Një 30-vjeçare nga Kruja, e shpallur në kërkim për vjedhje është arrestuar nga e Policia Lezhës, pasditen e djeshme. Në prangat e policisë ka rënë Dilore Marku nga qyteti i Krujës. 30-vjeçarja Marku ishte dënuar nga Gjykata e këtij rrethi në mungesë me 2 vite burg për veprën penale të vjedhjes. Ajo akuzohet se ka vjedhur 23.000 euro, në një biznes privat në qytetin e Krujës por ju kishte shpëtuar prangave të policisë. Që prej kohës kur ajo kishte kryer krimin kishte mundur që të strehohej tek disa të afërm të saj në fshatin ishull Shëngjin të Lezhës. Policia kishte marrë informacion për vendndodhjen e saj, duke e prangosur pasditen e së premtes. Ajo është dërguar në komisariatin e Lezhës, ndërsa pritet që të transferohet ne Krujë, vend ku është edhe dënuar për vjedhje.
Agjencia fiktive e migrimit/ I dëmtuari Elton S.: Pagesa për viza 600-3000 euro, kam parë njerëz që qanin e ulërinin
Numri i denoncimeve në policinë e Tiranës për agjencinë private “Help Immigration” është rritur ndjeshëm brenda 24 orëve të fundit. Kjo agjenci ka mashtruar rreth 500 persona, duke u marrë nga 600 deri në 3000 euro me premtimin se do t’u siguronte vizë për në Kanada, Australi dhe Zelandën e Re. Elton S. është një prej shumë personave viktimë që ka denoncuar në polici mashtrimin e shtetasit maqedonas Vasko Pop Ganov, që u premtonte qytetarëve viza për në Kanada, Australi dhe Zelandën e Re. Eltoni shpjegon për “News 24” se si funksiononte kjo agjenci dhe shumat e parave që janë paguar nga qytetarët për të siguruar një vizë pune për në këto vende. “Kuptohet që për aplikantët shqiptarë ai i mirëshfrytëzoi për t’u kërkuar pagesën prej 600 eurosh. Në një total prej 500 vetash e kanë paguar atë shumë. Radha ishte pafund që nga mëngjesi deri në darkë. Pagesat ishin nga më të ndryshmet di që kanë paguar edhe nga 3-4 mijë euro. Kam parë njerëz që qanin e ulërinin. Fakti që ushtronte aktivitetin në një prej zonave më të sigurta të kryeqytetit, në të njëjtin pallat ku jeton dhe Kryeministri, sipas Eltonit, tregon se sa pak të mbrojtur janë qytetarët nga mashtrimet financiare. “Në një pallat ku banues ishte një Kryeministër, ky ka qenë i mirinformuar për sa i përket ndërtimit të kësaj kërpudhe për vjeljen në mënyrë shumë të sofistikuar të shpresës së një populli që ëndërron më të mirën”, – shprehet ai. Eltoni kërkon që për këtë ngjarje organet ligjzbatuese të reagojnë, pasi, sipas tij, shumat e mëdha të parave të humbura, të cilat kapin vlerën deri të 40 mijë euro, mund të sjellin situata ku qytetarët të shkojnë drejt vetëvrasjes. “Shteti të funksionojë jo vetëm në trajta krimi ordiner apo vrasje. Kjo është e barasvlershme me një vrasje. Mos u habisni që njerëzit të shkojnë drejt vetëvrasjes”, – thotë ai. Policia e Tiranës vijon marrjen e kallëzimeve penale ndaj shtetasit maqedonas. Në pyetje si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes janë marrë dhe tre punonjëset shqiptarë të “Help Immigration”. Ende nuk ka asnjë rezultat për kapjen e tij.
Elbasan/ Zbulohet arsenal armësh, në pranga 3 persona
Një operacion nga Drejtoria së Përgjithshme të Policisë së Tiranës i koduar “Balldreni” ka bërë të mundur zbulimin dhe sekuestrimin e një arsenali armësh, ndërsa janë arrestuar edhe 3 persona. Kështu në pranga kanë rënë Klevis Qevani 25 vjeç, banues në Balldren të Elbasanit, Fadil Qevani 50 vjeç po banues në Balldren të Elbasanit dhe Marsel Qevani 20 vjeç, banues në Peqin. Gjatë arrestimit të tyre u sekuestruan 10 armë zjarri mes të cilave, 7 automatikë model 56. 2 automatikë model 54, një pushkë model 56, tre granata mësymëse, 1600 fishekë të llojeve të ndryshme, 6 krehra dhe dy automjete me të cilat të arrestuarit bënin transportin e armëve. Sipas policisë arrestimi i tyre erdhi si rezultat i një hetimi një mujor nga ana e policisë Ndërkohë materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë për procedime të mëtejshme penale për veprën “Prodhim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve”.





