Campions League/ Bajerni i frikësohet talentit të MSN, katalanasit njohurive të Guardiolës

 

njohurive të GuardiolësIsh-tekniku katalanas është shprehur se pavarësisht informacionit që ai ka për lojtarët katalanas, i frikësohet talentit të tyre

Pep Guardiola rikthehet në stadiumin ku përjetoi aq shumë momente të bukura. 44-vjeçari spanjoll u shfaq për herë të parë si kundërshtar në sallën e konferencave të stadiumit “Camp Nou” që pas largimit të tij nga Barcelona në vitin 2012 për të analizuar pikërisht sfidën e parë gjysmëfinale mes Barçës dhe Bajernit ku ish-skuadra e tij është dukshëm favorite. Guardiola fillimisht shprehu ndjesitë e tij të para për rikthimin në “Camp Nou”. “Është diçka fantastike të jesh sërish këtu. Kam shumë kujtime të bukura nga ky stadium dhe kjo është një ditë e veçantë për mua. Kam kaluar shumë vite te Barcelona, por tashmë jam trajneri i Bajernit. Kemi ardhur këtu për të luajtur një ndeshje futbolli dhe detyra ime është të bëj më të mirën për të ndihmuar Bajernin të marrë një rezultat pozitiv. Jam i lumtur që ndodhem këtu për të luajtur këtë gjysmëfinale. Të shohim nëse do të jemi ne skuadra që do të kualifikohemi në finalen e Berlinit nga ky duel”. Më pas Guardiola u përqendrua te ndeshja e kësaj të mërkure. Ai e di shumë se sa të vështirë do ta ketë Bajerni të ndalë Barcelonën që aktualisht po kalon një moment të shkëlqyer forme. “Është e vështirë të ndalësh kaq shumë futbollistë të talentuar. Lojtarët e Barçës njihen shumë mirë me njëri-tjetrin. Ju e dini se çfarë opinioni kam për këtë klub dhe këtë skuadër. Sigurisht që kjo nuk është një ndeshje normale për mua që nga momenti që jam ulur në stolin e Bajernit”. Por cila skuadra është favorite sipas Guardiolës për t’u kualifikuar në finalen e madhe të Champions-it dhe çfarë duhet të bëjë Bajerni në ndeshjen e parë për të mbërritur në Berlin. “Është e vërtetë që kemi shumë lojtarë të dëmtuar, por edhe pa ta arritëm ta fitonim titullin në Gjermani, 4 javë përpara fundit. Nëse do të qaheshim gjatë gjithë kohës për futbollistët e dëmtuar nuk do të ishim shpallur kampionë në Bundesligë dhe nuk do të ishim në gjysmëfinalet e Champions-it. Nuk mund të flas për favoritë por nëse Barça na mund do të thotë se e ka merituar. Nëse duam të jemi pjesë e finales duhet të shënojmë të paktën një gol në “Camp Nou”. “Guardiola e njeh shumë mirë Barcelonën por edhe katalanasit e njohin po aq mirë trajnerin 44-vjeçar. Cila skuadër mund të përfitojë më shumë nga ky fakt? “Avantazhi është i tyre, është e vërtetë që unë i njoh shumë mirë ata, por unë nuk mund ta kontrolloj dot talentin e tyre. Lojtarët e Barcelonës bëjnë në fushë gjëra të paimagjinueshme”. Barcelona-Bajern është finalja e parakohshme e Champions-it dhe ka vëmendjen maksimale të mediave. Konferenca nis me Mesin dhe të gjithë heshtin. “Do të jetë takim i vështirë. Vijmë me një mentalitet ndryshe për këtë ndeshje, ku Guardiola i njeh të gjithë. Jemi të motivuar dhe të vetëdijshëm se në çfarë faze të sezonit ndodhemi. Është momenti kur kërkojmë të tre titujt. Trofetë me skuadrën vlejnë më shumë se çdo gjë, pastaj vijnë sukseset individuale. Nuk mendoj se ka një favorit, edhe pse Guardiola na njeh mirë. Barcelona dhe Bajerni janë të detyruar të fitojnë”. Këtu përfundon fjalën e tij Mesi, për t’ia kaluar stafetën trajnerit Luis Enrike, që gjithashtu e nis deklaratën me fokusin te trajneri i bavarezëve. “Nuk do të jetë një ndeshje kundër Guardiolës. Ai është numri një për ato që ka arritur dhe për mua mbi të gjitha është një mik. Ekziston një atmosferë pozitive, për rëndësinë që ka kjo ndeshje dhe për vlerën e të dy skuadrave. Pep e njeh Barcelonën, por nuk besoj se kjo do të ndikojë, sepse ka shumë faktorë të tjerë. Në fushë do të ketë vetëm një top dhe dy skuadra që do ta kërkojnë atë. Për momentin, kjo është ndeshja më tërheqëse në Evropë”. Në përfundim, Enrike tha se nuk preferon të flasë për titujt që mund të fitojë Barcelona këtë sezon, edhe pse pohoi se i pëlqen shumë kur dëgjon fjalën tripletë.

 

 

Nojeri i hedh dorashkën Mesit

Portieri gjerman sfidon Lionel Mesin, duke deklaruar se do t’i tregojë argjentinasit se kush është bosi në fushën e lojës. Raundin e parë në përballjen mes tyre e fitoi gardiani, i cili nuk lejoi që porta e Gjermanisë të prekej në finalen e Botërorit kundër Argjentinës, por tashmë është një tjetër histori, Bajerni i Mynihut kërkon të vendosë me shpatulla pas murit Barcelonën në UEFA Champions League, ashtu si dy vjet më parë. “Kam shumë respekt për Mesin dhe gjithçka që ka arritur në karrierë. Ai është një njeri i përulur por është shumë e rëndësishme që unë t’i tregoj autoritetin tim kur të përballemi në fushën e lojës. Një gjë të tillë e bëra në finalen e Kupës së Botës. Marrëdhënia jonë bazohet në pozicionin dominues ndaj njëri tjetrit dhe respektin reciprok”. Për Nojerin, është shumë e rëndësishme që edhe Bajerni të mos dominohet psikologjikisht nga Barcelona, e cila po zhvillon një sezon fantastik. “Duhet të tregohemi në nivelin e duhur fizik, të tregojmë karakter dhe të jemi cinikë. Një ndeshje ndaj Barcelonës është si finale edhe pse luajmë në gjysmëfinale. Objektivi jonë është që të shkojmë në Berlin. Përpara dy vjetësh e dominuam këtë skuadër në të dyja ndeshjet por situata ka ndryshuar shumë. Këtë herë ata nuk kanë lojtarë të dëmtuar dhe Mesi është rikthyer në formën më të mirë. Nga ana tjetër, skuadrës tonë i mungojnë disa lojtarë kyç. E dimë shumë mirë që është një ndeshje e vështirë por unë kam besim te shanset tona”.

 

Parulla mbështetëse në “Camp Nou”

“Ne jemi gati”. Nuk është një titull kënge, por parulla mbështetëse nga rreth 100 mijë katalanasit e pranishëm në “Camp Nou” për sfidën e parë gjysmëfinale kundër Bajernit të Mynihut. Një mesazh që tifozët do t’ia përçojnë skuadrës në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit që mund të vlejë finalen e madhe të Berlinit. Një pjesë e stadiumit do të valëvisë ngjyrat e fanellës, pjesa tjetër ngjyrat e flamurit katalanas, ndërsa në pjesën më të dukshme, mbështetësit katalanas do të japin mesazhin “We are ready” për t’i treguar skuadrës së ata do të jetë lojtari i 12 në misionin e ekipit të Luis Enrikes për t’u hakmarrë pas asaj disfate 7-0 në dy ndeshjet e vitit 2013 kur Bajerni fitoi edhe UEFA Champions League. Por surprizat nuk mbarojnë këtu pasi tifozët e Barcelonës shikojnë edhe më larg duke kërkuar që trofeu me veshë të mëdhenj të rikthehet në shtëpinë e tyre. Një pjesë e mozaikut do të formojë vitet 1992, 2006, 2009 dhe 2011 gjatë të cilave Barcelona është shpallur kampione e Evropës. A do të shtohet edhe 2015-a në këtë kolorit? Kjo mbetet për t’u parë por për momentin ekipi i Luis Enrikes duhet të kalojë pengesën Bajern.

 

 

Mayweather: Gati të rindeshem me Pacquiao-n

Dueli i boksit ndërmjet Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao bëri bujë të madhe në gjithë botën, si para ashtu edhe pas meçit. Boksieri amerikan doli triumfues me vendimin e gjyqtarëve, mirëpo jo gjithkush është shprehur i kënaqur me këtë vendim. Madje, ka pasur shumë spekulime se rezultati ishte manipuluar dhe se përballjen duhej ta fitonte filipinasi. Për t’i shuar të gjitha këto dyshime dhe, natyrisht, për të fituar akoma më shumë para, Mayweather është shprehur i gatshëm që të përballet sërish me Pacquiao-n. Nëse arrihet marrëveshja për të ndodhur përballja, atëherë ‘rimeçi’ pritet të zhvillohet pas afro një viti.

Share it :