Florenc Drizari
“A jemi të gatshëm si shoqëri që ta bëjmë të lumtur Kryeministrin duke i dhënë pushtet të pakufizuar!? Unë mendoj se jo, ndonëse njerëzisht i uroj çdo të mirë dhe lumturi të plotë.”
Dy ditë pas deklaratës së bërë nga Kryeministri Edi Rama në të cilën thuhej se nuk ndihej i lumtur në marrëdhëniet institucionale me Presidentin e Republikës, kryeprokurorin dhe anëtarët e KLD-së, ka ardhur edhe reagimi i kreut të shtetit. Me anë të një deklarate të postuar në faqen e presidencës, Bujar Nishani shkruan se Kryeministri nuk do të jetë asnjëherë i lumtur nëse kërkon kapjen e institucioneve të pavarura dhe marrjen e pushtetit absolut. Në qëndrimin e tij Presidenti argumenton se “nisur nga një adresim i pa vend dhe i pa argumentuar i Kryeministrit të vendit ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës, në datën 14 korrik 2014, dëshiroj të përcjell tek qytetarët shqiptarë, mospajtimin tim me këtë standard të kulturës politike dhe komunikimit ndërinstitucional. Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës tonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin e vendit dhe anëtarët e qeverisë së tij. Por nëqoftëse këtë dëshirë të hershme e universale të humanizmit Kryeministri e sheh të projektuar në horizont duke cënuar Kushtetutën e vendit, institucionet e pavarura si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste”,-shkruan Nishani. Ndërsa thekson se Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga mendësi të tilla.
Gjithashtu kreu i shtetit thotë se presionet politike nuk ndryshojnë asgjë nga vendimet që ai merr si President i Republikës, paçka se mbetet i keqardhur për burimi se nga ato vijnë. “Unë e kam pranuar dhe e ushtroj detyrën e Presidentit të Republikes si përgjegjësi sublime ndaj vendit dhe popullit tim duke patur referencë të patjetërsueshme ligjet e këtij vendi dhe qëllim progresin e gjithanshëm të tij dhe sigurisht jo trishtimin, melankolinë apo lumturinë e politikanëve të veçantë. Punoj çdo ditë me këtë bindje, indiferent ndaj presioneve, por i keqardhur për burimin e tyre. Siç jeni të informuar nga mediat çdo ditë, Kryeministri dhe qeveria e kryesuar prej tij përgatisin projektligje dhe votojnë ligje që cënojnë kompetencat e Presidentit të Republikës në kërkim të një pushteti të pakufizuar”. Më tej thuhet në reagim sePresidenti i Republikës nuk kërkon dhe as pranon fasadën e etikës, por kërkon dhe nxit etikën e ligjit dhe respektin institucional. Nishani sqaron se këtë qëndrim nuk e mban për egon e tij personale, por për liritë dhe të drejtat e njeriut , standartet demokratike që rrezikohen kur tendenca për të goditur institucionet e pavarura po shquhet gjithnjë e më shumë.
“Shqiptarët kanë nevojë për të vërtetën dhe jo iluzionin e saj që është manipulimi. Qeveria mesa duket dëshiron një President, një prokuror, një sistem drejtësie dhe KLD jo të reformuar, por të komanduar nga Kryeministri. Ëndërr e keqe kjo! Vizion i frikshëm. A jemi të gatshëm si shoqëri që ta bëjmë të lumtur Kryeministrin duke i dhënë pushtet të pakufizuar!? Unë mendoj se jo, ndonëse njerëzisht i uroj çdo të mirë dhe lumturi të plotë”, shkruan Presidenti i Republikës. Në fund Nishani i drejtohet Ramës se e siguron atë dhe këdo tjetër se do të vazhdojë të mbetet i palumtur në ambicien politike për të grumbulluar rreth vetes pushtet të pakufizuar në kurriz të demokracisë shqiptare.
“Do të mbetem në çdo moment të punës time besnik i Kushtetutës dhe interesave të bashkatdhetarëve të mi e nëse ky qëndrim i imi bën të palumtur ndokënd që dokumentin themelor të shtetit e sheh si pengesë për të patur pushtet absolutist, atëherë jam i lumtur, sepse i kam shërbyer mirë vendit tim”,-mbyllet reagimi i kreut të shtetit.
Rama: Nuk jemi të lumtur me Presidentin, kryeprokurorin dhe anëtarët e KLD-së
Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të punës së kabinetit të tij qeverisës në 300 ditët e para, u shpreh hapur edhe për raportet mes tij dhe krerëve të disa prej institucioneve të pavarura në vend. “Ne nuk jemi të lumtur me Presidentin e Republikës, por ne në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk u kemi dhënë shqiptarëve më shembullin e vjetër të degraduar dhe njëkohësisht degradues për shoqërinë dhe për shtetin tonë të një marrëdhënieje joetike sharjesh, akuzash dhe përpjekjesh për të diskriminuar institucionin e Presidentit të Republikës”, – tha Rama. Më herët raportet mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të shtetit, Bujar Nishani, kanë qenë të tensionuara, edhe pas marrjes së pushtetit më 23 qershor. Një ndër tri vendimet e para të qeverisë në shtator të vitit të kaluar, ka qenë edhe zëvendësimi i fotos zyrtare të Presidentit në zyrat e shtetit, ndërsa disa projektligje të ekzekutivit janë cilësuar si marrje e kompetencave ndaj kreut të shtetit.
Nishani merr mesazh falënderimi nga Presidenti amerikan, Obama
“I dashur Zoti President! Së bashku me popullin amerikan ju falënderoj për mesazhin tuaj të mirësjelltë të urimit teksa ne festojmë 238-vjetorin e pavarësisë! Përfitojmë nga ky rast për t’u ngazëllyer nga trashëgimia multikulturore dhe traditat e pasura që i bashkojnë amerikanët si komb me pjesën tjetër të botës. Ne marrin zemër nga ideali ynë i përbashkët që të gjithë njerëzit duhet të shijojnë lirinë për të gjetur lumturinë dhe begatinë. Ndërsa sjellim ndërmend sakrificat e së kaluarës dhe të së tashmes për të siguruar lirinë që gëzojmë, ne ripohojmë besimin dhe vendosmërinë tonë që të përpiqemi që të gjithë njerëzit të gëzojnë të drejtën të jenë e të mbeten të lirë dhe në paqe.
Rama takon përfaqësuesti e BERZH, i prezanton reformën territoriale
Kyeministri Edi Rama priti dje në takim një delegacion të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Zëvendëspresidenti i saj, Phil Bennett. “Kryeministri, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen që BERZH ka dhënë për realizimin e një sërë projektesh, i njohu bashkëbiseduesit me përpjekjet që po bëhen për përmirësimin e klimës së marrëdhënieve me biznesin. Zëvendëspresidenti i BERZH vlerësoi këtë angazhim të ri të qeverisë në marrëdhëniet me biznesin, i dukshëm qartë edhe nga zgjidhjet e dhëna deri më tani, si dhe përforcoi mbështetjen e Këshillit të Investimeve dhe siguroi për vijimësinë e projekteve të deri më tani paraqitura nga institucionet financiare. Kryeministri i njohu përfaqësuesit e BERZH edhe me ecurinë e reformës administrative-territoriale, si dhe efektet e saj ekonomike. Kryerja e Reformës Administrative u përshëndet gjerësisht nga delegacioni i BERZH”,-thuhet në njoftimin e shpërndarë nga kryeministria.
Gjoni, Ramës: Ndërkombëtarët më njohin se i kam vënë në dijeni për sulmin
Gjykatësi i Apelit, Gjin Gjoni publikisht për deklaratat e bëra nga Kryeministri Rama dy ditë më parë, duke i cilësuar ato si sulme politike ndaj tij. Deklaratës së kryeministrit se si ka mundësi që edhe ndërkombëtarët e njohin emrin e tij, Gjoni iu përgjigj: “Më njohin nga Europa në NATO zyrtarët, s’më njohin si person por si anëtar i KLD që po cenohet, shantazhohet dhe që do të uzurpohet nga kryeministrit. Ndërkombëtarët janë të shqetësuar se i kanë vënë në dijeni për këtë sulm të paprecedent ndaj meje dhe institucioneve të drejtësisë. Shqetësohen se si një kryeministër i një vendi që ka marrë statusin e kandidatit merr dhe shantazhon në telefon gjyqtarët për çështje konkrete. Përmendin emrin tim se kam ardhur në këtë pozicion jo prej suportit politik, por sepse kam qënë më i votuari që nga krijimi i KLD-së. Ndërkombëtarët janë të shqetësuar se reforma në drejtësi po bëhet pa konsultë me Komisionin e Venecias, Këshillin e Europës e institucione të tjera ndërkombëtare”,-tha ai, duke theksuar se këtë qëndrim do ta zgjidhë në rrugën e drejtësisë, pa ndërprerë takimet me faktorin ndërkombëtar.




