Blerta Mrishaj
Investimi për 2013-ën, rikonstruksioni i 14 shkollave 9-vjeçare, ndërtimi i 3 shkollave të reja 9-vjeçare, rikonstruksion i 2 shkollave të mesme si dhe ndërtimi i 2 shkollave të mesme të reja
Për tri vitet e ardhshme buxheti i Tiranës parashikohet të jetë 310 milionë dollarë, nga të cilat 80 milionë dollarë do të shpenzohen për vitin 2013
Investimet e buxhetit të Bashkisë Tiranë për arsimin:
Rikonstruksioni i 14 shkollave 9-vjeçare
Ndёrtimi i 3 shkollave tё reja 9-vjeçare
Rikonstruksioni i 2 shkollave të mesme
Ndёrtimi i 2 shkollave të mesme tё reja
Rikonstruksion i shkollës speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara
Ndёrtimi i 4 palestrave tё reja dhe rikonstruksioni 2420 m2, palestra ekzistuese
Shtimi i 34 laboratorëve tё rinj në sistemin shkollor të Tiranës
Të dhënat:
Nga këto ndërhyrje do të përfitojnë 14 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare; 2.200 nxёnёs të shkollave tё mesme
Arsimi parauniversitar
Ndërtimi i shkollës së re të mesme në Sauk pranë ambienteve të Policisë Ushtarake
Rehabilitimi i një sistemi të ngrohjes në shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno” , rehabilitimi i pjesshëm i Një sistemi të plotë të ngrohjes së shkollës 9-vjeçare, “Mustafa Greblleshi”
Ndërtimi i shkollës së re 9-vjeçare tek Depoja e Ujit
Rehabilitimi i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”
Rikonstruksion dhe instalim të sistemit të ngrohjes në shkollën e mesme “Ismail Qemali”
Brenda dy viteve shkollat në Tiranë nuk do të zhvillojnë mësim me turne. Deri në 2015-ën buxheti i Bashkisë së Tiranës parashikon investime në arsim, duke nisur që me rikonstruksionin e 14 shkollave 9- vjeçare, ndërtimin e 3 shkollave tё reja 9-vjeçare, rikonstruksionin e 2 shkollave të mesme si dhe ndërtimi i 2 shkollave të mesme tё reja. Nga këto ndërhyrje, do të përfitojnë 14 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare, 2200 nxёnёs të shkollave tё mesme. Këto investime pritet të ndryshojnë gjendjen aktuale ku fluski i lartë i nxënësve ka mbipopulluar shkollat e kryeqytetit dhe mësimi nuk zhvillohet në mënyrë normale. Në të njëjtën kohë shkollat që do ti nënshtrohen rikonstruksionit dhe godinat e reja që do ndërtohen do të jenë të pajisura me sistem ngrohje, laboratorë të veçantë për lëndët shkencore dhe për kompjuterin.
Shkollat e reja
Vetëm gjatë këtij viti parashikohet të ndërtohen dhe rikonstruktohen disa shkolla 9-vjeçare. Kështu nis ndërtimi i shkollës 9-vjeçare në rrugën “Ali Demi” në këtë zonë ndonëse ndodhen edhe 5 shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme, megjithatë numri i nxënësve është tepër i madh dhe të gjitha shkollat kanë nga 5 deri 13 klasa që e zhvillojnë mësimin me dy turne. Ndërtimi i një shkolle të re 9-vjeçare do të lehtësonte shkollat ekzistuese dhe do ti kthente të gjitha këto shkolla me një turn. Shkolla e re mund të ndërtohet në ambientet e ish Ndërmarrjes Gjeologjike, e cila pjesërisht është kthyer në fabrikë këpucësh. Shkolla e re do të akomodojë deri në 900 nxënës. Gjithashtu do të ndërtohet një tjetër shkollë tek ish Kombinatit Tekstil në njësinë nr. 6, kjo shkollë pritet të zgjidhë mbingarkesën e nxënësve të shkollave 9-vjeçare ”Shyqyri Peza” dhe ”Musine Kokalari” në të cilat mësimi zhvillohet me 2 turne. Shkolla e re 9 -vjeçare që do të ndërtohet në magazinat e ish kombinatit tekstil do të ketë 3 kate me një numër afro 900 nxënës. Në njësinë nr. 9, fëmijët e kësaj zone frekuentojnë shkollën “Qazim Turdiu” dhe “7 Marsi” gjë që ka bërë që të rritet numri i nxënësve në këto shkolla, për këtë është planifikuar ndërtimi i një shkollë të re tek Parku i Autobusëve urban dhe pritet të akomodojë 900 fëmijë, me 30-35 klasa mësimi dhe laboratorë, me standardin 30 nxënës/klasë. Sa i takon njësisë 11 do të ndërtohet dy shkolla të reja, përkatësisht ndërtim shtesë të shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini” si dhe shkolla “Ahmet Gashi, e cila do të prishet dhe ndërtim i një objekti të ri me një sipërfaqe totale 4577 m2, 3 – 4 kate. Në rrugën “Hoxha Tahsim”, në njësinë bashkiake nr. 2, përveç shkollës nëntëvjeçare aktuale, do të prishet për të kryer ndërtimin e ri.
Rikonstruksione
Gjatë këtij viti do të ketë ndërhyrje për rikonstruksion në një sërë shkollash dhe godinash në Tiranë. Kështu shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Braja” ndodhet në zonën e Saukut në njësinë bashkiake nr. 2. Në shkollën 9 vjeçare ”Ibrahim Braja” do të kryhet rikonstruksioni i objektit ekzistues si dhe instalimet e sistemit të ngrohjes. Aktivitetet kryesore të kësaj ndërhyrje përbëhen nga punime e rikonstruksionit të godinës si riparimi i suvatimeve, lyerje, hidroizolimi i tarracës i kombinuar me riparimin e çatisë, instalimet hidrosanitare, sistemi i ngrohjes, MKZ, rrjeti elektrik, rrjeti telefonik dhe kompjuterik, etj. Një ndër shqetësimet kryesore që ka shkolla është lagështia që ekziston në të gjithë katin përdhe. Rikonstruksion i plotë i Shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani” në Njësinë Bashkiake nr. 3 e ndërtuar në vitin 1975 dhe i është kryer një rikonstruksion i lehtë në vitin 2003. Shkolla ka 600 nxënës, kryesisht të popullsisë rome. Në shkollën 9-vjeçare “Niket Dardani” duhet të kryhet rikonstruksioni i objektit ekzistues si dhe ndërtimi i palestrës dhe ambienteve ndihmese etj, si dhe sisteme të ambienteve te jashtme. Pritet që të kryhet ndërhyrje duke nisur që me riparimin e suvatimeve, bojatisje, hidroizolimi i tarracës, instalimet hidrosanitare, sistemi i ngrohjes, MKZ, rrjeti elektrik, rrjeti telefonik dhe kompjuterik, etj. si dhe sistemime të ambienteve të jashtme. Gjithashtu planifikohet realizimi i një shtese ambientesh në katin përdhe me sipërfaqe 865 m2 dhe 162 m2 në katin e parë dhe të tretë me realizim të një salle polifunksionale dhe palestre. Gjithashtu do ti nënshtrohet rikonstruksionit të plotë i shkollës së mesme “Eqrem Çabej” në Njësinë Bashkiake nr. 4, në zonën e Akademise “Skënderbej”, ka 600 nxënës dhe 29 klasa. Në shkollën e mesme “Eqrem Çabej” do të kryhet rikonstruksioni i objektit ekzistues si dhe ndërtimi i shtesës për rritjen e kapacitetit. Ky projekt është me bashkë-financim me Fondin e Zhvillimit të Rajoneve. Shkolla 9-vjeçare “Murat Toptani” ndodhet në Selitë në Njësinë Bashkiake nr. 5. Shkolla është rikonstruktuar në vitin 2002 nga një fondacion i huaj dhe në vitin 2008 është ndërtuar palestra dhe instaluar sistemi i ngrohjes nga bashkia. Shkolla ka një shtesë ballore e cila është ndërtuar në vitin 2002 dhe ka pësuar shkëputje nga godina ekzistuese. Propozohet ndërhyrje në konstruksionin e godinës sidomos, në bashkimin e godinës së vjetër me të renë. Shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli” ndodhet në rrugën “Haxhi Dalliu”, Njësia Bashkiake nr. 9 dhe ka 600 nxënës. Propozohet të kryhet rikonstruksioni i objektit ekzistues si dhe ndërtimi i palestrës. Shkolla e mesme “Qemal Stafa” ndodhet në Rrugën e Durrësit, në Njësinë Bashkiake nr. 10. Shkolla ka 1100 nxënës që zhvillojnë mësimin në dy turne. Në shkollën e mesme “Qemal Stafa” është e domosdoshme të kryhet rikonstruksioni i plotë i objektit ekzistues si dhe ndërtimi i shtesës për palestrën e re, rritjen e kapacitetit etj. Në këtë godinë do të kryhet riparimi i suvatimeve, lyerja, hidroizolimi i tarracës, instalimet hidrosanitare, sistemi i ngrohjes, MKZ, rrjeti elektrik, rrjeti telefonik dhe kompjuterik, etj. si dhe nga ndërtimi ambienteve shtese si klasa të reja, palestër etj. Një tjetër shkollë që do ti nënshtrohet rikonstruksionit është edhe shkolla 9 -vjeçare “Avni Rustemi” ka afërsisht 900 nxënës, propozohet të kryhet rikonstruksioni i pjesshëm në objektin ekzistues si dhe ndërtimi i shtesës për rritjen e kapacitetit. Në këtë shkollë do të kryhen riparime e suvatimeve, lyerje, hidroizolimi i tarracës, instalimet hidrosanitare, sistemi i ngrohjes, MKZ, rrjeti elektrik, rrjeti telefonik dhe kompjuterik etj.





