Sonila Mesareja
Rezultati nga provat e ekzaminuara: Aksidenti, i shkaktuar nga vetë drejtuesi i mjetit, ja shkeljet e kryera nga Olldashi që shkaktuan aksidentin
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur përfundimisht çështjen e hapur për aksidentin vdekjeprurës të deputetit të PD-së, Sokol Olldashi, duke pushuar hetimet dhe deklaruar se bëhet fjalë për vdekje aksidentale. Në materialin e pushimit të procedimit, organi i akuzës së kryeqytetit bën me dije se për këtë ngjarje të rëndë ka analizuar të gjitha provat, si ato mjekoligjore, ekspertizat autoteknike, dëshmitë e punonjësve të policisë që gjetën të parët trupin e pajetë, të banorëve që shkuan menjëherë në vendngjarje, deputetit Igli Cara apo edhe mjekëve të urgjencës. Gjithashtu, u analizuan edhe tabulatet dhe thirrjet e fundit nga telefoni i viktimës. Sipas akuzës, nga tabulatet telefonike rezulton se deklarimet e bëra nga shtetasi B. Begolli përputhen plotësisht me qelizat e vendndodhjes së tij në momentin e ndodhjes së ngjarjes. Duke analizuar provat e administruara në këtë material kallëzues, rezulton se ngjarja ku ka mbetur i vdekur shtetasi Sokol Olldashi ka ndodhur si rezultat i aksidentit automobilistik. Nga provat e marra provohet se shtetasi Sokol Olldashi, duke drejtuar automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, me targë AA 003 HN, në vendin e quajtur fshati Mushqetë, ka dalë nga rruga duke u përmbysur, dhe për pasojë ka humbur jetën vetë drejtuesi i mjetit, shtetasi Sokol Olldashi. “Për sa më sipër, procedimi penal nr. 7675, viti 2013, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290 K. Penal, duhet pushuar, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale” mbyll referimin e saj Prokuroria e Tiranës.
Ngjarja
Sipas akuzës, në datë 20.11.2013, rreth orës 22:00 është marrë njoftim se në vendin e quajtur rruga nacionale Elbasan – Tiranë, në segmentin rrugor tuneli i Kërrabës – lapidari i Kërrabës, në fshatin Mushqetë, ka ndodhur një aksident rrugor. Nga të dhënat e para u bë me dije se automjeti tip veturë, marka “Mercedes-Benz”, model S 550 4 MATIC, me targë AA 003 HN, me ngjyrë të zezë, i drejtuar nga ana e shtetasit Sokol Olldashi, ka dalë nga rruga, duke u përmbysur, dhe për pasojë ka humbur jetën vetë drejtuesi i mjetit, shtetasi Sokol Olldashi. Nga ana e organit procedues janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore procedurale në funksion të dokumentimit të faktit, sqarimit të mekanizmit dhe rrethanave të ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është konstatuar se automjeti i përshkruar më sipër ndodhej i përmbysur, mbështetur në tavanin e tij mbi sipërfaqen e tokës, me rrota përpjetë në mesin e rrugës që të çon tek varrezat dhe xhaminë e fshatit Mushqetë. Rruga ku ka qenë i përmbysur automjeti ndodhej poshtë nivelit të rrugës kryesore, dhe skarpata që ndan dy rrugët ka qenë e mbuluar me shkurre të dendura me gjelbërim, ku gjatë këqyrjes është konstatuar se një pjesë e tyre kanë qenë të shtypura e të ngjeshura. Automjeti ka qenë i pozicionuar me drejtim lindje – perëndim. Gjatë këqyrjes se automjetit është konstatuar se të katër gomat kanë qenë të fryra në gjendje të rregullt, me disqe alumini të prera me tendencë majtas. Është provuar, këqyrur e kontrolluar sistemi i drejtimit në të gjithë komponentët përbërës të tij dhe është konstatuar se ka qenë në gjendje të rregullt. Janë lëvizur edhe gomat e pasme të mjetit dhe pas rrotullimit është konstatuar se ato xhironin në drejtim të kundërt me njëra-tjetrën, veprim që tregon se kutia e shpejtësisë së këtij mjeti ka qene e aktivizuar. Është konstatuar se sistemi i ndriçimit ka qenë i ndezur, dritat SOS me R-L kanë qenë të ndezura, automjeti ka timonin në krahun e majtë. Sistemi i airbag-ëve horizontalë ka qenë i hapur, janë konstatuar të dalë airbag-ët, ndërsa airbag-u i timonit është konstatuar i pahapur. Katër dyert e automjetit kanë qenë të hapura, xhamat e dyerve janë konstatuar të pathyer.
Këqyrja e brendshme e automjetit
Sipas akuzës, është konstatuar që në pjesën e brendshme të automjetit, në qendër, ndodhej një trup njeriu, këmbët me drejtim nga veriu dhe me pjesën e sipërme të trupit nga jugu, i vendosur në pozicionin përmbys. Gjatë këqyrjes është konstatuar se shtetasi i aksidentuar ka pasur të veshura një palë këpucë, pantallona kadife ngjyrë kafe, rrip mesi, triko-pulovër me ngjyrë jeshile, pjesa e sipërme e trupit qëndronte e vendosur, e mbështetur mbi platformën në formë drejtkëndëshi të baxhos dhe koka dhe të dyja duart nuk dalloheshin. Theksojmë që në pjesën anësore nga e djathta e mjetit është konstatuar mbi sipërfaqen e tokës një njollë me ngjyre të kuqe si ajo e gjakut, në formë rrëkeje, e cila vazhdonte në drejtimin jug-lindor, tek e cila me tampon steril është marrë një mostër për ekzaminim biologjik. Pas lëvizjes së automjetit është nxjerrë kufoma e seksit mashkull, e cila për shkak të dëmtimeve masive në pjesën e kokës dhe fytyrës, ka qenë e pamundur të identifikohej në vendin e ngjarjes. Në vijim kufoma është dërguar me autoambulancë në morgun e IML Tiranë.
Këqyrja e vendit të ngjarjes
Këqyrja e vendit të ngjarjes ka vazhduar përsëri në datë 21.11.2013 dhe objekt këqyrjeje ka qenë rruga Elbasan – Tiranë, segmenti rrugor tuneli i Kërrabës – lapidari i Kërrabës”, pikërisht në kthesën pranë xhamisë së fshatit Mushqetë. Rruga në këtë segment ka qenë e asfaltuar, në gjendje të rregullt, pa vijëzime horizontale, me gjerësi 7 m, ka bankinë në anën lindore me gjerësi 2-2.5 m dhe nga ana perëndimore ka qenë kanali kullues i ujërave. Rruga në këtë pjesë ka pasur një pjerrësi 2-5%, planimetria e rrugës ka qenë një kthesë me tendencë majtas, sipas lëvizjes së mjetit me kënd 90°. Skarpata verilindore e rrugës ka pasur një pjerrësi pothuajse vertikale dhe sipërfaqja e saj ka qenë e mbuluar me shkurre të dendura, distanca nga kufiri i karrexhatës deri tek rruga për tek varrezat dhe xhamia e fshatit Mushqetë ka qenë 14.2 m. Është bërë këqyrja e bankinës së anës lindore dhe skarpatës deri tek rruga e varrezave ku është përshkruar çdo gjë e konstatuar. Rruga e varrezave ka qenë e paasfaltuar, ka pasur një gjerësi maksimale 5.9 m, në anën jugperëndimore ka qenë një kanal kullues. Në skarpatën lindore të kanalit kullues mbi sipërfaqen e mbjellë me bar, janë fiksuar disa mbetje plastike si ato të sinjaleve të automjetit, me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, të thyer në mënyrë të çrregullt, të ngjashme si ato të stopit të pasmë të automjetit “Mercedes-Benz”, dhe janë fiksuar me tabelën me numër 9. Gjatë kqyrjes mbi sipërfaqen e rrugës janë konstatuar një grumbull mbetjesh indore në trajtë peltesh, një pjesë kockore me përmasa 70mmx55mm, si dhe njolla gjaku të mpiksur në trajtë rrëkeje me shtrirje që janë fiksuar me tabelën me numër 10. Gjithashtu, është konstatuar mbi sipërfaqen e rrugës, në qendër të saj, korniza në formë drejtkëndëshi e baxhos se mjetit, në njërën anë e thyer, dhe brenda kuadratimit të kornizës është konstatuar grila mbrojtëse me ngjyre gri.
Ekspertiza autoteknike, shkaqet e aksidentit
Është administruar akti i ekspertimit i datës 25.11.2013, në të cilin jepet konkluzioni se shkaku determinant teknik i ndodhjes së aksidentit janë shkeljet e kryera nga drejtuesi i autoveturës. Neni 139 K. Rrugor, “Shpejtësia” – Është detyrë e drejtuesit të mjetit të rregullojë shpejtësinë e mjetit në mënyrë që, duke pasur parasysh karakteristikat, gjendjen dhe ngarkesën e mjetit, karakteristikat dhe gjendjen e rrugës, trafikun, si dhe çdo rrethanë tjetër të çfarëdo natyre, të mënjanojë çdo rrezik për sigurinë e njerëzve dhe mallrave dhe çdo shkak tjetër që krijon çrregullime për trafikun. Drejtuesi i mjetit duhet të ruajë gjithmonë kontrollin e mjetit dhe të jetë në gjendje të kryejë të gjitha manovrat e nevojshme në kondita të sigurta, veçanërisht frenimin e menjëhershëm të mjetit brenda kufijve të fushëpamjes dhe përpara çdo pengese të mundshme. Veçanërisht drejtuesi mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa, në afërsi të kryqëzimeve dhe shkollave, ose vendeve të tjera të frekuentuara nga fëmijët, të treguar me sinjale të caktuara, në pjerrësi të forta, në kalime të ngushta ose të rënduara, në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ose për shkaqe të tjera, gjatë kalimit në zona të banuara ose në pjesë të rrugës, anash së cilave ka ndërtesa. Neni 144 K. Rrugor,”Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor”, – Përdoruesi i rrugës është i detyruar të sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor dhe nga polici i trafikut, sipas normave të neneve nga 38 deri ne 43 dhe normave përkatëse të akteve në zbatim të kodit. Neni 170 K. Rrugor,”Përdorimi i rripave të sigurimit dhe sistemeve të fiksimit” – Drejtuesi i mjetit, të prodhuar nga janari 1978, janë të detyruar të vendosin rripat e sigurisë në çdo lloj lëvizjeje me mjet.
Ekspertiza mjekoligjore
Nga akti i ekspertimit mjekoligjor jepet konkluzioni se tek kufoma e shtetasit Sokol Olldashi u konstatua trauma e rëndë kafkotrunore karakterizuar nga thyerje të shumta të kockave të kokës e shoqëruar me mungesë të indit kockor, kontuzion (shembje) e rëndë e trurit e shoqëruar me mungesë të indit trunor. Plagë dërmishje dhe ekimoza të përshkruara në akt. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta mbretëse, karakteristike për traumat automobilistike. Shkaku i vdekjes së shtetasit Sokol Olldashi ka qenë shoku i rëndë traumatizo-hemorragjik. Bazuar në aktin e ekspertimit toksikologjik ligjor nr. 1394, rezulton se në gjakun e viktimës Sokol Olldashi nuk u konstatua prania e alkoolit etilik.




