Erneta Shevroja
“U hoq fasha mbrojtëse, se shkaktonte abuzime, kemi gjetur shumë raste, kur për të njëjtën familje ekzistojnë disa kontrata, me të cilat energjia blihet nën kosto”
Pas mbarimit të afatit 5-ditor për të shlyer faturat e energjisë elektrike, dje Kryeministri Rama lajmëroi nisjen e operacionit nga ana e punonjësve të policisë për të zbatuar ndëshkimet ndaj atyre që nuk shlyejnë faturat. Kreu i qeverisë lajmëroi se nisur nga dita e djeshme nuk do të ketë ndëshkime me gjoba, por burgim deri në 3 vjet për ata që vjedhin energjinë elektrike dhe 5 vjet burgim për bashkëpunëtorët që janë punonjës të Shpërndarjes dhe për persona të sistemit të drejtësisë që shpëtojnë vjedhësit e energjisë nga pagesa e faturës. Gjithashtu, një pikë tjetër ku u ndal Kryeministri ishte se vjedhja e energjisë nuk bëhet nga të varfrit, por debitorët më të mëdhenj janë bizneset, lokalet dhe institucionet që paguajnë sa një familje.
Ndëshkimet
Me prani të gjerë të zyrtarëve të institucioneve, të drejtësisë, të punonjësve të Shpërndarjes u zhvillua dje në Pallatin e Kongreseve konferenca me temë “Takimi kombëtar – Mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama u ndal të ndëshkimet që dje filluan zbatimin për të gjitha ato subjekte që nuk kanë shlyer detyrimet në 5 ditët që shkuan. Nga masat e deritanishme të ndëshkimeve u hoq ajo e gjobës nga tani e tutje do të zbatohet vetëm dënim me burgim për subjektet që vjedhin dhe 5 vjet për ata që bashkëpunojnë në vjedhje. “Lidhur me domosdoshmërinë që tanimë norma e miratuar nga Kuvendi që nuk ka më gjobë, ka 3 vjet dënim me burg për kë kapet në flagrancën e vjedhjes së energjisë elektrike dhe ka 5 vjet dënim me burg për kë bashkëpunon për vjedhjen e energjisë elektrike, nënkupto nëpunës, zyrtarë apo faturistë i OSHE-së, se këta janë bashkëpunëtorët, kuptohet”, – tha dje Kryeministrit në kuadër të reformës në sektorin e energjetikës. Duke u ndalur tek sistemi i energjisë, Rama theksoi se shpesh gjykatësit janë persona që bashkëpunojnë në vjedhjen e energjisë. “Gjykatat shqiptare kanë arritur të krijojnë precedentë që vlejnë të studiohen botërisht se deri ku mund ta çojë degradimi moral dhe korrupsioni endemik një sistem gjyqësor. Se si një gjykatës mund të vendosë rilidhjen e energjisë për konsumatorë të cilët kompania në bashkëpunim me Policinë e Shteti i konstatojnë në vjedhje dhe për të cilët kërkojnë dënim dhe në vend se t’i çojnë në burg, gjykatësi zhyt më tej në borxhe kompaninë e Shpërndarjes, duke i thënë rilidhja energjinë. Ajo që mbetet për ne është që t’i kërkojmë prokurorisë dhe gjykatës që të mos kenë diskrecion në këtë proces”, – kërkoi Rama, i cili edhe më parë ka theksuar se do të ketë masa ndëshkimore për gjykatësit që bashkëpunojnë me vjedhësit e energjisë elektrike.
Varfëria nuk është arsyeja e vjedhjes
Kryeministri theksoi se vjedhja e energjisë nuk kryhet për arsye varfërie, por janë institucione, biznese që janë debitorët më të mëdhenj. “Pse nuk i shkon mendja një pensionisti që meqë ka vështirësi dhe ka vështirësi më shumë se kushdo tjetër për ta paguar energjinë elektrike, atëherë ta vjedhë? E pra, nuk është varfëria, arsyeja pse vidhet energjia elektrike. Ashtu sikundër nuk besoj se e bëjnë nga varfëria vjedhjen e energjisë elektrike kompanitë e mëdha, lokalet në qendër të Tiranës që paguajnë energji elektrike sa një konsumator familjar”, – theksoi Rama. “Ky operacion është qartësisht një operacion i orientuar në radhë të parë nga hajdutët e mëdhenj. Në autostradën Tiranë – Durrës dhe në pellgun Tiranë – Durrës është 60% e problemit tonë. 60% e problemit tonë, në zonën ku ka më shumë densitet aktiviteti ekonomik. Nuk është varfëria ajo që ka bërë që institucionet publike të këtij vendi të jenë në vite debitore të hatashme të sistemit të shpërndarjes”, – vijoi Rama. Ndërkaq, Kryeministri u shpreh se kjo reformë kurrë nuk është bërë për një arsye të vetme, “pikërisht se të gjithë e kanë shtyrë nga ideja se ka prapë zgjedhje, ka zgjedhje e ka zgjedhje”, – nënvizoi kreu i qeverisë.
Gjiknuri: Energjia, jo më si mall pa zot, çmimi më i shtrenjtë në Shqipëri, për shkak të importit
Ndërkaq, ministri i Industrisë dhe Energjetikës u ndal në problemet reale të sektorit dhe në investimet që duhen kryer tani, pasi ky sektor zgjidhi konfliktin ligjor. Nisur nga viti që vjen ministri tha se do të aplikohet çmimi pim dhe çmimi bazë. “Aty ku kemi mundësi të vëmë edhe çmime më të lira gjatë natës, në mënyrë që konsumatorë të caktuar ta përdorin atë dhe të fillojë energjia të marrë atë vlerë që ka, dhe jo siç është trajtuar deri tani, si një mall pa zot”, – tha Gjiknuri, ndërkohë që theksoi se vetëm në vitin 2018 pritet që ky sektor të ketë fitime. Gjithashtu, Gjiknuri u ndal edhe në burimet dhe në çmimin që ka energjia elektrike. Duke shtuar se kaskada e Drinit nuk është i vetmi burim energjie, por 50 për qind importohet nga jashtë, kjo e bën që edhe çmimi t’i nënshtrohet tregut të jashtëm. “Pjesa më e madhe e energjisë në këtë vend sigurohet nga importi apo me çmime importi. Në realitet kaskada e Drinit mbulon jo më shumë se sa 50% të nevojës së vendit. Pjesa tjetër e energjisë është e ekspozuar nga çmimet e importit, nga çmimet e tregut ndërkombëtar të energjisë elektrike, madje pak më shtrenjtë në Shqipëri, për shkak të mungesës së investimeve prej vitesh në linjat e interkonieksionit. Kjo e ka bërë Shqipërinë një xhep që e sjell energjinë më shtrenjtë”, – tha ministri i Energjetikës, duke theksuar se në vitet në vijim do të tentohet drejt diversifikimit të burimeve të energjisë.
Arrestimi i Goxhaj/ Basha: U dhunua nga policia partiake e Ramës
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar ditën e djeshme lidhur me shoqërimin në polici të avokatit Altin Goxhaj për organizim të protestës së paligjshme. Në një status në FB Basha shkruan se avokati Goxhaj u dhunua nga policia partiake e Ramës. “Protesta paqësore është forma e komunikimit demokratik të qytetarit me qeverinë. Protestuesi paqësor dëgjohet kudo por jo nga klika sunduese e Tiranës. Sot, aktivisti i shoqërisë civile, i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetareve, avokati Altin Goxhaj u dhunua nga policia partiake e Ramës. Aktivisti i shoqërisë civile u kërcënua se guxoi të dilte kundër rritjes së çmimit të energjisë, se guxoi të mbronte mbi 2 milionë shqiptarë”- shkruante Basha. Më tej ai theksoi se, : “policia partiake mund të dhunojë një njeri a dhjetë por nuk mund t’i mbylli gojën një populli që lufton për mbijetesë, që nuk do rritje e çmimit të energjisë se nuk ka me çfarë ta paguaj”. Ndërkaq më parë përmes një deklarat nga selia blu, koordinatorja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka dënuar ashpër ndalimin me forcë nga ana e policisë të aktivistit Altin Goxhaj. Sipas PD-së, kjo është një përpjekje e Ramës për të shantazhuar qytetarët. “Forca policore e ushtruar sot ndaj aktivistit është dëshmi e rritjes së autoritarizmit të qeverisë, dhe e dhunës ndaj ushtrimit të të drejtave themelore në një demokracisë, siç është ajo e fjalës së lirë dhe e organizimit. Por Rama i ka bërë llogaritë gabim. Forca e përdorur prej tij vetëm do ta shumëfishojë protestën.”- tha Duma.




