Jurges Veizaj
Tekniku italian i galaktikëve është shprehur se do të jetë një ndeshje e ndërlikuar, pasi përballë kanë një kundërshtar të vështirë
Në kampin e torinezëve ka shumë besim se mund të kalojnë në fazën tjetër, edhe pse do t’u duhen dy ndeshje të mëdha
Liga e Kampioneve hyn në fazën më spektakolare të saj. Gjysmëfinalet nisin sot në mbrëmje për t’i dhënë startin ndeshjeve më përcaktuese për suksesin e një sezoni të 4 skuadrave që marrin pjesë. Në 20:45, Torinoja do të jetë në qendër të vëmendjes, pasi “Zonja e vjetër”, Juventusi, do të përballet me galaktikët spanjollë të Realit të Madridit. Një sfidë e cila ka të gjithë përbërit e duhur për të dhuruar spektakël. Histori, lojtarë të mëdhenj dhe një trofe që lakmohet nga të gjithë. Para ndeshjes kanë folur edhe disa nga protagonistët e kësaj sfide. Karlo Ançeloti rikthehet në Torino, por këtë herë si kundërshtar i Juventusit, skuadër me të cilën arriti disa suksese të rëndësishme në karrierën e tij. Trajneri i Realit të Madridit do të sfidojë të shkuarën për të kërkuar lavdinë në sportin e futbollit, pasi një kualifikim i mundshëm në finale do të ishte një arritje fantastike për karrierën e tij. Në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale, që do të luhet në “Juventus Stadium”, Ançeloti e pranon se gjatë dy viteve që ka kaluar si bardhezi, ka pasur probleme me një pjesë të tifozerisë, por marrëdhënia me shoqërinë dhe lojtarët ishte korrekte. Në vijim, ai përqendrohet te sfida e Ligës së Kampioneve. “Formacionin e kam vendosur, por nuk do ta bëj publik. Kjo është një ndeshje e ndryshme në krahasim nga ajo me Atletikon e Madridit. Juventusit i pëlqen ta mbajë topin, por edhe ne e duam një gjë të tillë. Do të jetë një sfidë e ndërlikuar, por stimuluese. Juventusi ka fituar shumë përvojë gjatë viteve të fundit dhe këto ditë arriti të fitonte kampionatin”. Në vijim, Ançeloti vë theksin te objektivi që ka skuadra e tij. “Gjëja më e rëndësishme është që të luajmë mirë, duke treguar cilësitë tona. Mund të kalojmë edhe me dy barazime. Do të sulmojmë në këto dy sfida, por na duhet edhe të mbrojmë mirë. Do ta nisim këtë ndeshje me 4 mbrojtës dhe Serxho Ramos mund të luajë mesfushor”. Reali i Madridit ka arritur të fitojë vetëm një herë në Torino me Juventusin, por Ançelotin nuk e tremb aspak ky fakt. “Kjo është një statistikë që tregon se Juventusi ka pasur gjithmonë një skuadër të fortë. Gjithsesi, ne dëshirojmë me çdo kusht të kualifikohemi në finale dhe do të japim maksimumin në 180 minuta. Për momentin gëzojmë një formë të mirë, edhe pse gjatë dimrit vuajtëm pak. Skuadra është gati pavarësisht nga dëmtimet”. Në fund, trajneri italian bën një koment për Andrea Pirlon, por edhe për gjendjen e Gareth Bejlit. “Shpresoj që Andrea të vazhdojë të luajë me këtë fanellë edhe vitin e ardhshëm. Kam lexuar që më konsideron si një baba, por ai për mua është si një vëlla. Bejl? Është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në gju. Luajti gjysmë ore me Seviljen, por tani është në gjendje të mirë”.
Pirlo: Nëse fitoj Championsin, e mbyll me Juven
Cikli i Andrea Pirlos tek Juventusi mund të mbyllet pas disa javësh, sigurisht me një kusht, të cilin organizatori i bardhezinjve e zbulon në prag të gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit në Torino. “Nëse arrijmë të fitojmë Championsin, do të largohem nga Juventusi për të nisur një aventurë të re jashtë Italisë. Juvja do të jetë skuadra ime e fundit në Serinë A”. Me trofeun e Ligës së Kampioneve në vitrinën e Juventusit, largimi i Pirlos do të ishte një vendim i pranueshëm si për drejtuesit bardhezinj ashtu edhe për tifozët. Andrea pret ta mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme epokën e tij në Torino, ku ka arritur të koleksionojë 4 tituj kampion radhazi. Tashmë i ka mbetur edhe një detyrë: ta udhëheqë Juventusin drejt një suksesi që shumëkush e konsideron të pamundur. “Nuk duhet ndonjë mrekulli për ta fituar Championsin. Thjesht duhet të tregojmë forcën tonë dhe mbi të gjitha të jemi të guximshëm. Nuk kemi çfarë të humbasim, prandaj jemi në të drejtën tonë ta ndjekim këtë ëndërr”.
Kasijas: Juventusi do të sulmojë, Bufon idhulli im
Iker Kasijas është i bindur se Juventusi do të përpiqet ta zotërojë ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Skuadra spanjolle do të udhëtojë të martën në Torino në kërkim të finales së dytë radhazi në garën evropiane dhe Kasijas mendon se ata do të luajnë me tjetër kundërshtar, krahasuar me Atletikon, të cilin Reali e eliminoi në çerekfinale. “Nuk mendoj se ndeshja e nesërme do të jetë si ajo kundër Atletikos”, – ka deklaruar Kasijas për “La Gazzetta dello Sport”. “Juventusi në Ligën e Kampioneve dhe në ndeshjet vendimtare gjithmonë ka bërë të pamundurën për ta dominuar ndeshjen. Edhe pse e them këtë, në gjysmëfinale çdokush del në fushë me rezultatin në mendje. Unë pres disa gola dhe nivel të lartë të tensionit deri në fund”, – ka thënë kapiteni i “Los Blancos”. Gardiani spanjoll foli edhe për faktin se si gjithmonë e ka konsideruar si një shembull për të ndjekur homologun e tij te Juventusi, Xhanluixhi Bufon. Dy portierët ikonikë do të përballen të martën mbrëma në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve dhe pa dyshim faqet sportive kanë nxitur debat se cili është më i miri në dy dekadat e fundit. Spanjolli 33-vjeçar ka thënë se gjithmonë e ka shikuar Bufonin si një model për karrierën e tij. “Xhixhi është një pikë reference për mua. Secili nga brezi im që ka ëndërruar të bëhet portier ka pasur objektiv që të bëhet si ai”, – ka thënë Kasijas për “La Gazzetta dello Sport”. Portieri i Realit ka shprehur admirim edhe për veteranin tjetër të Juves, Andrea Pirlo, për të cilin ka thënë se është kënaqësi ta shohësh si luan futboll.
Tirana dhe Partizani ndahen në paqe
Ka mbaruar gjithçka me nja barazim midis Tiranës dhe Partizanit. Një sfidë e cila kishte mbushur stadiumin Qemal Stafa plot e përplot. Një spektakël i madh i dhuruar edhe nga tifozët që me koreografitë e tyre jepnin sinjale të një ndeshje të madhe. Sfida nisi e shpejtë dhe me shumë ritëm nga të dyja krahët. Ishin lojtarët e Partizanit ata që dukeshin më të organizuar në sulm ndërsa Tirana po përiqej që të fitonte nga gabimet e të kuqëve. Presion dhe dyluftime të forta, nga lojtarët kjo edhe për shkak të rëndësisë së ndeshjes. Goli i parë do të vinte nga Tirana dhe do të ishte Elis Bakaj ai që pas një goditje të Sefës e pritur nga Hoxha topi u kthye në këmbët e fanazistit që e çoi topin në rrjetë. Gol që sjell festën e te Tirana dhe që mbyll pjesën e parë. Fraksioni i dytë do të niste me një PArtizan në kërkim të golit, dhe nuk do të vononte shumë dhe loja e të kuqve do të jepte efekt. Në minutën e 55-të, pas një krosimi të topit në zonë do të shënonte Fazliu, çka solli edhe ekzaltimine tifozersë të kuq. Ndeshjes do ti shtohet tensioni me debate midis lojtarvë dhe me dylfutime dhe ndërhyrja të rënda. Nerva që në minutën e 82-të do të shtoheshin edhe më shumë, pasi do të ishte Mazrekaj që me një godtije dënimi do të shënonte duke i sjellë avantazhin skuadrës së tij. Një ëndërr që nuk do të zgjaste shumë, pasi 3 minuta më vonë do të vinte edhe goli i barazimit nga Bakaj i cili u gjet i lirë në zonë dhe nuk gaboi duke e çuar rezultatin në 2-2. Kaq mjaftoi dhe minutat e fundit do të ishin një orovatje e të dy skuadrave për të shënuar por pa rezultat. Ndeshja u mbyll me barazim duke u dhënë nga një pikë çka i ul shanset Tiranës për titull, dhe i jep siguri Partizanit për të ruajtur pozicionit.




