Gëzim Saliu
Rama: Drejtimi i duhur që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Basha: 5 Maji është frymëzim për çdo shqiptar që të bëjë zgjedhjen e duhur
Partitë politike nuk po lënë hapësirë pa shfrytëzuar për të bërë fushatë lidhur me zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Edhe ditën e djeshme, teksa nderuan Dëshmorët e Kombit, krerët e partive kryesore nuk shmangën mesazhet politike në deklaratat e tyre, ndërsa mazhoranca e majtë tejkaloi çdo limit ku fjalën në këtë eveniment e mori edhe kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit nuk ngurroi të përcillte edhe mesazhin e fushatës “Drejtimi i duhur” në një vend ku presupozohej që po nderoheshin të rënët në luftën për lirinë e atdheut. “Në të gjithë dilemat që kemi, nëse duam të shkojmë në drejtimin e gabuar apo atë të duhur, është momenti që të kujtojmë të gjithë ata 20-vjeçarë të 70 viteve më parë, që e çuan këtë vend në drejtimin e duhur, atë të Evropës dhe idealistëve që janë ende gjallë, të cilët luftojnë sot për një Shqipëri në drejtimin e duhur”, – u shpreh Veliaj. Ndërkaq, edhe Kryeministri Rama nuk ndaloi mesazhet politike kur tha se masat e marra qeveria nuk bëhen për t’i shtuar asaj jetën në pushtet, por për të garantuar, sipas tij, se po ndërtohet shtet. “Ky është drejtimi i duhur që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja, për ata që sot janë më keq sesa dje. Ky është drejtimi i duhur për të bërë realitet ëndrrën e shtetit evropian të shqiptarëve, për të cilën dhanë jetën dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ata, të cilët janë këtu dhe do të jenë këtu edhe kur ne të mos jemi këtu, për të na kujtuar neve dhe të gjithë gjeneratave që vijnë mesazhin e thjeshtë se asgjë nuk është e pamundur, kur të gjithë jemi bashkë. Lavdi të përjetshme dëshmorëve të atdheut”, – theksoi Rama. Ndërkaq Kryeparlamentari Meta tha: “Sot është dita e Qemal Stafës dhe gjithë dëshmorëve të atdheut, ku të gjithë përulemi me mirënjohje për gjakun e derdhur për lirinë e atdheut Në themelet e kësaj Shqipërie euroatlantike dhe evropiane është pikërisht ëndrra dhe sakrifica sublime e Qemal Stafës dhe mijëra vajza e djemve të Shqipërisë, që dhanë jetën e tyre”.
PD-ja
Ndërkaq, në kampin blu, shefi i opozitës, Basha, i cili shoqërohej nga ish-kryeministri Berisha, kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, dhe deputetë të opozitës, pasi vlerësoi konceptin e lirisë, u kujtoi shqiptarëve që të bëjnë zgjedhjen e duhur në 21 qershor. “Edhe ne sot kemi një zgjedhje, të forcojmë dhe thellojmë lirinë e qytetarit, për të punuar, për të prodhuar mirëqenie, lirinë për të votuar e zgjedhur me votë, si dhe për të larguar me votë qeveritë. Ose uljen e kokës, zhbërjen e lirisë individuale që është fillimi i zhbërjes së lirisë shoqërore. 5 Maji është frymëzim për çdo shqiptar që të bëjë zgjedhjen e duhur”, – tha Basha.
Ndalimi i komunistëve
Ndërkaq, ashtu si një vit më parë, mazhoranca e majtë mori masa për të mos u gjendur përballë të papriturave me simbolika grushtesh dhe foto te diktatorit. Organizatorët e ceremonisë për 5 Majin u zunë sot çdo shteg komunistëve që të afroheshin pranë varrezave në kohën kur nderonin krerët e shtetit. Policia nuk lejoi Partinë Komuniste Shqiptare të bëhej pjesë e ceremonisë përkujtimore zyrtare. “Nuk na lejojnë të hyjmë në Varrezat e Dëshmorëve, duhet të jemi aty. Këta janë neonazistë, vijnë në homazhe vetëm për vota”, – akuzuan anëtarët e PKSH-së. Ky ishte viti i dytë që përfaqësues te komunistëve nuk lejohen t’i bashkohen ceremonisë zyrtare të qeverisë për dëshmorët e Kombit dhe ata lejohen vetëm pas largimit të autoriteteve më të larta të vendit.




