Hyjnë në fuqi ndryshimet/ Ligji për ushtarakët, si mund të fitohen gradat, ja për sa vite do të lidhen kontratat

Ish ushtarake, gjate nje protestexx4Si do të ndikojë arsimi dhe kualifikimi për rritjen në gradë

 Kriteret për të dalë ushtarak në rezervë dhe në lirim

 Hyn në fuqi ligji i ri për ushtarakët. Me ndryshimet në ligj, ushtarakët e shërbimit aktiv janë ushtarakë të shërbimit të përkohshëm dhe ushtarakë të shërbimit të karrierës. Ushtarakët e shërbimit të përkohshëm janë oficerët me gradë “Nëntoger”, “Toger” dhe “Kapiten”, nënoficerët me gradë “Nëntetar” e “Tetar” dhe ushtarët/detarët. Ushtarakë të shërbimit të karrierës janë oficerët me gradë “Major”, “Nënkolonel”, “Kolonel” dhe oficerët me gradë madhore dhe nënoficerët me gradë “Rreshter”, “Kapter” dhe “Kryekapter”.

 

Përparimi në gradë

Kriteret e përgjithshme për përparimin në gradë. Ushtaraku merret në shqyrtim për marrjen e gradës së radhës, kur plotëson kriteret e mëposhtme:

– të ketë plotësuar kohën e qëndrimit në një gradë

– të ketë arsimimin dhe kualifikimin e nevojshëm për marrjen e gradës së radhës

– më shumë se gjysma e vlerësimeve vjetore gjatë viteve të qëndrimit në gradën që mban të mos jetë më e ulët se “kënaqshëm”;

– të jetë i aftë fizikisht dhe në gjendje shëndetësore të mirë.

Nënoficerët me gradë “Nëntetar” dhe oficerët me gradë “Nëntoger”, “Toger”, shqyrtohen dy herë radhazi nga komisionet e karrierës për marrjen e gradës së radhës. Nënoficerët me gradë “Tetar” dhe oficerët me gradë “Kapiten” shqyrtohen tri herë radhazi nga komisionet e karrierës për marrjen e gradës së radhës. Oficerët e karrierës me gradë “Major”, “Nënkolonel”, “Kolonel” dhe nënoficerët e karrierës me gradë “Rreshter” dhe “Kapter” shqyrtohen tri herë radhazi nga komisionet e karrierës për marrjen e gradës së radhës. Oficerët me gradë madhore shqyrtohen vetëm një herë nga komisioni i karrierës për marrjen e gradës se radhës. Gradimi, sipas këtij ligji, bëhet në përputhje me nevojat organike të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

 

Arsimimi dhe kualifikimi për përparim në gradë

 Ushtarakët e Forcave të Armatosura, për të fituar gradën e radhës, duhet të plotësojnë kriteret e arsimimit dhe të kualifikimit si më poshtë: Oficerët: Nëntogeri, për të fituar gradën e “Togerit”, të ketë kryer kursin bazë të oficerit ose kurse të njësuara me të. Togeri, për të fituar gradën e “Kapitenit”, të ketë kryer kursin e avancuar të oficerit ose kurse të njësuara me të. Kapiteni, për të fituar gradën e “Majorit”, të ketë kryer kursin themelor të oficerit të shtabit ose kurse të njësuara me të. Majori, për të fituar gradën e “Nënkolonelit”, të ketë kryer kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm ose kurse të njësuara me të. Nënkoloneli, për të fituar gradën e “Kolonelit”, të ketë kryer kursin e lartë të oficerit ose kurse të njësuara me të. Koloneli, për të fituar gradën “Gjeneral brigade”, të ketë kryer kursin e lartë për sigurinë dhe mbrojtjen ose kurse të njësuara me të. Gradimi “Gjeneral major/Nënadmiral” dhe “Gjeneral lejtnant/Admiral” bëhet në bazë të meritave, përgatitjes dhe aftësive profesionale, të vlerësuara nga Komisioni i Veçantë i Karrierës.Nënoficerët: Nëntetari, për të fituar gradën “Tetar”, duhet të ketë kryer kursin bazë të nënoficerit. Tetari, për të fituar gradën “Rreshter”, duhet të ketë kryer kursin e avancuar të nënoficerit. Rreshteri, për të fituar gradën “Kapter”, duhet të ketë kryer kursin e lartë të nënoficerit. Kapteri, për të fituar gradën “Kryekapter”, duhet të ketë kryer kursin e kryekapterit. Ushtarët: Kursanti, për të fituar gradën “Ushtar/detar I”, duhet të ketë kryer stërvitjen bazë. Ushtari/detari I, për të fituar gradën “Ushtar/detar II”, duhet të ketë kryer stërvitjen individuale të avancuar. Kurset dhe kualifikimet e kryera brenda dhe jashtë vendit, për efekt të përparimit në gradë, për të gjitha llojet e gradave, njësohen me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Kurset dhe kualifikimet e kërkuara nga legjislacioni në fuqi, që rregullon aktivitetin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe të shërbimit të policisë kriminale ushtarake, njësohen me kurset dhe kualifikimet e kërkuara për marrjen e gradave, sipas këtij ligji, me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes.

 

Kontratat e ushtarakëve

 Ushtarakët, me pranimin e tyre në shërbimin ushtarak aktiv, nënshkruajnë kontratë, si më poshtë:

– Për ushtarët/detarët: kontrata lidhet për një afat jo më pak se 3 vjet me të drejtë ripërtëritjeje. Kohëzgjatja e ripërtëritjes së kontratës është 3-vjeçare dhe nuk duhet të kalohet mosha maksimale. Kontrata nënshkruhet midis ushtarakut dhe Forcave të Armatosura. Në emër të Forcave të Armatosura nënshkruajnë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ose personi i autorizuar prej tij, komandanti i forcës, komandanti i strukturës mbështetëse apo komandantët e strukturave të tjera kryesore, në përputhje me strukturën e Forcave të Armatosura.

– Për nënoficerët: kontrata lidhet për një afat jo më pak se 3 vjet me të drejtë ripërtëritjeje. Kohëzgjatja e ripërtëritjes së kontratës për gradën respektive dhe nuk duhet të kalohet mosha maksimale. Kontrata nënshkruhet midis ushtarakut dhe Forcave të Armatosura. Në emër të Forcave të Armatosura nënshkruajnë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ose personi i autorizuar prej tij, komandanti i forcës, komandanti i strukturës mbështetëse apo komandantët e strukturave të tjera kryesore, në përputhje me strukturën e Forcave të Armatosura.

– Për studentët ushtarakë dhe oficerët: Kontrata lidhet me fillimin e studimeve brenda dhe jashtë vendit. Në kontratë përfshihen koha e arsimimit dhe 6 vjet periudhë shërbimi si oficer në Forcat e Armatosura. Në emër të Forcave të Armatosura për studentët ushtarakë nënshkruan komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, ndërsa për oficerët nënshkruan drejtuesi i njësisë së menaxhimit të personelit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në rast shkeljeje të kontratës, shtetasit dhe ushtarakët detyrohen të dëmshpërblejnë shpenzimet për kohën e studimit apo kualifikimit brenda ose jashtë vendit. Urdhri i ministrit të Mbrojtjes për shlyerjen e detyrimit në këto raste përbën titull ekzekutiv dhe për ekzekutimin e tij ngarkohet shërbimi përmbarimor gjyqësor. Procedurat e lidhjes së kontratës së shërbimit ushtarak aktiv përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Mbrojtjes. Shtetasit/ushtarakët, që nënshkruajnë kontratë, janë të detyruar të shërbejnë në të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, sipas nevojës.

 

Dalja në rezervë e ushtarakëve

 Ushtaraku del në rezervë nga shërbimi aktiv kur ka plotësuar njërin nga kushtet e mëposhtme:

– ka plotësuar afatin e parashikuar në kontratë

– ka plotësuar moshën

– ka plotësuar kohën e qëndrimit në shërbimin aktiv, sipas këtij ligji, për gradat respektive

– ka dy vlerësime vjetore “pamjaftueshëm” gjatë kohës së qëndrimit në një gradë;

– paraqet kërkesën dhe ajo miratohet nga organi përgjegjës. Organi përgjegjës kthen përgjigje brenda tre muajve. Në rast se organi përgjegjës nuk kthen përgjigje brenda këtij afati, kërkesa quhet e miratuar.

– kur bëhen shkurtime në numrin e përgjithshëm të personelit të Forcave të Armatosura. Në këtë rast, kriteret e përzgjedhjes së ushtarakëve që dalin në rezervë përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Mbrojtjes, sipas propozimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

– Shefi i Shtabit të Përgjithshëm del në rezervë me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.

– Oficerët me gradë madhore dalin në rezervë me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes.

-Oficerët, përveç atyre që mbajnë grada madhore, dalin në rezervë me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

– Nënoficerët dalin në rezervë me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komandantit të forcës ose komandantit të strukturës mbështetëse.

– Ushtarët/detarët dalin në rezervë me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komandantit të forcës ose komandantit të strukturës mbështetëse.

 

Dalja në lirim e ushtarakëve

 Ushtaraku del në lirim nga shërbimi aktiv kur ka plotësuar njërin nga kushtet e mëposhtme:

– ka plotësuar moshën për pension pleqërie

-dënohet me burgim me vendim gjyqësor të formës së prerë

– shpallet i paaftë nga ana shëndetësore për shërbim ushtarak me vendim të komisionit përkatës mjekësor;

– paraqet kërkesën dhe ajo miratohet nga organi përgjegjës. Organi përgjegjës kthen përgjigje brenda tre muajve. Në rast se organi përgjegjës nuk kthen përgjigje brenda këtij afati, kërkesa quhet e miratuar

– ka kryer shkelje shumë të rënda disiplinore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë;

– Shefi i Shtabit të Përgjithshëm del në lirim me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.

– Oficerët me gradë madhore dalin në lirim me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes.

– Oficerët, përveç atyre që mbajnë grada madhore, dalin në lirim me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

– Nënoficerët dalin në lirim me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komandantit të forcës ose komandantit të strukturës mbështetëse.

Ushtarët/detarët dalin në lirim me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komandantit të forcës ose komandantit të strukturës mbështetëse.

 

Vlerësimi i ushtarakut

Ushtaraku vlerësohet në një nga këto nivele:

“Shkëlqyer”

“Shumë mirë”

“Kënaqshëm”

“Jo gjithnjë i përshtatshëm”

“Pamjaftueshëm”

 

Share it :