“Protesta e PD në Kavajë”/ Rama: Si ajo e sigurimsave kur u rrëzua Enveri. Basha: Vajmedeti nxjerr mllefe ndaj opozitës

Kreu i PD-së: “Shkatërrim, urrejtje, përbaltje! Kaq di Vajmedeti  që shtyn ditët duke pështyrë mllefe dhe duke trashur zullumin

protesta-kavaje-web per prishjen e monumentit pd“Protesta e PD në Kavajë, si ajo e sigurimsave kur u rrëzua busti i Enverit”. Kështu është shprehur një ditë më parë Kryeministri Edi Rama, në një shkrim të tijin të postuar në rrjetin social “Facebook”. Duke ironizuar protestën e deputetëve të PD-së për shembjen e Obeliskut në Kavajë, Rama e krahason atë me protestën e sigurimsave të shtetit pas shembjes bustit të Enver Hoxhës. Sipas Ramës, monumente estetikisht të shëmtuar dhe ngrehina absurde, nuk janë historia e demokracia dhe reagime si ato të PD-së, të kujtojnë thotë kreu i qeverisë, vetëm Inkuizicionin dhe Diktaturën.

 

Basha
Ndërkaq, shembja monumentit të “demokracisë” në qytetin e Kavajës pak ditë më parë nga INUK, është bërë objet për shkëmbimin e deklaratave mes Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha.

Pas postimit të kryeministrit Rama, ka reaguar kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se Kryeministri nxjerr mllefe ndaj opozitës dhe nuk mban premtimet e bëra. “Shkatërrim, urrejtje, përbaltje! Kaq di Vajmedeti që shtyn ditët duke pështyrë mllefe dhe duke trashur zullumin. Ku jemi pyesin shqiptarët? Ku është shëndetësia falas, ulja e çmimit të energjisë, ulja e çmimit të mallrave të shportës, legalizimet falas, 300 mijë vendet e punës!

Nuk ka vende të reja pune. Asnjë për be! Jetesa çdo ditë e më e vështirë. Mijëra burra e gra, të rinj e të reja në rrugë prej barbarisë e tij të paligjshme! Mijëra të tjerë i pret papunësia, pasiguria dhe varfëria, ekonomia rrokulliset. Tenderat e ilaceve i griu korrupsioni qeveritar dhe mafia në pushtet.

Çmimi i energjisë drejt rritjes. Taksat drejt rritjes së dytë. Droga derdhet lumë drejt fqinjve. Policia dhe drejtësia japin llogari para trafikantëve dhe vrasësve me kostum parlamentar. Shqipëria rënkon. Vajmedeti krihet me furcet e vjetëruara plot llum mëkatesh të reja e të vjetra!”- shkruan Basha.

 

 Shkrimi i plotë i Ramës për protestën e PD-së

FIKS FARE NJELLOJ. Nuk e di kush është shpikësi i zhanrit të përkujtimoreve buzë rrugëve, ku tragjikja dhe komikja bashkëjetojnë në një formë aq makabre. Por di që nuk ma kanë zënë sytë kund tjetër nëpër botë këtë lloj forme krijimtarie që lulëzoi në Shqipëri. E sa për mua, ata lapidarë të ndërtuar nga familjarët a shoqëria e të vdekurit a të vrarit në rrugë, janë forma më e sinqertë e dekompozimit të Realizmit Socialist në trajtën e përçudnuar të një “Realizmi Demokratik”. Të cilin e bartën, motivuan dhe financuan për vite të tëra si përçues aktivë të dhunës estetike, pushtetet qendrore e vendore të Shqipërisë përmes përpjekjes së tyre qesharake për t’iu kundërvënë heronjve të bronxtë të haxhiografisë së regjimit të vjetër me heronj të historisë së rishkruar sipas oreksit politik, apo me dëshmorë prej bronxi e pishtarë prej betoni të kohës që erdhi mbi piedestalët e zbrazur. Eshtë e mbushur Shqipëria me të tilla shembëlltyra hekuri e çimentoje që në fakt dhe fatkeqësisht, janë përqeshja më e madhe e të shkuarës në jetën e re të vendit tonë. Ky vend nuk e meritonte këtë tallje të madhe prej dy dekadash që ia bën Enveri nga varri, përmes politikanësh dritëshkurtër të brumosur me frymën e diktaturës proletare dhe artizanësh mediokër të farkëtuar shtrembër në kudhrën e artit proletar.

Por padyshim, talljen në fjalë e bën edhe më therëse serioziteti mahnitës i vendimmarrësve që janë angazhuar në mbjelljen e në kultivimin e këtyre shartesave qesharake ngjitur mbi piedestale e shkallare groteske. Jo vetëm kujtojnë se kanë bërë gjënë e duhur duke ngulur larteposhtë kësisoj shpërfytyrimesh të çdo norme estetike apo qoftë edhe thjesht të çdo kriteri logjik, po me kurajon e atij që për argument ka vetëm injorancën e vet, na qenkan gati të shpërthejnë edhe në revoltë për të mbrojtur argumentin e tyre të vetëm. Sipas tyre të prekësh këto lloj ngrehinash monumentale na qenka jo mëkat, po krim. Madje këto ngrehina absurde nuk qenkan thjesht volume të kota monumentale që mund të shkulen vendit kur vendi duhet për një punë tjetër, po qenkan vetë historia! Qenkan shpirti dhe gjaku i popullit! Qenkan demokracia dhe partia! Qenkan ç’nuk qenkan përveçse reaksioni antiestetik që janë me siguri! Vetëm dy forca historike e histerike njoh unë që identifikonin shembëlltyrat artistike me vetveten dhe prekjen e një shembëlltyre druri a allçie e merrnin si prekjen e tyre, të nderit të tyre, të historisë së tyre e me radhë: Inkuizicionin dhe Diktaturën! Kjo që po na shfaqet këto ditë me revoltën e vetes së prekur, e nderit të prekur, e historisë së prekur e me radhë e pjesëve të tjera të prekura prej shkuljes së një gollogunge prej çimentoje në Kavajë, është një forcë e tretë, e panjohur më parë. Tamam si Realizmi i panjohur Demokratik që mori jetë nën hyqmin e saj, kur me vrullin e revolucionit antikomunist erdhi në pushtet këtu e njëzet e ca vjet më parë, dhe pastaj bëri kërdinë me revanshin e reaksionit antiestetik. Një forcë e rënë së fundmi nga vakti bashkë me liderin e saj historik, që ndryshe nga Inkuizicioni dhe Diktatura, argument të vetin nuk ka as Biblën as Manifestin, po Injorancën.

Duke parë partinë e lindur nga lëvizja studentore e vitit ’90, të katandisur në një tufë deputetësh mbi shkallaren e zbrazur të “obeliskut” të Kavajës, mu kujtua një tufë sigurimsash të mbledhur tek shkallarja e zbrazët e monumentit të Enverit, fill pas rrëzimit të tij. Këta të sotmit me dy gishta ata të atëhershmit me grusht. Këta firmato e në televizor me ngjyra ata prej teritali e në foto bardhezi. Por të dyja palët, sivëllezër të barkut të njëjtë të kulturës totalitare të ngritur në piedestalin e reaksionit antiestetik.

 

Shembja e Obeliskut të Demokracisë/ Demokratët protestojnë në Kavajë: Rama nxit urrejtje, simboli i lirisë s’mund të rrëzohet

Pas aksionit të INUK pak ditë më parë, deputetët demokratë kanë zbritur në sheshin ku ngrihej Obelisku i Demokracisë në Kavajë, për të protestuar për heqjen e këtij monumenti. Ky akt nga përfaqësuesit e PD-së, është konsideruar si revansh dhe hakmarrje e kryeministrit ndaj demokracisë. “Këta kanë ardhur për revansh dhe revanshin e bënë në qytetin e demokracisë. Po mos të kishte qenë Kavaja, nuk do të kishte qenë Shkodra, Qyteti i Studentëve, Tirana dhe e gjithë Shqipëria”,- tha deputeti Arben Imami. Deputeti Aldo Bumçi u shpreh se në vend po nxitet klima e urrejtjes: “Cfarë do të ndodhte në Shqipëri sikur demokratët të vinin në pushtet me një të mijëtën e urrejtjes me të cilën ka ardhur Edi Rama? As të majtët dhe as të djathtët nuk e duan këtë klimë urrejtjeje. Ai erdhi dhe rrëzoi simbolin e lirisë, por ai nuk mund të rrëzohet. Do të rrëzohet ai që guxoi të dilte kundër këtij simboli.” Ndërsa deputetja Mesila Doda tha se “Rilindja e Kuqe” po sjell një bashkëpunim të krimit të vjetër dhe atij të ri dhe ftoi në protesta masive për të frenuar atë që ajo e quajti “monstër me fytyrë njerëzore”: “I takon qytetarëve të Kavajës fillimisht që t’i thonë boll kësaj monstre me fytyrë njerëzore. I takon atyre t’i thonë boll vdekjes së demokracisë, që po jep shpirt nga dita në ditë dhe askush nga ne nuk ka guxuar të ngrejë zërin.” “Rama ka ardhur me një qëllim: të hakmerret ndaj demokratëve. Kush mendon se na ka shembur simbolin, e ka gabim dhe do e paguajë këtë revansh që ka ndërmarrë jo vetëm ndaj demokratëve, por të gjithë shqiptarëve”, theksoi deputeti Edi Paloka.Demokratët paralajmëruan vazhdimësinë e protestave deri në rikthimin e monumentit, simbol të ndërtuar në nderim të lëvizjes së parë demokratike që daton më 26 mars të vitit 1990 në qytetin e Kavajës.

 

Share it :