Federata Serbe ka garantuar sigurinë dhe ka ftuar të gjithë tifozët serbë të ruajnë fair play-n midis dy ekipeve
Mbështetësit kuqezinj do të jenë në mbështetjeve të skuadrës tonë kombëtare në “Marakana” të Serbisë. Federata e Futbollit të Serbisë i kthen përgjigje pozitive Federatës Shqiptare të Futbollit pas mbledhjes së zhvilluar në Komitetin Ekzekutiv është ndezur drita jeshile që mbështetësit e Kombëtares Shqiptare të jenë të pranishëm në stadium. Një vendim që do të ishte përfundimtar vetëm pas përgjigjes së policisë serbe, e cila duhet të japë miratimin për të marrë përsipër masat e sigurisë. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Federatës Serbe në internet ku theksohet se ky institucion kërkon të tregojë vullnetin dhe vendosmërinë për të organizuar një ndeshje model. “Do të ofrojmë sipas rregullores 5% të numrit të përgjithshëm të biletave për tifozët e Shqipërisë. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe për ndeshjen e 15 tetorit 2015 në Shqipëri”, – thuhet në komunikatë. Në vijim, Federata shprehet e gatshme për të organizuar eventin sipas legjislacionit të Republikës së Serbisë duke bashkëpunuar me të gjitha autoritetet lokale e qendrore për mbarëvajtjen e takimit. “Miqtë nga Shqipëria janë të mirëpritur në tokën tonë dhe ju bëjmë apel të gjithë tifozëve serbë të shfaqin shpirtin e fair play dhe të ndihmojnë djemtë e Kombëtares për të nisur rrugën e fitoreve në eliminatore”, – thuhet në përfundim të komunikatës zyrtare të federatës. Gjithçka nisi nga deklaratat e serbëve, të cilët deklaruan se nuk mund të sigurojnë dot jetën e tifozëve shqiptarë. Ndërsa Federata jonë mban qëndrim tjetër, e cila është pro ardhjes dhe shkuarjes së tifozëve përkatës. Komiteti Ekzekutiv i qeverisë së futbollit shqiptar në mbledhjen e djeshme vendosi të mos pranonte kërkesën e Federatës së Futbollit të Serbisë për një marrëveshje dypalëshe, sipas së cilës, ndeshjet Serbi-Shqipëri në Beograd dhe Shqipëri-Serbi në “Elbasan Arena” të zhvillohen pa praninë e tifozëve të skuadrës udhëtuese. Ajo kërkon nga pala serbe, që FSHF të pajiset me sasinë e biletave që i takojnë, sipas rregullave të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, në mënyrë që ato t’ua shpërndajnë tifozëve dhe grupimeve shqiptare, të interesuara për të ndjekur ndeshjen në Beograd. Gjithashtu ajo kërkon marrjen e masave për sigurinë e tyre në stadium dhe jashtë tij. KE shpreh bindjen se me pjesëmarrjen e tifozëve, kjo ndeshje dhe në përgjithësi futbolli, nuk humb një dimension shumë të rëndësishëm. Nga ana tjetër, ky institucion beson se duhet krijuar një atmosferë sa më bashkëpunuese, duke e konsideruar ballafaqimin e 14 tetorit thjesht një ndeshje futbolli, pa etiketime politike dhe etnike. Kujtojmë se për të ftuar gjakrat do mund të zhvillohet një ndeshje midis veteranëve të dy kombëtareve për të nxitur më shumë atmosferën sportive dhe jo atë të dhunës. Tashmë duket se topi kalon nga policia serbe e cila do të duhet që të krijoj një rrjetë të madhe dhe të vërë në dispozicion të gjithë policinë për të siguruar jetët e tifozëve shqiptarë që nuk do ta kenë të lehtë me atmosferën që jeton midis dy shteteve dhe që jo rrallëherë ka degraduar ku rasti i fundit ishte ai me tifozët e Shkëndisë së Tetovës.
Mesi: Nuk konkurroj me Ronaldon
Katër herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Mesi, është shprehur se ai nuk është i interesuar për të konkurruar më Kristiano Ronaldon për atë se kush është lojtari më i mirë në botë. Edhe pse Ronaldo e fitoi Topin e Artë të fundit, Mesi thotë se ai nuk e ka rival portugezin, përkundër faktit se i është afruar në aspektin e numrave për Topin e Artë. “Konkurrencë me Ronaldon? Unë nuk ndiej se kam konkurrent ndonjë lojtar tjetër. Unë dua që ta ndihmoj ekipin, nuk më intereson për arritjet individuale”, – u shpreh Mesi.
Dunga: Lojtarët duhet të kenë personalitet
Selecao do të fluturojë drejt Azisë për “Gillette Superclasico de las Americas” javën e ardhshme, ku fillimisht do të përballet me Argjentinën, para se më pas të ndeshet me Japoninë në Singapor. Dhe përfaqësuesja do të përfshijë vetëm dy lojtarë të rinj për dallim nga ekipi që mposhti Kolumbinë dhe Ekuadorin muajin e kaluar. “Duhet të krijojmë një bazë lojtaresh. Ekipi kombëtar ka dy ndeshje në muaj, andaj ju nuk mund ta ndryshoni krejtësisht një skuadër nga tjetra. Besoj se ne kemi më shumë se 40-50 lojtarë nga të cilët mund të zgjedhim. Talenti është esencial. Por lojtarët duhet të kenë personalitet, fokus dhe vazhdimësi. Lojtarët e kanë kuptuar tranzicionin nga futbolli i klubeve në futbollin ndërkombëtar”, – ka thënë 50-vjeçari për “Agencia Estado”.
Siemone: Juventusi, një nivel me Barcelonën dhe Realin e Madridit
Tekniku i Atletiko Madridit ka deklaruar pasi skuadra e tij fitoi 1-0 ndaj kampionëve të Serisë A në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampioneve se Juevtnusi është në një nivel me dy rivalët e tij në Spanjë. Sipas tij, përballja me italianët ishte e vështirë dhe se skuadra e Alegrit shfaqi një nivel të lartë. “Për mua ata janë në nivel me Madridin ose Barcelonën. Duke parë videon sërish dhe sërish, ata janë një prej ekipeve më të fuqishme që kam parë të na sulmojnë ose shkaktojnë dëme kundër nesh. Ata kanë dy sulmues të mahnitshëm, mbrojtës ose anësorë që sulmojnë dhe mbrohen, lojtarë brilant në mesfushë dhe një portier të madh të cilin çdokush e njeh”, – deklaroi tekniku argjentinas.
Daniel Alvesh: Sezonin tjetër luaj në Angli
Mbrojtësi i katalanasve, Daniel Alvesh, ka dhënë një lajm bombastik, duke thënë se ai ka arritur marrëveshje t’i bashkohet një klubi të Premier Ligës sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi 31-vjeçar vazhdimisht është lidhur me një largim nga “Camp Nou” gjatë verës, pasi u fut në vitin e fundit të kontratës së tij në qershor. Alvesh, i cili ka fituar 16 trofe me Barcelonën që kur iu bashkua klubit nga Sevilja në vitin 2008, ende nuk ka marrë ofertë për marrëveshje të re dhe tashmë ka zgjedhur të fillojë kapitull të ri në karrierën e tij “Do të zhvendosem në Angli vitin e ardhshëm”. “Do të luaj në shtëpinë e futbollit. Ky do të jetë viti im i fundit te Barcelona”, – ka thënë Alvesh për gazetën braziliane “O Globo”.





