Ervin Kaduku
Deri tani, qeveria dhe kompania kanadeze e naftës Bankers Petroleum kanë pranuar një pjesë të dëmeve, që janë shkaktuar nga shpërthimet e pakontrolluara në Marinzë. Por dëmet janë shumë më të mëdha se sa thuhet e mendohet.
Askush, p.sh. nuk po flet për faktin se përmes zonës së ndotur thellë kalon kolektori i ujërave Roskovec-Hoxharë, i njohur ndryshe me emërtimin “vija e ngjalës”, nisur nga ajo se ishte e pasur dikur me ngjala e peshq. Këtu tashmë është zhdukur çdo lloj shenje jete, madje nuk gjenden as bretkosa. Kush do ta paguajë këtë dëm, që ka të bëjë me një burim të madh pasurie dhe jetese për banorët? Për 11 vitet që punon Bankersi, habitati natyror i faunës në këtë zonë është shkatërruar rëndë. Askush nga qeveria nuk prononcohet se kush do ta paguajë uljen e rendimentit të prodhimit në zonat e tjera që preken nga ujërat e ndotura deri në det. Pasi edhe lumi Seman ndotet nga mbetjet hidrokarbure.
Nga ana tjetër, është përllogaritur se shoqëria shqiptare ka harxhuar mbi 10 mijë dollarë për të hapur një vend të ri pune në sektorin e naftës dhe të gazit, duke nisur nga investimet shumëdekadëshe, ato për shkollimin etj. Me futjen e kësaj kompanie në terrenin e gatshëm shqiptar ikën jashtë vendit me dhjetëra specialistë naftëtarë të të gjitha niveleve, nga më të aftët, duke shkaktuar edhe ikjen e të ardhurave të tyre, që ndikonin ndjeshëm në rritjen e mirëqenies së familjeve.
Me futjen e kompanive të huaja në naftë, kompania shtetërore tani është katandisur me vetëm një të tretën e punonjësve që ka pasur më parë. Ndërkohë, pagat e atyre që janë tanimë rezidentë në Kanada, ku punojnë nëpër zona polare për të nxjerrë naftë, mbeten kryesisht në Kanada, pa kontribut në jetesën e shqiptarëve.
Ndërkohë që këto janë gjëra që fshihen, opinioni po mbytet edhe me gënjeshtra. Prodhimi i naftës prej 1.4 milionë tonësh nuk mund të nxjerrë asnjë kompani me humbje. Kur Albpetroli shtetëror prodhonte 400 mijë tonë në vitin 2003, kontributi financiar me anë të taksave i dy ndërmarrjeve Armo dhe Albpetrol ishte mesatarisht 50-60 milionë dollarë në buxhet, ndërkohë që çmimet e karburantit në shitjen me pakicë atëherë ishin vetëm mesatarisht 65 lekë për litër. Në qoftë se prodhimi do të ishte 1.4 milionë tonë dhe çmimi i karburantit 150 lekë për litër, siç është sot, atëherë kontributi financiar duhej të ishte 6 herë më i madh në çdo vit dhe do të arrinte shifrën 350 milionë dollarë në vit. Për dhjetë vjet, i bie që të kemi humbur një pasuri të vërtetë, mbi 3 miliardë dollarë…!
Pas shpërthimeve në Marinzë, në atë zonë u dynd qeveria, ministër pas ministri, deputet pas deputeti. Por problemi nuk ka lindur sot. Vit pas viti banorët e zonës kanë protestuar për dëmet që kjo kompani u shkaktonte banesave dhe zonës nga shpërthimet që kryente nën tokë. Megjithatë, kompania është lënë e lirë që të vijojë të mos paguajë taksat e duhura dhe të dëmtojë banorët.
Greqia synon lidhje me gazin rus
Athina zyrtare pret që të nënshkruajë një marrëveshje për të marrë pjesë në një gazsjellës, që do të transportojë gazin rus drejt Evropës, nëpërmjet territorit grek. Kjo deklaratë është bërë nga ministri grek i Energjisë, i cili parashikon se kostoja do të jetë rreth 2 miliardë euro. Kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras shprehu interesin në pjesëmarrjen e Athinës në këtë projekt, gjatë vizitës së zhvilluar në Rusi, ku u takua me presidentin, Vladimir Putin. Por Putin deklaroi se nuk u nënshkruan marrëveshje të rëndësishme dhe është në dorën e Greqisë për të vendosur.
Pas anulimit të ndërtimit të gazsjellësit “Rrjedha e Jugut”, tashmë Rusia i ka mbështetur shpresat tek Turqia për të ndërtuar gazsjellësin “Rrjedha e Turqisë”. “Një marrëveshje, me shumë gjasa, do të finalizohet në muajt në vijim”, – deklaroi zv.ministri grek i Financave, Panajotis Llafazanis. Ai shtoi se projekti, i financuar, ndërtuar dhe operuar nga kompanitë private, do të krijonte rreth 20 mijë vende të reja pune.
Aktualisht, Gazsjellësi TransAdriatik TAP, që do të kalojë edhe nëpër territorin e Shqipërisë, është projekti më i madh në proces ndërtimi dhe do të transportojë gazin e Azerbajxhanit drejt Evropës. Por, e gjendur në vështirësi të mëdha financiare, Greqia po përpiqet të përfitojë sa më shumë nga çdo projekt.





