Aplikuan 172 ish-pronarë, përfitojnë vetëm 95
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave publikoi dje listën e ish-pronarëve, të cilët përfitojnë nga fondi i kompensimit për vitin 2014. AKKP njofton në lidhje me mbylljen e procesit për kompensimin financiar të pronarëve, vendimet e të cilëve kanë njohur të drejtën e kompensimi për zërin kadastral “truall”. Në mbështetje të VKM nr. 889, datë 17.12.2014 për “Përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2014”, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njoftoi fillimin e procesit të pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin financiar, nga fondi në të holla për vitin 2014, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim. Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond filloi më datë 5.1.2015 dhe përfundoi më datë 5.2.2015. AKKP në kuadër të këtij procesi ngriti grupin e punës për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara. Subjektet e interesuara u paraqitën pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për depozitimin e dokumentacionit të kërkuar bazuar në rregullat dhe kriteret, për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2014, të miratuara me VKM nr. 889, datë 17.12.2014.
Fondi i miratuar me ligjin nr. 185/2013 për “Buxhetin e vitit 2014” për këtë proces kompensimi ishte 300 000 000 lekë. Shuma totale e cila do të shpërndahet në procesin që sapo u mbyll është 305 315 237,18 lekë e cila mbulohet nga fondi i miratuar me ligj nga buxhetit të shtetit dhe të ardhurat e AKKP të vitit 2014. Për procesin e kompensimit në të holla nga fondi i vitit 2014, numri i kërkesave (aplikimeve) të cilat u regjistruan pranë AKKP-së arriti 1724 aplikues. Ne përfundim të afatit tremujor për shqyrtimin e kërkesave, AKKP shpall si përfitues nga ky proces 95 subjekte te shpronesuar. Vendimi i fundit përfitues është vendimi nr. 1081, datë 30.12.1994. Kërkesa të cilat rezultojnë jo përfituese nga ky fond janë gjithsej 199. Pjesa tjetër e kërkesave nuk kanë mundur të përfitojnë për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve”, – thuhet në një njoftim të AKKP-së. Procesi i kompensimit financiar për këtë vit, krahasimisht me procesin e kompensimit financiar për vitin 2013 shënoi rritjen e numrit te përfitueseve me 45 përfitues më shumë sesa viti 2013 dhe 62 përfitues më shumë se sa viti 2012.
Emrat e ish-pronarëve i lexoni në faqet e brendshme të gazetës Standard




