Ervin Kaduku
Kemi të bëjmë me një kërkesë për bllokim të pasurive të gjigantit të naftës ARMO, të zotëruar nga Rezart Taçi, në masën e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore ndaj një kompanie sigurimesh
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, në ditët e fundit të vitit të valuar, u vu re një padi jo e zakontë civile. Fjala është për një kërkesë normale nga një kompani tregtare ndaj një tjetre për mosshlyerje të detyrimeve, por emrat e këtyre kompanive dhe lidhjet midis tyre mund të krijojnë një pikëpyetje të konsiderueshme lidhur me atë se çfarë është duke ndodhur në tregjet shqiptare.
Në detajet e çështjes civile nr. 20798, të depozituar pranë Gjykatës së kryeqytetit, thuhet se më datë 26 dhjetor 2012, paditësi SICRED sha ka paditur ARMO sha sa më poshtë vijon:
Detyrim i përmbushjes së çmimit vlerës së kontratës sipas parashikimeve kontraktuale, pagesë 42.918.144,00 lekë, si dhe detyrimi i pagesës së kamatës së arrirë ligjore me vlere 2.470.168,42 lekë, si dhe detyrimi i pagesës së dëmit të sjellë si rezultat i mospërmbushjes së detyrimit kontraktual me vlerë 5.561.914,40 lekë, humbjet e pësuara nga pakësimi i pasurisë, marrja e masës së sigurimit të padisë në shumën totale të detyrimit të pretenduar.
Para, këtu kemi të bëjmë me një kërkesë për bllokim të pasurive të gjigantit të naftës ARMO, të zotëruar nga Rezart Taçi, në masën e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore ndaj një kompanie sigurimesh.
Gjyqi do të zhvillohet nga gjyqtari Altin Shkurti, i cili, ndërkohë, e ka pranuar padinë.
Në total, në rast se gjyqi e pranon kërkesën, Rezart Taçit, por edhe shtetit, që është bashkëpronar tek ARMO, do t’i bllokohen 50.950.226,80 lekë, shifër e barabartë afërsisht me 364 mijë euro.
Çështja
Çështja nuk është aq e thjeshtë sa duket. Kompania e sigurimeve në fjalë është një degë e Bankës Credins, institucion bankar, nëpërmjet të cilit janë kryer të gjitha veprimet e kompanisë ARMO, madje edhe ato për blerjen e saj nga Rezart Taçi disa vite më parë. Credins pati jo pak probleme lidhur me përfshirjen e saj në një aferë të Taçit me një bankë me pronar shtetin e Azerbajxhanit, që duhet të jetë pezulluar vetëm falë ndërhyrjes së shtetit shqiptar në favor të zgjidhjes së çështjes, me një dëm prej rreth 110 milionë eurosh, para të papaguara. Kjo çështje e dytë duket se ka hedhur benzinë sërish midis dy partnerëve, nga të cilët banka duket se është më në rregull.
Pyetja shtrohet: pse në mënyrë të vazhdueshme kompanitë e drejtuara nga Rezart Taçi ndodhen në “syrin e ciklonit” të proceseve gjyqësore apo debateve politike, madje? Kjo nuk mund të justifikohet me zgjerimin e aktivitetit të manjatit shqiptar të naftës, përkundrazi, ky zgjerim mund të kishte sjellë rritjen e mundësive të tij për të paguar detyrimet e tij në të Katar anët e bizneseve që po zotëron, njërin pas tjetrit.
Por, në radhë të parë, gjyqe të tilla dëshmojnë edhe për një mungesë korrektese nga një biznesmen që arrin në majat e xhiros vjetore në ekonominë shqiptare, por ndërkohë për muaj me radhë mbyll me dry objektin e vetëm e më të rëndësishëm për prodhimin e hidrokarbureve për tregua shqiptar, duke lënë edhe punëtorët pa punë, për të vepruar si importues.
Një fakt i tillë nuk mund të mos hedhë një hije të re lidhur me seriozitetin e deklaratave të vetë zotit Taçi se ai i ka gati paratë për blerjen e gjigantit të ekonomisë shqiptare, Albpetrolit. Një gjë të tillë, në një nga konferencat e shtypit të fundit, e ka pohuar edhe vetë kryeministri Berisha indirekt, kur tha se nuk është hedhur në arkën e shtetit asnjë lek, dollar apo euro nga garancitë e ofruara prej tij. Shqiptarët presin dhe urojnë që ky operacion të përfundojë me sukses, duke i dhënë një forcë të re investimeve dhe të gjitha detyrimeve financiare të shtetit shqiptar ndaj privatëve. Por, dyshimet sa vjen e shtohen dhe një proces i ri, në një masë ndoshta modeste për gjigantë të tillë të industrisë, prej më pak se 350 mijë euro, për të cilat nuk rezulton të jetë respektuar angazhimi i marrë kontraktor, vetëm sa përforcon dyshimet e përfundimit pozitiv të procesit të privatizimit.
Detaje të çështjes civile nr. 20798
Gjykata e Shkallës së Parë
| Nr. i çështjes: | 20798 | |
| Dt. e regjistrimit: | 26.12.2012 | |
| Paditësit: | SiCRED sh.a. | |
| Të paditurit: | ARMO sh,a, | |
| Lloji i çështjes: | Padi kontrate sigurimi (Neni 1113-1161) | |
| Baza ligjore: | Neni 1113 – 1161 | |
| Objekti: | Detyrimi i përmbushjes së çmimit të vlerës së kontratës sipas parashikimeve kontraktuale pagese nr 42.918.144,00 lekë si dhe detyrimi i pagesës së kamatës së arrirë ligjore me vlerë 2.470.168,42 lekë si dhe detyrimi i pagesës së dëmit të sjellë si rezultat i mospërmbushjes së detyrimit kontraktual me vlerë 5.561.914,40 lekë humbjet e pësuara nga pakësimi i pasurisë marrja e masës së sigurimit të padisë në shumën totale të detyrimit të pretenduar | |
| Statusi i dosjes: | Gjykim | |
| Gjyqtari: | Altin Shkurti |
Qeveria, fonde për sistemimin e kullimit të sistemit kodrinor
Artur Ajazi
Qeveria ka gati fondet për gjithë sistemin e kullimit në zonat fushore dhe kodrinore të Qarkut të Durrësit për vitin 2013. Pas situatave të krijuara muajt e fundit, në vazhdën e projekteve qeveria ka menduar seriozisht lidhur me masat urgjente ndaj rrëshqitjeve në zona të ndryshme kodrinore të Durrësit, ku si shkak kanë qenë shirat e shumtë. Që nga muaji nëntor i vitit 2012, për shkak të shirave, janë regjistruar disa raste shkarjesh masive të dherave nga kodrat e qytetit të Durrësit. Pasojë e shkarjeve ka qenë bllokimi i rrugëve si dhe paniku te banorët të cilët kanë ndërtuar përgjatë këtij sistemi. Por nëse do të funksiononte rrjeti i kanalizimeve të ujërave të larta, i cili tashmë ka dalë jashtë përdorimit për shkak të ndërtimeve pa leje mbi kanale rreziku i shkarjes së dherave dhe shembjes së shtëpive do të ishte i vogël. Por në kushtet aktuale, banorët e kodrave si dhe ato poshtë tyre jetojnë me panikun e shembjeve për shkak të shkarjeve. Një projekt për rinovimin e sistemit të kanalizimeve do të ishte shpëtimi i banorëve nga shkarjet masive e dherave. Një projekt i tillë është hartuar 5 vjet më parë në pamundësi për të shembur 150 banesat e ndërtuara mbi kanale e hidrovore. Por realizimi i këtij projekti i cili parashikon ndërtimin e një kanali të madh si dhe të një rrjeti kanalesh dytësore që lidhen me të, kërkohen 10 milion dollarë. Një projekt i tillë mund të realizohet me fonde nga buxheti i shtetit duke qenë se rreziqet nga kodrat prekin një zonë turistike, ose me kredi nga bankat e huaja- deklaruan për “Standard” në bashkinë e Durrësit. Por në bazë të projekteve që janë parashikuar të realizohen në vitin 2013, si dhe nga prioritetet që ka qeveria, duket se rrjeti i kanalizimeve në kodrat e Durrësit nuk do të mbetet vetëm një studim, por projekt që do të gjejë zbatim konkret. I pyetur për problemin e shkarjeve të dherave nga kodrat dhe për rrezikun e këtij fenomeni, kreu i bashkisë Vangjush Dako tha për “Standard”: “Edhe gjatë vitit 2013, do të vazhdojmë të ndërtojmë prita me anë të mureve apo të rrjetave metalike të mbushura me gurë, por ndihma e qeverisë mbetet vendimtare”. Disa ditë më parë u regjistrua shkarja e fundit dherave rezultat i së cilës ishte bllokimi i rrugës Durrës – Currila për 5 ditë derisa mjetet e rënda arritën që të largojnë qindra metra kub baltë dhe dhera të cilat ishin plot 300 metra katrore asfalt që u mbulua me një shtresë e madhe me baltë. Nisur nga kjo situatë qeveria ka menduar të mos vonojë asnjë minutë dhe të mos presë më, por të ndërhyjë me fondet e saj për të shmangur katastrofën e mundshme në zonat kodrinore.




