Një prokuror i Lezhës është goditur me grushte dhe shkelma nga një i dënuar për vrasje në burgun e Shënkollit në Lezhë. Ngjarja është shënuar dy ditë më parë në korridorin e burgut, teksa prokurori po shkonte të takonte në qeli dy të burgosur të tjerë. Lajmi është bërë i ditur dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ku është saktësuar që i dënuari menjëherë është futur në dhomën e izolimit të burgut.
Mariglen Përgjini, nga fshati Manati e Lezhës, i dënuar me 7 vite burg për vrasjen e një të riu në janar të vitit 2013, është hakmarrë ndaj prokurorit Ervin Beqiri, pasi ky i fundit, sipas tij, kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vite burg, pa të drejtë. I riu pretendon se nuk ishte ai autor i vrasjes. Fytyra e tij është memorizuar nga Përgjini, i cili sapo ka parë prokurorin, ka nisur të shajë dhe ofendojë. Ai nuk është mjaftuar me kaq, por ka mundur të shkëputet nga gardianët dhe ka qëlluar në drejtim të prokurorit Beqiri me grushte dhe shqelma. Pas ngjarjes së ndodhur prokurori Beqiri ka bërë kallëzim penal në organin e akuzës ndaj Përgjinit si dhe ndaj dy gardianëve, të cilët e shoqëronin atë, me pretendimin se nuk kanë ndërhyrë në kohë për të shmangur incidentin.
Nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mësohet gjithashtu se me urdhër të Prokurorisë janë arrestuar shefi i sigurisë në burgun e Shënkollit si dhe katër gardianët që kanë qenë në turn, ndërsa ka nisur një hetim i hollësishëm në lidhje me ngjarjen e ndodhur në ambientet e burgut. Mariglen Përgjini akuzohet për vrasjen e Maltin Shtjefnit dhe plagosjen e Ergys Nikës, ngjarje e ndodhur me 10 janar të vitit 2013 në një lokal në superstradën Lezhë-Laç në afërsi të kryqëzimi të Shënkollit. Pas shpalljes në kërkim nga policia e Lezhës si autor i ngjarjes Përgjini u vetëdorëzu në polici dy javë më pas, kjo, sipas tij, për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes pasi nuk ishte ai autor i vrasjes. Ndonëse ai kishte paraqitur prova dhe fakte që nuk e implikonin në vrasjen e Maltin Shtjefnit, duke akuzuar një tjetër person si autor të këtij krimi kjo nuk është marrë parasysh nga organi i akuzës, duke dhënë pretencën me 20 vite burg. Pas shumë seancave gjyqësore dhe me shumë tensione brenda në sallë gjykata e ka dënuar Përgjinin me 7 vite burg për ngjarjen e ndodhur. Ndërkohë Gardianët e arrestuar në Shën Kollë janë në dërguar në komisariatin e Laçit, në pritje të masës së sigurisë.
Vlorë/ Dhunohen nga një grup adoleshentësh, tre fëmijë ngujohen në shtëpi nga frika
Tre fëmijë të shkollës “Rilindja” në qytetin e Vlorës janë ngujuar në banesën e tyre dhe kanë frikë të dalin, pasi janë dhunuar disa herë nga një grup adoleshentësh. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije se tre fëmijët janë dhunuar nga një grup 14-vjeçarësh. Prindërit e fëmijëve kanë deklaruar se një nga të miturit është djegur me cigare në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa një tjetër është kërcënuar me thikë. Policia ka shoqëruar në komisariat adoleshentët, por për shkak të moshës nuk është ngritur akuzë ndaj tyre. Prindërit e fëmijëve bëjnë me dije se më herët grupi i adoleshentëve kanë grabitur banesa. Ata shprehen të shqetësuar, pasi për shkak të frikës tre të miturit rrezikojnë vitin shkollor.
Berat/ Shpërndante drogë në shkollë, prangoset me 6 doza marijuanë
Një 29-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, teksa shpërndante drogë në një nga shkollat e qytetit të Beratit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në shkollën “Shyqyr Lakra”, ndërsa është vënë në pranga Farjon Hodo. Sipas informacioneve, mësohet se 29-vjeçarit iu gjetën 6 doza marijuanë kur u arrestua.
Ndërkohë, mbi Hodon rëndon akuza e “Tregtimit të lëndëve narkotike’.




