Inspekton punimet/ Rama në Lezhë: “Rilindja e qyteteve” ka çelur  më shumë kantiere se në 10 vitet e fundit

 Florenc Drizari

“Memoriali i Gjergj Kastrioti Skënderbeut ka mbetur i harruar qysh nga koha e diktaturës”

 Rama Lezhe 30 LajmKryeministri Edi Rama inspektoi çeljen e punimeve në disa segmente rrugore të qytetit të Lezhës. Në këtë takim, Rama ishte i shoqëruar me nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe deputetja e këtij qyteti, Monika Kryemadhi. Me anë të një mesazhi të shpërndarë në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri ka shkruar se “Rilindja e qyteteve” ka çelur në qytetin verior më shumë kantiere se ç’janë çelur në 10 vitet e fundit të marra së bashku.

Në shkrimin e tij Rama përmend edhe akset rrugore në të cilat po kryhen ndërhyrjet, duke theksuar angazhimin e qeverisë për t’i përfunduar sipas parashikimeve.

“Kantiere që nga rrethrrotullimi që jep shenjën e parë të Lezhës turistike tek rruga hyrëse dhe ura mbi lumin që përshkon buzët e qytetit; që nga pastrimi i kanaleve të mëdha në anë të rrugës hyrëse që ishin të pazhbllokuara prej njëzet vjetësh tek transformimi rrënjësor i shtratit dhe anëve të lumit; që nga kthesa drejt sheshit qendror, tek vetë sheshi bashkë me parkun e deri tek rruga e re këmbësore që do t’i kushtohet poetëve e do të lidhë këto hapësira të reja me hapësirën e Memorialit të Skënderbeut. Jo vetëm kaq, po edhe unaza që lidh me rrugë kodrën e Marlekajve me qytetin si edhe projekte të tjera në vijim që do të shohin dritën në nisjen e vitit të ardhshëm…”, – ka shkruar Rama.

Gjatë inspektimeve të punimeve, Kryeministri Rama kërkoi që të gjenden mënyrat që ky projekt të plotësohet me të gjitha elementet, veçanërisht ndriçimin.

Kryeministri theksoi se transformimi i Lezhës ka filluar me zonën muzeale të tij, por edhe me pastrimin dhe rehabilitimin e lumit që përshkon qytetin, që Kryeministri e cilësoi si “Lana tjetër”.

“Duke e filluar nga qendra e qytetit, ne e fillojmë dhe nga respekti për një nga gurët më të çmuar të historisë dhe trashëgimisë tonë kulturore dhe historike, që është pikërisht qendra rreth së cilës është ndërtuar qyteti i sotëm i Lezhës. E fillojmë pikërisht këtu, tek sheshi në krah të memoriali të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që ka mbetur aty, i harruar qysh nga koha e diktaturës dhe është kthyer në një parkim për makinat. E fillojmë nga kjo zonë, për të lidhur qendrën e re të qytetit me lumin që e përshkon qytetin, që deri sot, në pamundësi të plotë nga bashkia për të bërë çfarëdo qoftë, pa mbështetjen e qeverisë në Tiranë, ishte kthyer si Lana e dikurshme në kryeqytet dhe sot po fillon të kthehet në një damar të gjelbër, që do të luajë rol edhe në mikroklimën e qytetit dhe që do të kthehet edhe në një nga zonat më të frekuentuara nga familjet”, – u shpreh Kryeministri.

Ndërsa nënvizoi se edhe për Lezhën do të investohen në 4 vjet, sa në 20 vitet e shkuara së bashku, Kryeministri njoftoi edhe një tjetër projekt me rëndësi për zhvillimin ekonomik të saj, ngritjen e zonës industriale.

Më herët zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se rikonstruksioni i rrugës Kodër-Marlekaj, 1.7 kilometra, me vlerë mbi 89 milionë lekë, është një tjetër projekt i rëndësishëm në zbatim, i cili i vjen në ndihmë edhe zhvillimit të një zone informale. Nga ana e saj, deputetja e Lezhës Monika Kryemadhi ngriti si dy problemet për qytetin e Lezhës, ujësjellësin dhe ndriçimin e qytetit, për të cilat theksoi se reforma e re administrativo-territoriale jep mundësinë që këto probleme të trajtohen më me efikasitet.

 

 

Share it :