“Në fazën e parë bëhet verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim”
Zbardhet udhëzimi për punësimin dhe lirimin nga detyra të drejtuesve në arsimin profesional. “Procedurat e emërimit dhe lirimit nga detyra të drejtuesve të institucioneve publike ofruese të arsimit dhe formimit profesional janë të njëjta për shkollat e arsimit profesional, qendrat e formimit profesional dhe qendrat shumëfunksionale profesionale”, – thuhet në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare. Konkurrimi zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë bëhet verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Në fazën e dytë bëhet vlerësimi i kandidatëve. Vlerësimin e kandidatëve përfshihen vlerësimin e CV-së që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të eksperiencës, kualifikimeve, të trajnimeve të lidhura me fushën dhe botimeve nëse kanë dhe intervista e strukturuar me gojë. Totali i pikëve të vlerësimit të kandidatëve është 100. Kandidati aplikues për drejtor në institucionet publike ofruese të AFP-së duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme si më poshtë: të ketë zotësi të plotë për të vepruar, të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur, të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale, të mos ketë ndaj tij masa disiplinore që nuk janë shuar. Kandidati aplikues për drejtor në institucionet publike ofruese të AFP-së duhet të plotësojë kërkesat e posaçme si më poshtë: Të ketë diplomë nga një institucion i arsimit të lartë, për një nga profesionet që lidhet me drejtimet profesionale të institucionit, të ketë punuar 5 vjet në profesionin e tij, të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” ose të paktën 5 vjet përvojë në një institucion ofrues të arsimit dhe formimit profesional.
Lirimi nga detyra
Marrëdhënia e punës së drejtorit të institucionit të ofrimit të arsimit dhe formimit profesional përfundon:
– me dorëheqjen e motivuar të drejtorit
– kur nëpunësi deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit;
– kur ushtron të drejtën për pensionin e pleqërisë
-kur ndaj tij jepet masë disiplinore largim nga detyra
– në rastin e konfliktit të vazhdueshëm të interesit
– për performancë të dobët të vlerësuar si më poshtë:
– brenda një periudhe prej pesë viteve, nga rezultatet e pyetësorit, të zhvilluar me nxënës/kursantë nga Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional dhe Kualifikimeve ose Drejtoria e Arsimit dhe Formimit Profesional, rezulton dy herë niveli “Dobët” i kënaqësisë së shërbimit të institucionit që ai drejton.
– brenda një periudhe prej pesë viteve Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka vlerësuar dy herë “Dobët” shkollën që ai drejton.
– në një periudhë prej pesë viteve shkollore, në provimet e maturës profesionale:
– përqindja e kalueshmërisë së nxënësve është në çerekun e fundit në mes shkollave profesionale të vendit
– pikët mesatare të shkollës në tre vitet e fundit janë më të ulëta se në dy vitet e mëparshme.
Dokumentet e aplikimit
Dosja e aplikimit përmban:
– CV-në e aplikantit
– fotokopje të diplomës
– fotokopje të librezës së punës
– çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e tij
– vërtetim të gjendjes shëndetësore
– vërtetim të gjendjes gjyqësore
– fotokopje të ID-së
– dy rekomandime nga punëdhënës tëmëparshëm




