelma e grushte duke i thënë: “Nxirrni mallin! Kush e ka marrë?” Më pas në dhomë kanë hyrë të pandehurit Bako Buzheri, Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët kanë filluar ta godasin Ergestin me shkelma e grushte dhe i drejtoheshin me fjalët: “Ku e keni mallin?” Në të njëjtën kohë të pandehurit godisnin edhe të dëmtuarin Velo Shele, të cilin më pas e kanë lënë të lirë, duke e kërcënuar me jetën e të vëllait nëse kallëzonte në polici. I pandehuri Alfons Buzheri ka vazhduar të godasë me shkelma e grushte të dëmtuarin Ergest Shele për ta detyruar që të pranonte se “mallin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhaj dhe Alban Rustemin”. I dëmtuari Resul Goxhaj i njihte këta shtetas, pasi kishte lidhje shoqërore me ta.

Dalja e Resul Goxhajt

Për shkak të dhunës fizike dhe psikike që të pandehurit kanë ushtruar ndaj të dëmtuarit Ergest Shele, ky është detyruar të pranojë që hashashin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhajn dhe Alban Rustemin. Pas disa orësh torturash fizike, ai ka parë në dhomë të dëmtuarin Resul Goxhaj dhe të pandehurit Alfons Buzheri, Bako Buzheri, Vullnet Buci, Bledar Muho, Kasëm Buzheri bashkë me një person tjetër të paidentifikuar kanë filluar të godasin njëherësh Resulin. Për shkak të dhunës, i dëmtuari Resul Goxhaj është detyruar të pranojë se e kishte vjedhur ai hashashin dhe pasi ka pohuar këtë fakt, të pandehurit e kanë lënë të lirë. Më pas, të pandehurit kanë lënë të lirë të dëmtuarin Ergest Shele, i cili ka hipur në furgonin e linjës Gjirokastër – Përmet dhe rrugës është shoqëruar nga policia, ku ka kallëzuar faktet e mësipërme. Më tej, gjatë ballafaqimit mes Ergest Sheles dhe Goxhajt, ky i fundit ka pohuar se nuk kishte vjedhur drogën, por pasi është rrahur me mjete të forta, ka pranuar se ishte ai autori i vjedhjes.

 

 

Asfiksohet 33-vjeçari tek Fresku, vdiq nga gazi helmues i qymyrit

Një 33-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen e Freskut në Tiranë, ku viktima i identifikuar si Galip Duriçi kishte ndezur qymyr në mangall për t’u ngrohur. Ai ka gjetur vdekjen si pasojë e mbytjes nga gazi helmues i dalë nga qymyri. Policia ka mbërritur në vendngjarje pas njoftimit dhe ka nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Nga verifikimet paraprake është konstatuar se 33-vjeçari ndodhej në banesën e tij private, në zonën e Freskut, ku teksa ka ndezur një zjarr për t’u ngrohur, e ka zënë gjumi. Gjatë kësaj kohe, 33-vjeçari, sipas policisë, ka thithur sasi të madhe të gazit helmues dioksid karboni, duke bërë që ai të ketë një vdekje të ngadalshme, si rezultat i asfiksisë. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, 33-vjeçari ka qenë i vetëm në shtëpi dhe s’ka pasur asnjë person që ta shikonte. Ndërkohë, në orët e mesditës, teksa familjarët janë kthyer në banesë, kanë vënë re se 33-vjeçari kishte nxjerrë shkumë nga goja. Të tronditur nga skena që panë, familjarët janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë njeriut të tyre, por në fakt ai nuk ka dhënë asnjë shenjë reagimi. Nisur nga kjo situatë është kërkuar me shpejtësi ardhja e një ambulance, por pas mbërritjes së ekipit mjekësor është konfirmuar plotësisht se 33-vjeçari kishte humbur jetën si pasojë e helmimit nga gazi i lëshuar nga qymyri i mangallit. Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia e Tiranës,e cila ka bërë verifikimet hetimore lidhur me këtë vdekje aksidentale.

Share it :