Intervista/ Rama: Policia e kishte në kërkim Xhuvanin, e ndaloi Prokuroria. Me Luizën bëra gjënë e duhur

Kryeministri: Nëse Kushtetuesja e rrëzon, territorialja mbrapsht. Në zgjedhje edhe pa opozitën

 “Reforma në drejtësi, me ndërhyrje në Kushtetutë bëhet edhe pa opozitën”

 EDI rama te tonight ILVA TAREKryeministri Edi Rama komentoi dje rrjedhën e ngjarjeve pas masakrës në Rrugën e Elbasanit, ku ishte i përfshirë djali i deputetes së dorëhequr të PS-së, duke pohuar se bëri gjënë e duhur, duke dalë në konferencë për mediat përkrah Luiza Xhuvanit, e cila dorëzoi mandatin. I ftuar në emisionin “Tonight Ilva Tare” në “Ora News”, kreu i qeverisë foli edhe për një sërë çështjesh, si reforma në drejtësi, në sistemin energjetik si edhe për marrëdhëniet me opozitën.

 

Ilva Tare: I keni ndjekur reagimet pas daljes me deputeten Xhuvani?

Edi Rama: Jo, nuk i kam dëgjuar.

 

Ilva Tare: Po ju them unë, e quajnë spektakël të shëmtuar.

Edi Rama: S’kam asnjë koment. Kam bërë gjënë e duhur dhe do ta bëja prapë. Është e domosdoshme që ky opinion publik të mësojë të ndajë një kriminel nga familja e vet dhe nga nëna e vet, është e domosdoshme që ky opinion të mësojë të gjykojë ata që duhen gjykuar dhe të mos vazhdojë në inercinë e kohës së shkuar, kur për fajet e djalit apo të babait e pësonte gjithë familja. Por unë jam i bindur që shumica dërrmuese e opinionit publik është me mua.

Edi Rama: Policia e Shtetit e ka shpallur në kërkim rastin në fjalë.

 

Ilva Tare: …Për një muaj dhe nuk e ka gjetur.

Edi Rama: Jo, nuk e ka gjetur dot.

 

Ilva Tare: Po pse nuk e… ndaloi?

Edi Rama: Sepse për të vepruar i duhet masa e Prokurorisë dhe sikundër sot Prokuroria deklaroi, nuk e kishte parë të arsyeshme shpalljen në kërkim, sepse, sipas hetimit të saj, subjekti nuk kishte qenë aty ku thoshte policia, po kishte qenë diku tjetër. Kështu që, është shumë e mirëpritur çdo kritikë, por njëkohësisht duhet të jetë e mirëpritur edhe çdo e vërtetë dhe e vërteta është që koha kur kishte një shtet për disa dhe një shtet për disa të tjerë, kur kishte një polici për disa dhe një polici për disa të tjerë ka marrë fund. Ne nuk shohim kush del përpara, kush del përpara dhe është objekt i Policisë së Shtetit trajtohet si objekt i Policisë së Shtetit.

 

Ilva Tare: Për çfarë të ishit krenarë dhe kujt ia bëni këtë thirrje që të jenë krenarë?

Edi Rama: Unë nuk bëj thirrje për të qenë krenarë, unë shpreh krenari për Policinë e Shtetit dhe për Aleancën e Shqipërisë Evropiane.

 

Ilva Tare: Për policinë që kapi autorin apo për policinë që duhet ta parandalonte?

Edi Rama: Për policinë që arriti të ishte në vendngjarje dhe të realizonte operacionin në pak minuta, si nuk ka qenë rasti në të shkuarën ndonjëherë dhe për deputeten e Aleancës së Shqipërisë Evropiane, që dha një shembull shumë dinjitoz, duke u tërhequr nga angazhimi politik, për të mos lejuar që të ketë asnjë hije mbi procesin gjyqësor dhe duke nënvizuar ajo vetë që drejtësia duhet të bëjë drejtësi dhe për këto jam legjitimisht krenar.

 

Ilva Tare: Të flasim për përfshirjen e Shqipërisë në koalicionin kundër Shtetit Islamik. Shqipëria është përfshirë në atë koalicion dhe edhe këto ditët e fundit ka pasur reagime nga dy ministrat tanë, Bushati dhe Kodheli, se Shqipëria nuk është e përjashtuar nga fakti se është e rrezikuar nga terrorizmi, edhe për shkak të përfshirjes në këtë koalicion, por edhe për shqiptarët që janë përfshirë në luftën në Siri. A ka vend për alarm, realisht?

Edi Rama: Shqipëria nuk është e rrezikuar se është përfshirë në këtë koalicion. Shqipëria është përfshirë në këtë koalicion, sepse është e rrezikuar. Janë dy gjëra të ndryshme dhe s’ka vend për alarm, por ka vend për një vetëdije të plotë se bota sot është e rrezikuar nga terrorizmi dhe Shqipëria nuk është jashtë botës.

 

Ilva Tare: Reformë në drejtësi? Që e bëjnë pa opozitën? Prekin edhe Kushtetutën?

Edi Rama: Po!

 

Ilva Tare: Edhe Kushtetutën?!

Edi Rama: Po! Flas për vende të Bashkimit Evropian, ndërkohë që…

 

Ilva Tare: Mund të na jepni ndonjë shembull? Na iluminoni edhe ne.

Edi Rama: Ndërkohë që prekja e Kushtetutës, në rastin konkret, kërkon vota që janë përtej votave të mazhorancës, por unë flas për vende të Bashkimit Evropian, që bëjnë reformë në drejtësi. Edhe pa opozitën. Dakord? Dhe nuk ka asnjë çudi në këtë mes, përkundrazi është vullnet i popullit sovran dhe kur shumica i ka votat, ka detyrimin të bëjë reformat. Nëse nuk i ka votat, s’ka se si t’i bëjë. Por sigurisht që reforma është përgjegjësi ekskluzive e shumicës, sepse nesër, askush nuk mund të na justifikojë ne, jo vetëm në Shqipëri, por as jashtë, që kemi 80 e kusur vota dhe s’e bëkemi reformën, se s’dashka opozita ose se opozita është kthyer në qeveri në mërgim.

 

Ilva Tare: Po sa i përket reformës territoriale, të cilën opozita e ka dërguar në Kushtetuese?

Edi Rama: Reforma do bjerë, nëse Gjykata Kushtetuese do thotë që nuk është kushtetuese.

 

Ilva Tare: Domethënë do zbatoni vendimet e gjykatave?

Edi Rama: Pse kush ka thënë që nuk i kemi zbatuar ato, edhe akuzat për komisionet hetimore s’janë të vërteta.

 

 Paketa për fermerët/ Ndryshon Kodi Penal, Masat e reja për tokën. Rama: Burg, kush zapton truallin e shtetit, ai që e lë djerrë, do t’i merret

 Pas vjedhësve të energjisë elektrike dhe ndërtuesve pa leje, masat e rrepta të qeverisë do të drejtohen tek zaptuesit e tokave bujqësore. Kryeministri Rama njoftoi dje se po përgatitet ndryshimi i Kodit Penal dhe uzurpatorët nuk do të shpëtojnë më me gjoba, por do të përballen me burgun. Ndërsa fshatarëve që lënë tokat djerrë, do t’u merret ajo. “Toka e xanun për investitorët, toka publike, pronë shtetërore, që janë në dispozicion të shtetit për të nxitur zhvillimin intensiv duke mbështetur projekte dhe që atje rezultojnë të xanuna. Si mund të ndodhë kjo që zaptimi i tokës së shtetit, thjesht të gjobitet me ca mijë lekë. Kjo nuk mund të ndodhi dhe për këtë arsye ne do të fusim dhe këto çështje në kodin penal, dhe kjo nuk ka lidhje me shtetin policor. Kjo ka lidhje me shtetin, me ligjin, me një të vërtetë të thjeshtë që e drejta ime mbaron aty ku fillon e jotja. Ashtu sikundër toka e papunuar. Kush vend në Evropë dhe nga vendet me territoret më të mëdha mund t’ia lejojë vetes 200 ha, në palcën e tokës bujqësore t’ia lërë disa individëve për të kullotur disa dele”, – tha Rama gjatë prezantimit të djeshëm të paketës së re lehtësuese për fermerët me 26 ndryshime ligjore, ku 13 prej tyre kanë hyrë në fuqi, ndërsa pjesa tjetër do të përfundojë deri në fund të 2015-s. Një tjetër ndryshim në kodin penal, i përgatitur nga qeveria është dhe ai që dënon me 1 vit burg personat që ndërtojnë pa leje në tokën e tyre. Ndërsa me 2 deri 8 vjet burg do të dënohen ata që ndërtojnë pa leje për qëllime fitimi. Ndërkaq sa i përket paketës së re, Kryeministri theksoi se masat kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së grumbullimit të qumështit, me skemën e mbështetjes së materialit biologjik me cilësi të lartë, me ligjin për rishikimin e akcizave në sektorin e prodhimit të verës dhe vreshtarisë. “Amnisti dhe legalizim për mjetet bujqësore, penalizimi për diferencat në peshë gjatë kontrollit doganor, rishikimin e taksave për importin e lëndëve të para dhe të kafshëve për mbarështim, rishikim i procedurave dhe tarifave për regjistrimin e farave”, – theksoi Rama. Në këtë takim, kreu i qeverisë pohoi se gjendja aktuale është dramatike, pasi strukturat shtetërorë të bujqësisë janë thuajse jashtë funksionit.

 

 

Share it :