Mjekët duhet të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje
Ndryshimet në ligjin për Urdhrin e Mjekut dhe Urdhrin e Infermierit parashikojnë masa disiplinore të rënda për bluzat e bardha që nuk do të ushtrojnë siç duhet detyrën. Më ndryshimet në ligj asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e mjekut, në sistemin e kujdesit shëndetësor publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Mjekëve dhe pa qenë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të profesionit, të lëshuar nga ky organizëm. Janë anëtarë të Urdhrit të Mjekëve të gjithë mjekët që ushtrojnë profesionin e mjekut/mjekut specialist në Republikën e Shqipërisë dhe që janë shtetas shqiptarë, kenë diplomën e mjekut, mjekët specialistë edhe diplomën e specialitetit, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë brenda apo jashtë shtetit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin. Gjithashtu duhet të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje, në momentin e kërkesës për anëtarësim. Çdo mjek, shtetas i huaj, që të ushtrojë profesionin si rezident në Shqipëri, apo i atashuar në një institucion shëndetësor ku vjen periodikisht për ushtrimin e profesionit, duhet të ketë edhe këto dokumente: lejen e qëndrimit dhe të punës në Republikën e Shqipërisë, certifikatën e mirësjelljes (Good Standing Certificate) nga Urdhri/dhoma apo shoqata e mjekëve të vendit të vet, ku vërtetohet se është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se nuk ka marrë masa ndëshkimore. duhet të ketë njësimin (konvalidimin) e diplomës dhe certifikatave të specializimeve të kryera prej tij. i nevojitet një rekomandim nga një specialist vendas i së njëjtës fushë, anëtar i Urdhrit të Mjekëve si dhe dëshmi të njohjes së gjuhës shqipe, të vërtetuar nga një autoritet i licencuar nga shteti. Mjeku jorezident detyrimisht punon me përkthyes.
Detyrimet
Anëtari i Urdhrit të Mjekëve ka detyrim të ushtrojë profesionin dhe të ketë sjellje profesionale, në përshtatje me kërkesat dhe standardet e legjislacionit shqiptar në fushën e shëndetësisë, Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore dhe statutin. Duhet të punojë për rritjen e standardeve profesionale dhe të cilësisë së kujdesit shëndetësor në institucionin ku punon dhe të marrë pjesë rregullisht në programet e Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor. Duhet të paguajë rregullisht kuotizacionet e anëtarësisë, tarifat e regjistrimit, të dhënies së të drejtës së ushtrimit të profesionit dhe shërbime të tjera administrative, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
Gjobat
Komisioni disiplinor heton dhe gjykon në bazë të fakteve e provave të administruara dhe seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit, ndaj të cilit mund të merret masa disiplinore. Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit Etik dhe Deontologjik ose ka bërë gabime teknike, ai jep këto masa:
-vërejtje me shkrim.
-vërejtje me paralajmërim.
-gjobë nga 15 000 lekë deri 100 000 lekë.
-propozim për shkarkim nga funksione drejtuese në institucione shëndetësore publike dhe private.
-Pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Mjekëve deri në 3 vjet.
-Përjashtim nga Urdhri i Mjekëve për një periudhë deri në 3 vjet. Përveç masave të parashikuara më sipër, si masë plotësuese, komisioni ka të drejtë t’u caktojë të ndëshkuarve kryerjen e një rikualifikimi ose të studimeve plotësuese, të barabarta me 20 kredite.
Ankesat kundër vendimeve për marrjen e masave disiplinore nga komisioni disiplinor i këshillit rajonal paraqiten në komisionin disiplinor të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve brenda 15 ditëve nga data e komunikimit me shkrim të vendimit. Komisioni disiplinor, brenda 60 ditëve nga data e marrjes së ankesës, detyrohet të japë vendimin për ankesën e paraqitur. Vendimi i komisionit disiplinor të Këshillit Kombëtar ankimohet në gjykatën kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative.
Komisionet disiplinore
Pranë këshillave rajonalë dhe Këshillit Kombëtar funksionojnë komisionet disiplinore si organizma të gjykimit profesional. Komisioni disiplinor rajonal përbëhet nga 9 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Rajonal. Komisioni Disiplinor Kombëtar përbëhet nga 15 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar. Komisioni shqyrton ankesat e bëra nga çdo person apo institucion në organet e Urdhrit, të cilat lidhen me ushtrimin e profesionit dhe përbëjnë shkelje të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore. Komisionet disiplinore, pranë këshillave rajonalë, ushtrojnë kompetenca disiplinore të shkallës së parë. Vendimet e tyre janë të apelueshme në komisionin disiplinor të Këshillit Kombëtar, i cili ushtron kompetenca disiplinore të shkallës së dytë.
Urdhri i Infermierit
Urdhri i Infermierit, gjatë kryerjes së detyrave, mban lidhje të vazhdueshme me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionet e saj të varësisë si dhe me ministritë, institucionet qendrore dhe organizma të tjerë publikë ose jopublikë, të krijuar sipas legjislacionit në fuqi. Urdhri i Infermierit informon çdo 6 muaj ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë për anëtarësimet e infermierëve, mamive, fizioterapeutëve, teknikëve të laboratorit, teknikëve të imazherisë dhe logopedistëve, për gjykimet disiplinore dhe ecurinë e tyre në të gjitha shkallët e gjykimit profesional. Ky informacion publikohet edhe në faqen e internetit të Urdhrit. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor bashkë-punon me Urdhrin e Infermierit gjatë ushtrimit të funksionit të tij.





